Kërko

Prof. Luigino Bruni Prof. Luigino Bruni

“The Economy of Francesco”, Bruni: tashmë, është lëvizje botërore

Luigino Bruni, drejtori shkencor i takimit ndërkombëtar të ekonomistëve dhe të sipërmarrësve të rinj, tregon rezultatet e nëntë muajve të punës përgatitore, pavarësisht nga shtyrja e shkaktuar prej pandemisë. “Nga takimi - shpjegon ai - shpresoj të lindë një ekonomi e aftë të marrë parasysh cilësinë e rritjes dhe të investojë në përshpirtëri”.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku pati folur edhe gjatë valës së parë të pandemisë së koronavirusit, në ciklin e katekizmit, kushtuar nevojës për ta “Shëruar botën” nga pabarazitë, që kriza shëndetësore i vuri më tepër në dukje. Virusi është prodhim i  “një ekonomie të sëmurë”. Sëmundje, që është rezultat i “zhvillimit të pabarabartë ekonomik, i cili shpërfill vlerat themelore njerëzore”. Pikërisht për të vënë në jetë një “pakt”, që duhet ta “ndryshojë ekonominë aktuale dhe t’i japë shpirt asaj të së nesërmes”, në maj 2019, Papa hodhi idenë e “Ekonomisë së Franceskut” (The Economy of Francesco), duke ftuar mijëra të rinj ekonomistë dhe afaristë në një takim ndërkombëtar për të shkëmbyer ide dhe praktika të mira.

          I anuluar e pastaj, i shtyrë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ngjarja ndërkombëtare u hap sot, 19 nëntor, me dy mijë të regjistruar on-line nga 120 vende të ndryshme të botës, në protalin francescoeconomy.org, ku do të marrë pjesë “virtualisht” edhe vetë Papa. Drejtori shkencor i “The Economy of Francesco”, Luigino Bruni, profesor i Ekonomisë Politike në Universitetin Lumsa të Romës, nga Asizi, që është qendra organizative e takimit ndërkombëtar, flet për atmosferën e “gëzimit e të shpresës” e shpjegon si mund të “rigjallërohet ekonomia”, sipas kërkesave të Atit të Shenjtë.

Ekonomi me shpirt 

          “Ta rigjallërosh ekonominë – thotë ai në mikrofonin e Radio Vatikanit – do të thotë ‘t’i japësh shpirt” asaj, sepse kjo kthesë shpirtërore është një nga temat kryesore të mësimit të Papës Françesku. Por kjo do të thotë edhe të “ringjallësh” dikë, që është i sëmurë e, - gjithnjë sipas mendimit të Papës - ekonomia sot është një i sëmurë për t’u shëruar. Pra, “ringjallja” e ekonomisë duket lojë fjalësh, por ka një kuptim të dyfishtë: t’i jepet një shpirt dhe të shërohet ekonomia e sëmurë. E, pikërisht këtë po bëjnë të rinjtë, që punuan për këtë ngjarje, me gjithë entuziazmin dhe përkushtimin e tyre. Nuk duhet të mendojmë se të rinjtë janë thjesht “entuziazëm”, ka edhe shumë, shumë përkushtim nga ana e tyre. Ky kombinim i entuziazmit dhe i përkushtimit është mbase gjëja më e bukur e punës së gjatë përgatitore”.

Zhvillimi nuk matet vetëm me shifra

          Në takimin “The Economy of Francesco”, Ati i Shenjtë shpreson të përvijohen rrugë e modele të reja zhvillimi, që respektojnë ambientin, barazinë shoqërore dhe të drejtat e punëtorëve. “Zhvillimi – pohon profesor Luigino Bruni – është një nga fjalët kyçe të këtij takimi, por ka edhe kuptim të dyfishtë, sepse jo të gjitha zhvillimet janë të mira, siç e dimë. Zhvillohen edhe tumoret, por sigurisht, ky nuk është fenomen pozitiv. Pra, mund të kemi zhvillim të mirë, si shtimi i mirëqenies, i marrëdhënieve njerëzore, i së mirës së përbashkët, por jo të gjitha zhvillimet janë pozitive në vetvete. Për shembull, në dyzet vitet e fundit, jemi zhvilluar duke shkatërruar planetin. Kur flasim për rritje, kemi gjithnjë problemin se ajo matet vetëm me shifra, me sasi, por shumë përmasa të jetës njerëzore maten me ‘cilësi’. Një koncept, që nuk bën pjesë në buxhetet kombëtare, por që është thelbësor”.

19 nëntor 2020, 10:59