Kërko

Françesku: në Hungari një popull me rrënjë të forta u thirr për të ndërtuar ura

Papa Françesku ia kushtoi katekizmin e audiencës të kësaj së mërkureje vizitës së tij në Budapest, përfunduar më 30 prill. Përsëriti mirënjohjen për ata që e pritën dhe për hungarezët, që i quajti guximtarë dhe të pasur në kujtesë. I nxiti edhe të jenë besnikë të së kaluarës, të fesë së dëshmuar nga kaq shumë shenjtorë, të angazhimit për të mirëpritur kaq shumë refugjatë nga Ukraina fqinje dhe për t'u kujdesur për mjedisin

R.SH. - Vatikan

Si zakonisht, të mërkurën, pas kthimit nga shtegtimi apostolik, Papa Françesku ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme rikujtimit të etapave kryesore të vizitës të sapopërfunduar. Çka jetoi, e përmblodhi në kujtimet që i la ky shtegtim i pritur prej kohe. Kujtime ngarkuar me ngjarje e pamje të paharrueshme. Dy, kryesore: rrënjët dhe urat. Duke folur për rrënjët, Papa theksoi:

“Shkova shtegtar pranë një populli, historia e të cilit - siç na e kujton Shën Gjon Pali II - pati ‘një mori shenjtorësh e heronjsh, të rrethuar nga aradhe njerëzish të përvuajtur e punëtorë’. Është  e vërtetë: pashë kaq shumë njerëz të thjeshtë dhe punëtorë, që e ruajnë me krenari lidhjen me rrënjët e tyre”.

Fe e vënë në provë

Ndërmjet këtyre rrënjëve, themelore, figurat e shenjtorëve të së kaluarës, që dhanë jetën për popullin, shenjtorë, që e dëshmuan Ungjillin e dashurisë, shenjtorë, që ishin dritë në kohë terrinash.

Këtë pohoi me forcë  Papa, sepse historia e këtij vendi u pushtua nga errësira e, gjatë persekutimit ateist të viteve 1900, feja u vu në provë e të krishterët "të goditur mizorisht, me ipeshkvij, priftërinj, besimtarë dhe laikë, u vranë a humbën lirinë":

“Por ndërsa bëheshin përpjekje për ta prerë rrapin madhështor të fesë, rrënjët e tij mbetën të paprekura: Kisha e nëndheshme mbeti e palëkundur, me një mori klerikësh të shuguruar fshehurazi, që e dëshmonin Ungjillin duke punuar në fabrika, ndërsa gjyshet ungjillëzonin fshehtësisht. Në Hungari, kësaj shtypjeje komuniste i parapriu ajo naziste, me dëbimin tragjik të një popullsie të madhe hebreje. Por në këtë gjenocid mizor shumë u dalluan për rezistencën dhe aftësinë e tyre në mbrojtjen e viktimave, e kjo ishte e mundur sepse rrënjët e të jetuarit së bashku  shtriheshin thellë në këto troje”.

Gëzuar ditëlindjen, Edith!

Më pas, duke folur për shtypjen e ushtruar nga nazizmi në vend, Papa kujtoi edhe poeten hungareze Edith Bruck, me të cilën e lidh një miqësi e fortë e, duke u shkëputur nga teksti i shkruar, theksoi:

“Ne në Romë kemi një poeteshë të mirë hungareze, e cila ka kaluar nëpër të gjitha këto sprova ndaj u kujton të rinjve nevojën për të luftuar për një ideal, për të mos u mposhtur nga persekutimi, nga çkurajimi. Kjo poete sot mbush 92 vjeç. E gëzofsh ditëlindjen, Edith. Për shumë mot!”.

Të mendosh vetëm për veten i than rrënjët

Më pas liria u kthye - vërejti Papa - po sot kërcënohet sërish. E, këtë herë, nga konsumizmi, nga kënaqja vetëm me mirëqenien materiale. Por kur e vetmja gjë që ka rëndësi është të mendosh për veten dhe të bësh atë që të pëlqen - komentoi Françesku - rrënjët thahen e druri shembet:

“Është problem që ka të bëjë me të gjithë Evropën, ku përkushtimi ndaj të tjerëve, ndjenja e bashkësisë, bukuria e të ëndrruarit së bashku dhe e krijimit të familjeve të mëdha, janë në krizë. Të mendojmë, pastaj, për rëndësinë e ruajtjes së rrënjëve, sepse vetëm duke shkuar thellë poshtë, degët do të rriten lart dhe do të japin fryte. Ta pyesim veten: cilat janë rrënjët më të rëndësishme të jetës sime? A i mbaj mend, a kujdesem për to?”.

Evropa, e thirrur për të ndërtuar ura paqeje

Pastaj, figura e dytë - urat. Papa kujtoi se qyteti i Budapestit është i famshëm për urat e shumta që bashkojnë udhët. E kjo i rikujtoi, veçanërisht në takimet me autoritetet, “rëndësinë e ndërtimit të urave të paqes ndërmjet popujve”:

“Është, veçanërisht, thirrja drejtuar Evropës, e quajtur "urë e paqes", për të sheshuar dallimet dhe për të mirëpritur këdo që troket në dyert e saj. Sa e bukur, në këtë kuptim, ura humanitare e krijuar për kaq shumë refugjatë nga Ukraina fqinje, të cilët munda t’i takoj, duke admiruar gjithashtu rrjetin e madh të bamirësisë së Kishës hungareze”.

Papa në audiencën e përgjithshme
Papa në audiencën e përgjithshme

Angazhimi i Kishës për bashkimin e besimtarëve

Vijoi të flasë për urat, Françesku, duke kujtuar se Hungaria “vijon të ndërtojë ura për të nesërmen”. E këtë e bën duke u kujdesur për mjedisin, për një të ardhme të qëndrueshme dhe për marrëdhëniet ndërmjet brezave. E, përsa i përket Kishës Hungareze, Papa nënvizoi angazhimin për të ndërtuar ura ndërmjet besimtarëve dhe shteteve:

“Në Meshën e së dielës ishin të pranishëmn të krishterë të riteve dhe vendeve të ndryshme e edhe të besimeve të ndryshme, të cilët punojnë mirë së bashku në Hungari. Të ndërtosh ura! Ta pyesim veten: po unë, në familjen time, në famullinë time, në bashkësinë time, në vendin tim, a jam ndërtues urash, harmonie, uniteti?”.

Devocioni i popullit hungarez për Marinë

Së fundi Papa kujtoi edhe devocionin tradicional marian të popullit hungarez, që nis qysh nga mbreti i parë, Shën Shtjefni:

“Mbretëreshës së Hungarisë - përfundoi Papa Françesku - po ia besojmë këtë vend të dashur”. Asaj ia besojmë edhe “ndërtimin e urave në botë (...)e edhe  zemrat tona, që t’i shtrijnë rrënjët në dashurinë e Zotit”.

03 maj 2023, 12:02

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >