Kërko

Hapja e Sinodit Hapja e Sinodit

Kardinali Hollerich: Sinodi, mozaik i madh vëllazërimi

Kardinali Jean-Claude Hollerich, relator i përgjithshëm i Takimit botëror mbi sinodalitetin, reflekton mbi udhën, që duhet të përshkojnë barinjtë e Kishës, për të dëgjuar zërin e grigjës.

R.SH. - Vatikan

“E gjithë dinamika e Sinodit duhet të jetë ofertë”, që hap “veshët për të dëgjuar, ndihmon në shoshitjen e vërtetë, në mënyrë që të mos manipulohet procesi sinodal për qëllime të veçanta”, për ndonjë Kishë, që ëndërrohet vetëm nga grupe të caktuara e jo nga i gjithë Populli i Zotit. Kështu reflekton kardinali Jean-Claude Hollerich, relator i përgjithshëm i Sinodit, i cili vetëm pak ditë më parë, pikërisht të shtunën e kaluar, foli në asamblenë e ipeshkvijve, mbledhur në Vatikan për fillimin e udhës sinodale, gjatë së cilës e gjithë Kisha do të reflektojë mbi temën: “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje e mision”. Kujtojmë se të dielën, më 17 tetor, çdo ipeshkëv do të kremtojë meshën për përurimin e punimeve sinodale me besimtarët, meshtarët e rregulltarët e dioqezës së vet. Fillon udha, që do të zgjasë 3 vite, për të përfunduar sërish në Vatikan.

Instrumentum Laboris duhet plotësuar së bashku

Kardinali Hollerich, i cili është edhe president i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE), nuk e ka idenë se ç’lloj Instrumentum Laboris do të shkruajë në fund të sinodit, sepse ato faqe, që më parë shkruheshin nga relatori i përgjithshëm, pas diskutimeve ndërmjet ipeshkvijve, tani, duhen mbushur nga diskutimet në gjithë botën. Pra, ky mjet pune, që do t’i shërbejë Kishës për të përcaktuar udhën e sinodalitetit, duhet të jetë rezultat i punës në grup. Kardinali e shtjellon reflektimin e tij, duke u bazuar në gjashtë pika: udha, dëgjimi, lutja, bashkimi, shoshitja dhe oferta.

Udhë prej gurësh të vegjël mozaiku plot ngjyra

  “Kisha sinodale – shpjegon kardinali Hollerich - është kishë marrëdhëniesh, kishë takimi”. Prandaj, do të ketë takime në grupet e punës, “në nivelin dioqezan, në nivelin e konferencave ipeshkvnore, në nivelin kontinental dhe, së fundi, në Asamblenë e Përgjithshme me Etërit sinodalë, në tetor 2023”, në Sallën e Sinodit, në Vatikan. Do të ecim së bashku në këtë udhë, pohon kardinali, por drejtimi i saj caktohet nga Shpirti Shenjt, që “nganjëherë, si në Rrëshajë, duket dhe i mbush zemrat me gëzim e qartësi”, duke e shndritur rrugën, por më shpesh, “na lë ta gjejmë udhën, duke bashkuar gurë të vegjël të një mozaiku shumëngjyrësh, të cilët vijnë nga gjithë vëllezërit dhe motrat” nëpër botë.

Pjesëmarrje për të gjithë, duke u nisur nga të varfrit dhe periferitë

Duhen zgjedhur drejt këta gurë, madje, edhe në atë rend, që u lejon të gjithëve të marrin pjesë në proces, reflekton kardinali Hollerich, sidomos më të varfrit, ata që s’kanë zë, njerëzit e periferive. “Nëse përjashtojmë ndonjë lojtar, mozaiku nuk do të jetë i plotë”. E do të duhet të përballojmë edhe tundimet e të Keqit. Kardinali vë në dukje më të mundshmit: ka nga ata që do të thonë “Është ide e mirë, por nuk kam kohë”. Të tjerë, “A s’është mënyrë për të na bërë të gëlltisim ndryshime, që janë vendosur qëkur?”, ose “Ç’utopi dëgjimi i përvojës së të gjithëve!” e, më tej akoma: “Nuk duam ndryshime, ndryshimet na e shqetësojnë jetën dhe planet baritore”. Por, gjatë kësaj udhe, nënvizon kardinali, “barinjtë duhet të dëgjojnë zërin e grigjës”.

Përmes dëgjimit, nga “unë” bëhemi “ne”

Dëgjimi “shkon kundër rrymës së një shoqërie si e jona, ku duhet të dukesh, të ‘realizohesh’”. Është kalim nga “unë” në “ne”, nënvizon kardinali. Dëgjim edhe për ipeshkvijtë, që duhet ta dëgjojnë Ungjillin të shpallur nga diakoni e jo ta lexojnë vetë. “Ne nuk jemi zotërit e Ungjillit, jemi shërbëtorët e tij. Dëgjimi ynë nënkupton gjithnjë kthimin kah Ungjilli”. Vërtet, sqaron kardinali Hollerich, “ipeshkvi e shpall Fjalën e Zotit gjatë homelisë, vetëm pasi dëgjon Krishtin dhe Kishën”. Po ky qëndrim i dëgjimit “karakterizon edhe rolin tonë në udhëtimin sinodal”, vëren relatori i përgjithshëm.

Lutja për bashkimin e vërtetë me Zotin e ndërmjet nesh

Që “Ungjilli i Krishtit të kthehet në vepra, duhet kaluar nëpër rrugën e lutjes”, thekson kardinali Hollerich, i cili sugjeron që udha sinodale nëpër dioqeza të hapet me lutje të vërtetë e të thellë, pasi vetëm kështu mund të arrihet paqja e brendshme, që ndihmon në marrjen e vendimeve. Lutje për “t’u bashkuar vërtet më Zotin - Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt”, për të mos e shndërruar Sinodin “në debat politik, ku secili lufton për objektivat e veta”. Kjo është garancia e “katolicitetit”, pra e universalitetit të Sinodit, në të cilin marrin pjesë të gjithë.

Shoshitja, që fillon nga niveli lokal dhe arrin në atë global

Kisha, sqaron më tej relatori i përgjithshëm, do të përjetojë “një çast shoshitjeje në formë spiraleje, nga poshtë lart: nga bashkësia e vogël në momentin sinodal global, duke kaluar nëpër etapa të ndryshme në kohë dhe hapësirë”. Shoshitja personale zgjerohet në shoshitjen e bashkësisë, deri sa bëhet shoshitje e vërtetë kishtare, vë në dukje kardinali. E lëvizja nga një nivel në tjetrin “kërkon ofertën, përmes së cilës secili mund të hapë duart e t’i dorëzojë gjithçka pronarit të të korrave”.

Oferta e punës për Atin, i cili do të na dërgojë në mision

Atij, përfundon kardinali, “i dorëzojmë frytet e dëgjimit, të fjalimeve, të lutjeve, të diskutimeve e të vendimeve tona. Është çast i epërm lirie shpirtërore që Zoti ta konfirmojë udhën tonë”. Nuk mund ta kuptojmë vullnetin e Atit, duke ndenjur ulur, por duke ecur e duke marrë vendime së bashku. “Kisha nuk i referohet vetvetes, është bashkim i thellë, që kërkon pjesëmarrjen e të gjithëve dhe dërgohet në mision” nga Zoti Atë, të cilit “do t’i duhet të pranojë vendimet tona”, e mbyll reflektimin e tij kardinali Hollerich, relator i përgjithshëm i Sinodit.

12 tetor 2021, 08:58