Kërko

Vatican News

Papa në Bullgari për t’u dhënë popujve një mesazh paqeje

“Pacem in terris”: kjo është motoja e udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Bullgari, më 5 dhe 6 maj. Shihet qartë citimi i Enciklikës së shën Gjonit XXIII, i cili pati shkuar në vendin e trëndafilave, fillimisht, si Vizitator apostolik e, pastaj, si Legat i Papës së atëhershëm. Intervistë me Kiril Kartaloff.

R.SH. - Vatikan

“Shpresojmë që kjo vizitë apostolike e Papës Françesku në Bullgari të jetë shkas për marrëdhënie gjithnjë e më intensive vëllazërore dhe solidare, si për realitetet kishtare, ashtu edhe për ato civile, si edhe inkurajim i fuqishëm për popullin bullgar që të vazhdojë ndërtimin e një shoqërie të bazuar mbi drejtësinë e paqen”. Kiril Kartaloff, pedagog në Universitetin Katolik të Milanos, korrespondent i Komitetit Papnor të Shkencave Historike dhe autor i librit “Përkujdesja kishtare e imzot Roncalli-t për Bullgarinë (1925-1934). Studim historiko-diplomatik në dritën e burimeve të reja arkivore”, përshkruan me këto fjalë, në një intervistë për Vatican News, pritjen e këtyre ditëve në Bullgari, ku më 5 e 6 maj do të shkojë Papa Françesku, në një udhëtim apostolik, gjatë të cilit do të ndalet, më 7 maj, edhe në Maqedoninë e Veriut.

Imzot Roncalli dhe përqafimi me vëllezërit e ndarë

Në Bullgari, ku 60% e popullsisë është ortodokse, ka qenë, në vitin 2002, edhe shën Gjon Pali II. Por në vendin e trëndafilave – siç e quajnë banorët – ka shërbyer edhe një shenjt tjetër, edhe ky Papë. Është fjala për shën Gjonin XXIII, i cili pati shkuar në Sofie, fillimisht, si Vizitator apostolik, si imzot Angello Roncalli e, pastaj, si Legat, pasi bëri çmos për të hapur selinë përfaqësuese të Vatikanit në vend, duke ia arritur qëllimit.

Pati dhënë një kontribut shumë të madh në marrëdhëniet ekumenike ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, në riorganizimin e Kishës Katolike e në stabilizimin e raporteve me qeverinë dhe me Shtëpinë mbretërore. Akoma kujtohet nga vendasit ashtu siç u quajt më vonë, kur një nga vetitë e tij e bënë të njihet nga të gjithë si “Papa i mirë”. Edhe sot, bullgarët i janë shumë mirënjohës për veprimtarinë e tij. Jo më kot, motoja e udhëtimit të Papës Françesku është pikërisht titulli i njërës nga Enciklikat më të rëndësishme të Gjonit XXIII, por edhe të gjithë magjisterit papnor: “Pacem in Terris” (Paqja në Tokë).

Gjigantë të ungjillëzimit në Evropën Lindore

Vizita e Papës, vazhdon në intervistë Kiril Kartaloff, “dëshmon rrënjët e krishtera të popullit” dhe “na jep mundësinë ta forcojmë më tej miqësinë shekullore ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Bullgarisë, mbështetur në devocionin për shenjtorët vëllezër Ciril dhe Metod, që me ndihmën e Provanisë Hyjnore, rrënjosën krishterimin në shpirtin e popullit bullgar”. Vëllezërit e Selanikut, bashkëpajtorë të Evropës, ungjillëzuan popujt sllavë të Kontinentit të Vjetër. Ata shpikën shkrimin cirilik, që u shërbeu për të përkthyer Biblën në gjuhën sllave.

“Bullgaria - shpjegon pedagogu i Universitetit Katolik të Milanos - është ndoshta vendi më pak i njohur evropian, por, njëkohësisht, një nga më të pasurit me histori, kulturë dhe art: ka 10 vende të shpallura pasuri të UNESCO-s. Është anëtare e NATO-s që nga viti 2004 dhe e Bashkimit Evropian, nga viti 2007”. “Bullgaria, - përfundon me krenari Kartaloff - është e thirrur të dëshmojë krishterimin, marrë prej mësimeve të shenjtorëve Ciril dhe Metod, aktuale e të nevojshme edhe sot: puna e këtyre gjigantëve të ungjillëzimit në Evropën Lindore përbën një kontribut të shquar në formimin e rrënjëve të krishtera të Evropës, ato rrënjë që, për shkak të thellësisë dhe gjallërisë së tyre, janë pika të fuqishme referimi, që s’mund të mos merren parasysh nga çdo përpjekje serioze për ta bashkuar kontinentin, në një mënyrë të re dhe aktuale”.

Në Bullgari vlojnë përgatitjet

Ndërkaq, në vendin e trëndafilave vlojnë përgatitjet për ta pritur sa më mirë Papën Françesku. Famullia e Belenit, në dioqezën e Nikopolit, ka përgatitur një dhuratë të veçantë: ikonën me 4 bullgarët e lumë. Tre prej tyre, meshtarët asuncionistë Kamen Vicev, Pavel Dzidzjov dhe Josaphat Sisikov, u pushkatuan nga regjimi komunist dhe u shpallën të lum nga Papa Vojtila në Plovdiv, më 26 maj 2002. I katërti, ipeshkvi i Nikopolit, Eugenio Bossilkov, pasionist, vdiq edhe ai martir, nën regjimin komunist. Shën Gjon Pali II e shpalli të lum më 15 mars 1998, në Romë.

 

Photogallery

Dhuratat e famullisë së Belenit për Papën
30 prill 2019, 14:32