Kërko

Papa, të rinjve të “Economy of Francesco”: masa e zhvillimit është humaniteti

Përfundoi me videomesazhin e Papës, ngjarja ndërkombëtare e dëshiruar prej tij, me pjesëmarrjen e të rinjve ekonomistë dhe sipërmarrës nga 115 vende të botës, për tri ditë, në konferenca e debate në internet. “Të dashur të rinj – u tha Papa - sot jemi para mundësisë për të qenë samaritanë të mirë” e vëllezër

R.SH. - Vatikan

Përfundoi sot, në lidhje të drejtpërdrejtë në internet nga Asizi, takimi ndërkombëtar “The Economy of Francesco” (Ekonomia e Françeskut), dëshiruar e nxitur nga vetë Papa, i cili synon të përvijohet një ekonomi e së ardhmes mbi baza më solidare. Ati i Shenjtë i mbylli tri ditët e konferencave e të debateve mbi paradigmën e re ekonomike botërore me një videomesazh, ku thekson se takimi është vetëm pikënisja e një procesi, që do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në ngjarjen ndërkombëtare, e cila nuk u zhvillua në mars, për shkak të pandemisë, por u hap më 19 nëntor në Asizi, morën pjesë rreth 2 mijë ekonomistë dhe afaristë të rinj, që së bashku me ekspertë të fushës, diskutuan e rrahën mendime si mund të ndryshohet ekonomia, në mënyrë që ajo të jetë më gjithëpërfshirëse e ta përmirësojë botën e njeriun.

Thirrja e Asizit

Papa u kujtoi se sistemi aktual ekonomik është i paqëndrueshëm, pasi zhvillimi ka shkaktuar edhe prishjen e tokës e të ambientit, në përgjithësi. Kjo sjell varfërimin e mëtejshëm të nevojtarëve dhe të të përjashtuarve nga shoqëria. Gjendja është keqësuar nga pandemia e Covid-19, e cila, më shumë se kurrë, i ka bërë njerëzit të kuptojnë se “pasojat e veprimeve dhe të vendimeve tona – siç u tha Papa të rinjve në videomesazh – do t’ju prekin personalisht, prandaj nuk mund të mbeteni jashtë nga vendet ku lind, nuk po them e ardhmja, por e tashmja juaj… Përndryshe historia do t’ju kalojë sipër”.

Një kulturë e re

 Asizi u zgjodh pikërisht sepse aty shën Françesku u zhvesh nga çdo pasuri tokësore, duke përuruar një mendësi të re ekonomike. Papa përmendi parardhësin e tij, Benediktin XVI, i cili nënvizon se “uria nuk varet aq nga mungesat materiale, sesa nga mungesat e burimeve shoqërore”. Duhet krijuar një kulturë e re ekonomike, duke ndryshuar stilin e jetesës, modelet e prodhimit e të konsumit, strukturat e pushtetit, mbi të cilat bazohet shoqëria. “Kemi nevojë – iu drejtua Papa Françesku të rinjve – për grupe drejtuesish të bashkësive e të institucioneve, që marrin përsipër problemet, pa u kapur në kurth prej tyre e prej pakënaqësive personale, për të sfiduar kështu, nënshtrimin – shpesh të pavetëdijshëm – ndaj disa logjikave (ideologjike), që justifikojnë e paralizojnë çdo veprim para padrejtësive”. Duhet pranuar, nënvizon Ati i Shenjtë në videomesazh, se të varfërit kanë dinjitetin e duhur për t’u ulur në takimet, ku vendoset për fatin e tyre; se janë në gjendje të marrin pjesë në diskutime e ta fitojnë vetë bukën e gojës. E kjo shkon përtej asistencializmit.

Pakti i Asizit

Modeli i ardhshëm ekonomik, për zhvillimin e botës, kërkon Papa Françesku, duhet t’u sjellë përfitime të gjithëve, siç mëson doktrina shoqërore e Kishës. “Sistemet e bazuara mbi kreditë, të vetme, - vëren Ati i Shenjtë në videomesazh - janë udhë drejt varfërisë dhe varësisë”. Ato duhen shoqëruar me atë solidaritet ndërkombëtar, “që njeh dhe respekton ndërvarësinë e kombeve dhe favorizon mekanizma kontrolli, të cilat shmangin çdo lloj nënshtrimi”, duke u kujdesur për promovimin e vendeve më pak të zhvilluara e duke e nxitur çdo popull të bëhet arkitekt i fateve të tij. “Nuk mjafton të shtohet pasuria e përbashkët, për ta shpërndarë atë në mënyrë të barabartë – pohoi Papa – e, nuk mjafton të promovohet teknika që toka të bëhet me e banueshme nga njerzit”. Humaniteti është masa e zhvillimit. E “masa e humanitetit – theksoi Françesku në videomesazh – përcaktohet kryesisht në marrëdhëniet me vuajtjen dhe me të vuajturin. Kjo e mat humanitetin. E kjo vlen si për individin, ashtu edhe për shoqërinë. Masë, që duhet mishëruar edhe në vendimet e në modelet tona ekonomike”.

Të dashur të rinj, mos zgjidhni udhë të lehta

         Fjalët përfundimtare të videomesazhit të Papës për pjesëmarrësit e Takimit “Ekonomia e Françeskut”, kanë shijen e lutjes së përgjëruar: “Sot – u tha Ati i Shenjtë të rinjve – kemi mundësinë për të shprehur faktin se jemi vëllezër, për të qenë samaritanë të mirë, të cilët marrin përsipër dhimbjen e dështimeve, në vend që të nxisin urrejtje e inate. Po përgatitet një e ardhme e paparashikueshme; secili prej jush, duke filluar nga vendi ku punohet e merren vendime, mund të bëjë shumë; mos zgjidhni rrugë të lehta, të cilat ju joshin dhe nuk ju lejojnë të përfshiheni për t’u bërë tharm, aty ku ndodheni. Jo rrugë të lehta, tharm: ndotini duart. Sapo të kalojë kriza shëndetësore aktuale, reagimi më i keq do të ishte të bini edhe më tej në konsumizmin e ethshëm dhe në format e reja të vetëmbrojtjes egoiste. Mos harroni, nga kriza nuk dalim kurrë njëlloj: dalim më mirë, ose më keq. Le të zhvillojmë çka është e mirë, ta shfrytëzojmë rastin dhe të vihemi të gjithë në shërbim të së mirës së përbashkët. Dashtë Zoti që në fund, të mos ketë më ‘të tjerët’, por të mësojmë një mënyrë jetese” për të thënë “ne”.

21 nëntor 2020, 17:32