Kërko

Papa përshëndet Sllovakinë: “Ju kam të gjithëve në zemër”

Papa Françesku e përfundon udhëtimin e tij apostolik me meshën në shenjtëroren e Šaštín, në solemnitetin e Zojës së Shtatë Dhimbjeve, pajtore e Sllovakisë. Të pranishëm, rreth 60 mijë besimtarë. Në homeli, bën thirrje: “Mos e reduktoni fenë në sheqer, që ëmbëlson jetën. Para Jezusit nuk mund të jemi të vakët”, me dy fytyra. Papa i fton katolikët të jenë gjithnjë për udhë: “Kur Kisha ndalet, sëmuret”. Pastaj, lamtumira: “Ju kam të gjithëve në zemër”

R.SH. - Vatikan

Me Meshën e kremtuar në Shenjtëroren Kombëtare të Šaštin, e cila njihet me emrin “Bazilika e Shtatë Dhimbjeve të Virgjërës Mari”, që në gjuhën shqipe përkon me titullin “Zoja me shtatë hanxharë”, shtegtimi i Papës Françesku në Sllovaki arriti kulmin e edhe përfundimin. Ishte në gjirin e popullit sllovak, pikërisht në ditën kur Kisha kremtonte Festën e Pajtores, në një Shenjtërore, që vjen në kohët tona që nga viti i largët 1564.

Zemra e saj është shtatorja e mrekullueshme e Zojës së Dhimbshme, para së cilës gjunjëzohen e kërkojnë hire pikërisht ata, që janë të pushtuar nga dhimbjet e të “shporuar nga hanxharët e jetës”.  E sot aty u gjunjëzua Papa, që mbart mbi vete të gjitha dhimbjet e gëzimet e botës. Shprehur edhe në homelinë e mbajtur në Meshë, duke i ftuar besimtarët e panumërt në kundrimin e Marisë, të cilën e quajti “model i fesë”. Për ta mbështetur, më pas, gjithë homelinë mbi tri karakteristikat kryesore të kësaj feje: udha, profecia, mëshira!

Papa para Zojës së Shtatë Dhimbjeve
Papa para Zojës së Shtatë Dhimbjeve

Fenë e Marisë Papa e quajti “fe, që vihet përudhë”. Vasha e Nazaretit - kujtoi - sapo e mori lajmin e Engjëllit, “u vu për udhë kah mali", për “ta vizituar e për ta ndihmuar të kushërirën, Elizabetën.

“Nuk e pa si privilegj thirrjen, që iu drejtua për të qenë Nëna e Shëlbuesit; nuk e humbi gëzimin e thjeshtë të përvujtërisë, duke menduar se lajmin e mori nga një Engjëll, nuk ndenji duke kundruar vetveten, ndërmjet katër mureve të shtëpisë së saj. E jetoi dhuratën, si mision”.

E, në Ungjillin e sotëm – kujtoi Papa – e shikojmë së bashku me Jozefin,  duke e paraqitur Foshnjën Hyjnore në Tempull. Ku dëgjon profecinë e Simeonit: “Ai është për shkatërrimin e ringjalljen e shumkujt në Izrael. E edhe ty një shpatë do të ta shporojë zemrën!” Nis, kështu, një rrugë që  do ta çojë gjithë jetën pas të Birit, si dishepulle e parë e Tij. Deri në Kalvar. Deri te këmbët e kryqit. Ecën. Gjithnjë!

Kjo është Virgjëra - kujtoi Papa me një paralelizëm prekës - është model i fesë së popullit sllovak; fe që vihet për udhë, e frymëzuar gjithnjë nga devocioni i thjeshtë e i sinqertë, gjithnjë në shtegtim, në kërkim të Zotit.

Feja e Marisë, fe profetike

Në vijim Françesku u ndalua tek tipari i dytë i fesë së Marisë: fe profetike. Me vetë  jetën e saj, Vasha e Nazaretit është profeci e veprës së Zotit në histori, e veprimit të Tij të mëshirshëm, që i përmbys logjikat e botës,  duke i lartuar kryeulurit e duke i ulur kryelartit. Zoja bëhet, kështu, përfaqësuese e gjithë të “të varfërve të Jahweit”, që lartojnë zërin drejt Zotit dhe presin ardhjen e Mesisë. Maria është Bija e Sionit, e parafolur nga profetët. Ajo, që zuri në kraharor Zotin-me-ne!

Me Marinë, profecia e Izraelit arrin kulmin

Profecia e Izraelit arrin kulmin me Marinë, sepse Ajo mbart në kraharor  Zotin e bërë njeri, Jezusin  - kujtoi Papa - duke nënvizuar, më pas, se Ai do të realizonte plotësisht e përfundimisht planin e Zotit.

