Kërko

Vatican News

Šaštín, Bazilika e Shtatë Dhimbjeve: vend feje, përtej totalitarizmit

Dita e fundit e Papës Françesku në Sllovaki zhvillohet kryesisht në shenjtëroren kombëtare mariane në Šaštín, vend shtegtimi prej shekujsh. Por cila është historia e këtij vendi kulti, kushtuar Pajtores së Sllovakisë, Zojës së Shtatë Dhimbjeve, aq të dashur për sllovakët? E cili është kontributi në rënien e komunizmit?

R.SH. - Vatikan

Jemi në mesin e shekullit XVI. Angelika Bakičová, gruaja e kontit Imrich Czobor, zot i territorit të Šaštín, kërkon me dëshpërim ndërmjetësimin e Virgjërës Mari që burri i saj, tejet inatçor, të ndryshojë qëndrim. Lutja e saj dëgjohet e gruaja porosit një shtatore prej druri dardhe, që pasqyron Zonjën e Dhimbshme me të birin, Jezusin pa jetë, të shtrirë mbi gjunjët e saj. Shtatorja u vendos në një kapelë të vogël, ku besimtarët filluan të shkonin për t’u lutur. Kështu, në qendër të historisë së këtij vendi shenjt, është hiri i Tënzot për shpëtimin e një familjeje.

         E pikërisht për këtë ndjet shkojnë shumë e shumë njerëz në këtë shenjtërore, vend ku kanë ndodhur e ndodhin edhe shërime të mrekullueshme, studiuar nga një komision i veçantë. Shtatorja iu dha fillimisht famullitarit të Šaštín e pastaj, i kaloi Urdhërit të Shën Palit Eremiti i Parë.

Kushtimi i shenjtërores në vitin 1762

Ndërtimi i kishës në këtë vend filloi në vitin 1736 dhe realizimi i saj u arrit falë ofertave të perandoreshës Maria Tereza e Austrisë, e cila ishte e pranishme së bashku me të shoqin Françesku I në shugurimin e vitit 1762. Më 1786, perandori Jozef II mbyll Urdhrin e Shën Palit Eremiti i Parë dhe kisha kaloi sërish nën administrimin e famullitarit të Šaštín. Në vitin 2017, pas 231vitesh, në bazilikë kthehet edhe një herë Urdhri i Shën Palit Eremiti i Parë. Gjatë shekujve, bazilika është zbukuruar dhe restauruar disa herë, madje, edhe kohët e fundit. Afresket e saj datojnë në vitin 1757, me autor Jean Joseph Chamant.

Vëmendja e Papëve

Vëmendja e Papëve për shtatoren e Zojës së Dhimbshme ka qenë gjithnjë e madhe. Më 8 shtator 1864, kryepeshkopi i Esztergom, kardinali Jan Scitovský, e kurorëzoi atë me kurorë ari, shuguruar nga Papa Piu IX. Në vitin 1927, po Piu IX, me dekretin “Celebre apud Slovaccham gentem”, e shpalli Virgjërën e Shtatë Dhimbjeve pajtore të Sllovakisë, ndërsa Papa Pali VI, me dekretin “Quam pulchra” të vitit 1964, e ngriti kishën në rangun e bazilikës së vogël. Në këtë shenjtërore ka ardhur për vizitë shenjtja shqiptare e bamirësisë, Nënë Tereza, ndërsa Papa polak Gjon Pali II, edhe ai shenjt, kremtoi meshën në vitin 1995, gjatë shtegtimit të tij apostolik në Sllovaki. Atëherë, pati thënë:

“Provania Hyjnore ka dashur që pikërisht kjo të jetë shenjtërorja mariane e popullit tuaj, tempulli në të cilin shkon për shtegtim e gjithë Sllovakia. Këtu, bashkatdhetarët tuaj kanë kërkuar ngushëllim për jetën e tyre jo të lehtë, sidomos në periudhat më të vuajtura”.

Pllaka përkujtimore e vizitës së shën Gjon Palit II në Sastin
Pllaka përkujtimore e vizitës së shën Gjon Palit II në Sastin

Shenjtërore përtej totalitarizmit komunist

         Besimtarët sllovakë kanë shkuar në shtegtim në shenjtëroren e Zojës së Shtatë Dhimbjeve edhe gjatë komunizmit, megjithëse regjimi totalitar ishte kundër e mundohej t’i pengonte me çdo mënyrë. Por nuk ia arriti. Aty, katolikët mblidheshin në lutje, përforconin fenë, por edhe mendonin si ta çlironin vendin nga komunizmi. Aty, organizoheshin shtegtime gjatë natës, pasi udhëheqësit e grupeve nuk mund të dilnin publikisht në krye të tyre. Aty, u krijua gati një lëvizje të rinjsh katolikë, që më pas, u bë forca kryesore për t’iu kundërvënë totalitarizmit. Kujtohet, për shembull, protesta paqësore e katolikëve në Bratislavë, në vitin 1988, në sheshin Hviezdoslav, me qirinj e me këngë kishtare, duke alternuar heshtjen me lutjen: një ushtri e çaramatosur para tankeve të forcave policore, të cilat, gjithsesi, i sulmuan besimtarët në lutje. Që nga vitet ’80, vit pas viti, shenjtërorja mblidhte të rinjtë, që të shoqëruar nga meshtarët e murgeshat, përgatitën rizgjimin e shoqërisë.

Forca e Ungjillit

         “Kombi ynë – shpjegon atë Jozef Bartkovjak, përgjegjësi i programit sllovak të Radio Vatikanit – është shumë paqësor, me forcën e Ungjillit u mund një regjim i dhunshëm totalitar e, ishte pikërisht lutja në këtë shenjtërore që u dha guxim njerëzve”. Vetëm pjesëmarrja në shtegtimin drejt Zojës së Shtatë Dhimbjeve në Šaštín ishte akt tejet guximtar, pasi kudo kishte spiunë të policisë sekrete, që fotografonin njerëzit e të nesërmen, ose pas një jave, i merrnin në pyetje. Prandaj, kushdo merrte pjesë, e dinte ç’e priste, e dinte se mund ta përjashtonin nga shkolla, ose nga puna e megjithatë, e kalonte në shenjtërore gjithë natën, me lutje e me këngë. Rregulla e regjimit i ndalonte veprimtaritë kishtare jashtë kishave, por njerëzit mund të mblidheshin brenda tyre, ashtu siç bënin të rinjtë në shenjtërore. Thirrjet e lindura në Šaštín, shpjegon atë Bartkovjak, janë shumë të qëndrueshme e kjo u duk qartë pas 20 vitesh, me rënien e komunizmit.

15 shtator 2021, 12:00