Kërko

Vatican News

Shpirti i ri i ekonomisë sipas Françeskut

Filloi sot në Asizi, në lidhje virtuale, “Ekonomia e Françeskut” (The Economy of Francesco”, takimi i dëshiruar fuqimisht nga Papa, në të cilin marrin pjesë shumë sipërmarrës të rinj. Pandemia e Covid-19, e cila e shtyu ngjarjen nga marsi në nëntor, e ka bërë edhe më urgjente rimendimin e modelit ekonomik me solidaritet

R.SH. - Vatikan

Çelësi për të ardhmen është në ëndrrat e të rinjve, në vështrimin e tyre pa të keq e pa paragjykime drejt së nesërmes, që është shpresë e vërtetë, jo llogari matematikore, interesi, ose spekulimi. Këtë entuziazëm, këtë imagjinatë e krijimtari pati parasysh Papa Françesku, kur i ftoi në takimin botëror “The Economy of Francesco”, i cili filloi sot në Asizi e do të vazhdojë deri më 21 nëntor. Për shkak të pandemisë, ngjarja ka si pikë referimi qytetin e Shën Françeskut, me të cilin lidhen virutalisht rreth 2 mijë të rinj ekonomistë dhe afaristë nga i gjithë globi. Siç u shkruante në letrën e 1 majit 2019, me të cilën i ftonte në këtë takim, Papa dëshiron që ata të dëgjojnë “britmën e tokës dhe atë të të varfërve”, në mënyrë që “t’ia kthejnë shpirtin ekonomisë”. Takimi, që duhej të mbahej nga 26 deri më 28 mars të këtij viti, u shty për shkak të koronavirusit. Të rinjve të moshës nën 35 vjeç, Ati i Shenjtë u kërkon një ekonomi tjetër:

          “Atë, që na bën të jetojmë dhe nuk vret, përfshin dhe nuk përjashton, humanizon dhe nuk çnjerëzon, kujdeset për gjithësinë dhe nuk e grabit atë”.

Takimi “The Economy of Francesco” (Ekonomia e Françeskut), në ndjetin e Papës, duhet të çojë drejt një “pakti”, që e ndryshon ekonominë aktuale, për t’i dhënë një shpirt ekonomisë së nesërme, duke e bërë atë më solidare.

Njerëzim i trazuar

Thirrjes së Papës i janë përgjigjur të rinj nga e gjithë bota. Nga Guajana, ku ka njerëz, që mbrojnë të drejtat e kulturave indigjene, duke e ditur se edhe përmes tyre përparon njerëzimi; nga Afrika e Jugut, ku të rinjtë kujdesen për nevojat e të varfërve, sepse në këtë vëllazërim e ka bazën lufta kundër pabarazive; nga Uganda ku, duke investuar në mikrokredi, dikush fiton të drejtën për ta ngritur zërin e për të realizuar kështu një shoqëri më gjithëpërfshirëse, më të vëmendshme ndaj grave. E pastaj, Argjentina e Papës Françesku, me një fabrikë çokollate, që kujdeset më shumë për punëtorët sesa për fitimin.

Nga 120 vende, mbërritën më se 3 mijë kërkesa për regjistrim: studentë, doktorantë, studiues, punonjës shkencorë, ata që janë të aftë të krijojnë ndryshime me një ndikim të fuqishëm shoqëror, prandaj mund të promovojnë veprimtari ekonomike për të mirën e përbashkët. Të rinj aktivë, entuziastë dhe plot propozime në fusha nga më të ndryshmet, që nga teknologjitë e reja në inteligjencën artificiale e në konsumin e përgjegjshëm për mbrojtjen e ambientit. Dy mijë të rinj - 56% meshkuj e 44% femra - marrin pjesë në takimin “Ekonomia e Françeskut”, organizuar me kontributin e Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, të dioqezës së Asizit, Institutit Serafik , të komunës së Asizit dhe me mbështetjen e Ekonomisë së Bashkimit.

Nga Asizi drej botës

          Qendra e ngjarjes është Asizi, ku Shën Françesku u zhvesh krejtësisht nga pasuria e kësaj bote, duke bërë aktin “e themelimit të një ekonomie alternative”. Një fluks mendësie të re, që nga zemra e Umbries mbërrin në botën e lidhur në internet, përmes portalit francescoeconomy.org, me vendet simbolike të françeskanizmit: Bazilikën e Shën Françeskut të Asizit, Kishën e Shën Damianit, Shenjtëroren e Rivotortos, Bazilikën e Shën Kjarës, Shenjtëroren e Zhveshjes, Pallatin Monte Frumentario.

Dialogu i përvojave

          Gjatë këtyre tri ditëve, të rinjtë do të konfrontohen me ekspertë të ndryshëm, ndër të cilët disa shumë të njohur, si Muhammad Yunus, çmim Nobel për Ekonominë, që të gjithë e quajnë “bankieri i të varfërve”, pasi në Bangladesh, pati themeluar “Grameen Bank”, e cila u jep mikrokredi të varfërve për nisjen e një veprimtarie, që u siguron bukën e gojës. 27 webinare për të diskutuar mbi probleme të ndryshme të 12 fushave tematike, janë impenjim për një proces, që nuk ndalet. Më 21 nëntor, ditën e shtunë, Papa Françesku do t’u flasë pjesëmarrësve me një videomesazh, në përfundim të punimeve.

Artizanë të së ardhmes

          “Bota ka nevojë për krijimtarinë dhe dashurinë e pjesëmarrësve - shkruajnë organizatorët e ‘The Economy of Francesco’, drejtuar nga profesor Luigino Bruni - të cilët, si artizanë të së ardhmes, po thurin indin e Ekonomisë së Françeskut, ndërmjet së kaluarës dhe asaj, që akoma nuk është realizuar”. Artizanë, të cilëve Papa u beson ëndrrën “për një të ardhme të bukur e të gëzueshme”, për “një ekonomi të vëmendshme ndaj njeriut dhe ambientit”.

          “Të dashur të rinj, - u shkruante në letrën e 1 majit 2019 - e di që ju jeni në gjendje t’i dëgjoni me zemër thirrjet gjithnjë e më shqetësuese të tokës dhe të varfanjakëve, që kërkojnë ndihmë dhe përgjegjshmëri, pra, dikë që ‘t’u përgjigjet’ e të mos kthehet prapa. Nëse e dëgjoni zemrën tuaj, do të ndiheni bartës të një kulture të guximshme dhe nuk do të keni frikë të rrezikoni e të impenjoheni për ndërtimin e një shoqërie të re”.

19 nëntor 2020, 14:29