Kërko

Mesha e përurimit të Sinodit Mesha e përurimit të Sinodit

Papa Françesku: Sinodi s’është konferencë kishtare, por ngjarje hiri hyjnor

Në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku përuroi sot, me një meshë, Asamblenë XVI të Përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve. I ftoi të gjithë të vihen në dëgjim për t’u takuar me Zotin e me të tjerët, pa e izoluar zemrën, pa u blinduar pas sigurive

R.SH. - Vatikan

“Të kremtosh Sinodin do të thotë të ecësh në të njëjtën rrugë, së bashku. Të takojmë, të dëgjojmë, të shoshisim: këto janë tri foljet e Sinodit”. Kështu pohoi Papa Françesku sot paradite (10 tetor), në homelinë e mbajtur gjatë meshës në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, me të cilën përuroi Asamblenë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve. Ati i Shenjtë reflektoi mbi Ungjillin e sotëm, marrë nga shën Marku, ku flitet për të pasurin, të cilit Jezu Krishti i tha të shiste gjithçka kishte e t’ua jepte të varfërve e më pas, ta ndiqte. Por i pasuri nuk deshi e Biri i Zotit nënvizoi sa e vështirë është për njerëz si ai të hyjnë në Mbretërinë e Qiellit.

Të bëhemi ekspertë në artin e takimit

 “Zoti - vërejti Papa - nuk është larg nesh. Është i gatshëm për takim. Asgjë s’e lë indiferent, gjithçka e apasionon. Edhe ne, që po nisim këtë udhëtim, jemi të thirrur të bëhemi ekspertë në artin e takimit. Jo në organizimin e ngjarjeve, ose në reflektimet teorike mbi problemet, por sidomos në gjetjen e kohës për të takuar Zotin dhe për të favorizuar takimin ndërmjet nesh. Kohë për t’i dhënë hapësirë ​​lutjes, adhurimit - që e neglizhojmë - asaj që Shpirti Shenjt dëshiron t’i thotë Kishës; kohë, për t’u kthyer kah fytyra e fjala e tjetrit, për t’u takuar sy më sy, për t’u prekur nga pyetjet e motrave dhe vëllezërve, për ta ndihmuar njëri-tjetrin që larmia e karizmave, thirrjeve dhe shërbesave të na pasurojë”.

Pa formalizma, pa shtirje, pa makijazh

 “Çdo takim – vijoi Papa në homelinë e meshës - kërkon hapje, guxim, gatishmëri për ta lejuar fytyrën dhe historinë e tjetrit të na flasë. Ndërsa, nganjëherë, parapëlqejmë të fshihemi pas marrëdhënieve zyrtare, ose të mbajmë maskat e rastit - frymën klerikale, si të ishim oborrtarë - takimi na ndryshon dhe shpesh na sugjeron rrugë të reja, që nuk i kemi menduar më parë. Shumë herë, pikërisht në këtë mënyrë, Zoti na tregon udhët për t’u ndjekur, duke na bërë të dalim nga rutina e zakonshme. Gjithçka ndryshon kur jemi të aftë për takime të vërteta me Të dhe me njëri-tjetrin. Pa formalizma, pa shtirje, pa makijazh”.

Të dëgjojmë me zemër e jo vetëm me veshë

“Takimi i vërtetë - vazhdoi Papa duke analizuar foljen ‘të dëgjojmë’ - vjen vetëm nga dëgjimi. Jezusi nuk ofron zgjidhje të paracaktuara. Jezusi nuk ka frikë të dëgjojë me zemër e jo vetëm me veshë. Kur dëgjojmë me zemër, ndodh kjo: tjetri ndihet i mirëpritur, nuk gjykohet, është i lirë të tregojë përvojën dhe rrugën shpirtërore të tij. Të kremtosh Sinodin do të thotë të vihemi për udhë së bashku me Fjalën e mishëruar: do të thotë të ndjekim hapat e [Jezusit], duke ia dëgjuar Fjalën, së bashku me fjalët e të tjerëve. E të zbulojmë të mahnitur se Shpirti Shenjt fryn gjithmonë aty ku s’e presim, për të sugjeruar shtigje dhe gjuhë të reja. Ushtrim i ngadalshëm ky, ndoshta i lodhshëm, për të mësuar si ta dëgjojmë njëri-tjetrin – ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e laikë - duke shmangur përgjigjet artificiale dhe sipërfaqësore. Shpirti Shenjt – theksoi Papa - na kërkon t’i dëgjojmë pyetjet, shqetësimet, shpresat e çdo Kishe, të çdo populli dhe të çdo kombi. E të dëgjojmë edhe botën, me sfidat dhe ndryshimet, që na paraqet. Të mos e izolojmë zemrën, të mos blindohemi në siguritë tona. Shpesh, siguritë na mbyllin në vetvete. Ta dëgjojmë njëri-tjetrin”.

Ungjilli na ndihmon në shoshitje

Folja e tretë dhe e fundit e reflektimit të Papës gjatë homelisë së meshës për përurimin e Sinodit, ka të bëjë me shoshitjen. “Takimi dhe dëgjimi i ndërsjellë - shpjegoi Ati i Shenjtë - nuk janë qëllim në vetvete. Sinodi është udhë e shoshitjes shpirtërore e kishtare, që bëhet përmes adhurimit, lutjes, kontaktit me Fjalën e Zotit”. Është Ungjilli që na ndihmon t’i shoshisim punët e na shdrit për të përcaktuar hapat e tjera. “Ai e orienton Sinodin që të mos kthehet në samit kishtar, në konferencë studimi, në kongres politik, ose në parlament, por të jetë ngjarje hiri hyjnor, proces shërimi i udhëhequr nga Shpirti Shenjt”, e përfundoi homelinë Papa Françesku.

Sinod me të gjithë Popullin e Zotit

  Së fundi, një grup prej 25 vetësh, në përfaqësim të Popullit të Zotit në të gjitha kontinentet, iu afruan altarit të rrëfimit. Përbëhej nga një njeri gati i verbër dhe shoqëruesi i tij; dy rregulltarë, dy të rinj të baritorisë rinore, një familje kongoleze me dy fëmijë, që jeton në Romë; një diakon i përhershëm me gruan dhe dy fëmijët e tij; një i ri nga bashkësia rumune e ritit latin dhe një nga bashkësia indiane e ritit siro-malabarez; një kapelan libanez maronit, dy të fejuar dhe dy çifte të tjera, një meshtar i ri. Kështu filloi ky Sinod, që do të zgjasë 3 vite e që, për herë të parë, do të fillojë me këshillimin në çdo dioqezë. Pikërisht të dielën e ardhshme, ipeshkvijtë e gjithë botës, do të kremtojnë meshën e përurimit në dioqezat përkatëse.

10 tetor 2021, 12:00