Të mos e harrojmë kurrë këtë - ishte porosia që ia drejtoi turmës vigane të besimtarëve sllovakë, të mbledhur në Tempullin e tyre kombëtar, si bijtë rreth Nënës së dhimbjeve:

“Nuk mund të  katandiset feja në sheqer, që ëmbëlson jetën. Jezusi është shenjë kundërshtish! Erdhi të sjellë dritën në mes të errësirës,  duke e bërë terrin të dalë haptazi e të dorëzohet. Prandaj errësira i kundërvihet gjithnjë!  Kush e pranon Krishtin e ia hap zemrën, rilind; kush e refuzon,  mbyllet në errësirë e bëhet rrënimi i vetvetes”.

Sepse Jezusi, siç ua kujtoi dishepujve, nuk erdhi të sjellë paqen, por erdhi të sjellë shpatën! Fjala e tij është si shpata me dy teha, hyn në jetën tonë dhe ndan dritën nga errësira, duke na kërkuar të zgjedhim. Para Jezusit nuk mund  ta mbathim një këmbë në dy këpucë! Ta pranosh, bëhet Ringjallje! Sepse është Ai, që të ngre gjithnjë në këmbë e të bën të rifillosh udhën:

“Për profetë të tillë ka nevojë sot Sllovakia - akualizoi Papa - për njerëz që janë endës të dialogut, atje ku qëndrimet ashpërsohen; njerëz, që e bëjnë të shkëlqejë jetën vëllazërore, atje ku shoqëria shpesh herë ndahet e bëhet armiqësore; që përhapin aromën e mikpritjes e të solidaritetit, atje ku  kanë epërsi egoizmat personale e kolektive; që e mbrojnë dhe e ruajnë jetën, atje ku mbretëron logjika e vdekjes”.

Maria, Nënë e Dhimbshme

Së fundi - kujtoi Papa - Maria është Nëna e Dhimbshme. Feja e saj është  e mëshirshme. Jo më kot e quajti veten “Shërbëtorja e Zotit”. Me kujdesin e saj amtar, u kujdesua të mos mungonte vera në dasmën e Kanës dhe e ndau bashkë me të Birin misionin e shëlbimit, deri tek këmbët e Kryqit. Aty e kuptoi edhe profecinë e Simeonit. “Edhe ty shpata do të ta shporojë shpirtin”. Maria, me shpirtin e shporuar, Nëna  e dhimbshme, që mbledh lotët tonë, është njëkohësisht edhe Nëna që ngushëllon, duke na treguar, në Krishtin, fitoren përfundimtare.

Zoja e Dhimbshme është nën kryq

Zoja e Dhimbshme është nën kryq. “Nuk ikën. Nuk mundohet ta shpëtojë vetveten! Nuk përdor dredhitë njerëzore e anestizantët shpirtëror për të shpëtuar nga dhimbja. Kjo është prova e dhimbjes: të qëndrojë nën kryq! Me fytyrën e lagur nga lotët, por me fenë  e  asaj, që e di se përmes të Birit, Zoti e shndërron dhimbjen dhe fiton mbi vdekjen”.

Në përfundim të homelisë, porosia e Papës:

“Edhe ne, duke e parë Zojën e Dhimbshme, t’i hapin zemrat për fenë që bëhet  dhembshuri, që bëhet jetë për të plagosurin: për njeriun që vuan: atë, që detyrohet të mbartë kryqe të rënda përmbi shpatulla. Një fe, që nuk mbetet abstrakte, por që na bën solidarë me nevojtarin. Kjo fe, me stilin e Zotit, përvujtërisht e pa zhurmë, e lehtëson dhimbjen e botës duke i vaditur me shëlbim brazdat e historisë”.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Erdhi koha për t’u largua nga vendi juaj. Në këtë kremtim Eukaristik falënderova Zotin që më dha rastin pёr ardhur nё mesin tuaj; e për të përfunduar shtegtimin tim në përqafimin e devotshëm të popullit tuaj, duke kremtuar së bashku festën e madhe fetare dhe kombëtare të Pajtores qiellore, Virgjërës Mari të Dhimbshme.

Ju falënderoj përzemërsisht, vëllezër të dashur Ipeshkvij, për të gjithë përgatitjen dhe pritjen. I rinovoj mirënjohjen Presidentes së Republikës dhe autoriteteve civile. Unë jam mirënjohës  të gjithë atyre që bashkëpunuan në mënyra të ndryshme, veçanërisht me lutjet e tyre. Dhe me kёnaqёsi  përshëndes edhe njё herё Anëtarët dhe Vëzhguesit e Këshillit Ekumenik të Kishave që na nderojnë me praninë e tyre.

Ju kam të gjithëve në zemër. Ju faleminderit të gjithëve!

Me kёto fjala, shqiptuar nё pёrfundim tё Meshёs nё Shenjtoren e Zojёs sё Dhidhshme nё Shashtin (Sastin), Papa Françesku e mbylli shtegtimin e tij tё 34-tё apostolik ndёrkombёtar nё Sllovaki.

15 shtator 2021, 12:33