Kërko

2021.10.09 Inizio del cammino sinodale 2021.10.09 Inizio del cammino sinodale

Papa: një Sinod me pjesëmarrjen e të gjithëve, ku Shpirti Shenjt është protagonist

Në Vatikan, njё moment reflektimi për fillimin e rrugës sinodale, të cilën Papa Françesku do ta hapë solemnisht këtë të dielë me Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit. Papa nënvizon se nuk është e nevojshme të krijohet një Kishë tjetër, por një "Kishë ndryshe", tё hapur ndaj risisë që Zoti dëshiron të sugjerojë, pёrmes dëgjimit, duke ecur me Shpirtin Shenjt, "sepse ne kemi nevojë për Shpirtin, frymëmarrje gjithnjë të re të Zotit, që çliron nga çdo mbyllje, ringjall atë që ka vdekur, zgjidh zinxhirë

R.SH. - Vatikan

“Në përvojën sinodale të mos lejojmë të na mposhtë zhgënjimi, të mos e bëjmë ujë profecinë, të mos e reduktojmë gjithçka në diskutime të shterpta”. Duke iu lutur Shpirtit Shenjt t’i ndihmojë besimtarët e ipeshkvijtë e Kishës Katolike, Papa Françesku e hapi sot me këto fjalë udhën sinodale, në të cilën janë përfshirë të gjitha dioqezat e botës. Me meshën e kremtuar nesër në Bazilikën e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë do ta përurojë Sinodin zyrtarisht.

Siç na kërkon Jezu Krishti, vuri në dukje Papa, që në fillim të fjalës së tij të sotme (9 tetor) në Sallën e Sinodit, në Vatikan, të gjithë, besimtarë e barinj të Kishës, janë të thirrur në bashkim e vëllazërim, të përqafuar nga e njëjta dashuri e Zotit. Ati i Shenjtë e vijoi reflektimin e tij, duke u bazuar në një sërë treshe fjalësh. Përsa i përket Sinodit, fjalët kyçe janë: bashkim, pjesëmarrje e mision.

Bashkim, pjesëmarrje e mision

Kisha është bashkim e mision, theksoi Papa, duke kujtuar Koncilin II të Vatikanit e fjalët e Shën Palit VI, i cili, në një nga përvjetorët e hapjes së tij, në vitin 1970, pati sqaruar mirë kuptimin e këtyre fjalëve: bashkimi s’është tjetër veçse kohezioni e plotësia shpirtërore, në Hirin e Tënzot, në të vërtetën e në bashkëpunimin, ndërsa misioni është impenjimi apostolik, që i çon të krishterët drejt botës bashkëkohore.

Për fjalën e tretë, “pjesëmarrjen”, Papa Françesku përmendi shenjtin tjetër të madh, Papën polak Gjon Pali II. “Bashkimi dhe misioni – tha ai – ka rrezik të mbeten terma disi abstrakte, nëse nuk kultivohet një praktikë kishtare, që shpreh konkretësinë e sinodalitetit në çdo hap të udhës e konkretësinë e veprimit, duke promovuar përfshirjen e vërtetë të të gjithëve e të secilit. Dua të them – nënvizoi Papa Françesku – se kremtimi i një Sinodi është gjithnjë i bukur dhe i rëndësishëm, por është vërtet i frytshëm, vetëm nëse bëhet shprehje e gjallë e të qenit Kishë, e një veprimtarie të karakterizuar nga pjesëmarrja e vërtetë”.

Pagëzimi, baza e pjesëmarrjes së Popullit të Zotit

Ati i Shenjtë Bergoglio e sheh pjesëmarrjen e besimtarëve në udhën sinodale si rrjedhojë të pagëzimit të tyre të përbashkët në Krishtin. “Nëse mungon pjesëmarrja reale e gjithë Popullit të Zotit, - theksoi Papa - fjalimet mbi bashkimin ka rrezik të mbeten veç ndjete të mira. Në këtë aspekt, kemi bërë disa hapa përpara, por akoma kemi vështirësi e shihen qartë mundimet e veprimtarëve baritorë, të organizmave për pjesëmarrjen në dioqeza dhe famulli, të grave, që shpesh janë ende të mënjanuara. Të gjithë duhet të marrin pjesë: ky është angazhim kishtar, nga i cili s’mund të heqim dorë!”

Tre rreziqet e Sinodit: formalizmi, intelektualizmi, palëvizshmëria

Papa nuk mungoi të vërë në dukje edhe rreziqet, që e kërcënojnë udhën sinodale të sapofilluar. Sipas tij, janë tre: formalizmi, intelektualizmi e palëvizshmëria. “Nëse flasim për një Kishë sinodale – pohoi Françesku - nuk mund të kënaqemi me formën, por kemi nevojë edhe për substancën, për mjete e struktura, që favorizojnë dialogun dhe ndërveprimin në gjirin e Popullit të Zotit, veçanërisht ndërmjet meshtarëve dhe laikëve”. Pastaj, vijoi ai, duhet pasur parasysh se Sinodi nuk është grup studimesh abstrakte për të këqiat e Kishës e të botës, por jetë konkrete e bashkësive të krishtera të të gjithë globit. Së treti, rreziku për të mos bërë asgjë, ose për t’i bërë gjërat si gjithnjë. Kështu, theksoi Ati i Shenjtë, “përshtaten zgjidhje të vjetra për probleme të reja: një arnë me stof të keq, që, në fund të fundit, krijon një çarje edhe më të madhe”.

Tri mundësitë

Papa kërkoi që Sinodi të përjetohet si rast takimi, dëgjimi dhe reflektimi, si kohë hiri, e cila i jep Kishës së paku tri mundësi. “E para – nënvizoi Bergoglio - është të nisemi jo rastësisht, por në mënyrë të strukturuar drejt një Kishe sinodale: një vend i hapur, ku të gjithë të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe të marrin pjesë. Pastaj, Sinodi na jep mundësinë të bëhemi Kishë e dëgjimit: të bëjmë një pauzë nga ritmi ynë i zakonshëm, t’i mënjanojmë për një çast shqetësimet tona baritore për t’u ndaluar e për të dëgjuar” zërat, që vijnë nga realitetet lokale. “Së fundi, kemi mundësinë të bëhemi një Kishë e afërsisë, e cila, jo vetëm me fjalë, por edhe me praninë e saj, krijon lidhje më të thella miqësie me shoqërinë dhe botën”, duke u kujdesur për plagët e saj e duke i shëruar me balsamin e Zotit.

Këto, dëshirat e Papës Françesku për Sinodin, që filloi sivjet në të gjitha dioqezat, për të vijuar tre vite me radhë e për të përfunduar në Vatikan, pasi të ketë mbledhur opinione e propozime nga krejt Kisha Katolike, në një udhë të vërtetë sinodale. “Qoftë ky Sinod një periudhë e banuar nga Shpirti Shenjt!” u lut Papa, në përfundim të reflektimit të tij. Të dielën e ardhshme, më 17 tetor, çdo ipeshkëv do të hapë Sinodin në dioqezën e vet.

09 tetor 2021, 10:22