Kërko

Kisha Katedrale Katolike e Zemrës së Krishtit në Shkup Kisha Katedrale Katolike e Zemrës së Krishtit në Shkup 

Papa më 7 maj do të jetë në Shkup, Kishë periferie, pakicë, por plot gjallëri

Pak ditë para vizitës së Papës në Shkup, kryeqyteti i Republikës së Maqedonisë së Veriut përgatitet për ngjarjen e madhe. 22 priftërinjtë si dhe rregulltarët e rregulltaret e vendit po punojnë me entuziazëm këto ditë të fundit të muajit, që kjo etapë e shkurtër e Papës të jetë çast i paharrueshëm për bashkësinë e vogël katolike të vendit.

R. SH. - Vatikan

Katolikët e Maqedonisë së Veriut përfaqësojnë më pak se 1% të gjithë popullsisë, 2/3 e së cilës janë ortodoksë e 1/3, myslimanë. Por të krishterët, përbërë prej etnive të ndryshme, janë këtu prej kohës së Apostujve, Shën Palit dhe dishepujve të tij. Më vonë, popujt sllavë u ungjillëzuan nga Shenjtorët Çirili e Metodi që në shekullin IX, njëkohësisht me Mbretërinë e Bullgarisë. Duhet kujtuar se kjo ishte etapa e dytë e përhapjes së Ungjillit në këto vise.  Siç përmendem, Ungjillëzimi i parë i Maqedonisë nisi me Shën Palin e dishepujt e tij Silas e Luka (Vp 16,9-10) “Një natë Pali pati këtë vegim: një burrë maqedonas po qëndronte para tij dhe i bëri këtë lutje: ”Kalo në Maqedoni e na ndihmon!”. ”Pas këtij vegimi u munduam që menjëherë të kalojmë në Maqedoni, të bindur se Hyji n a thërret që t’u predikojmë Ungjillin”, po gjurmët e krishterimit të kohës apostolike, dioqezat e kryedioqezat e lashta si Ohri, Dacia, Shkupi e tjera, pothuajse gati u shlyen krejtësisht nga pushtimet e mëpasshme barbare.

Në gjysmën e parë të shekullit XX, Kisha katolike, ndonëse Kushtetuta jugosllave sanksiononte barazinë e feve, pësoi një sërë kufizimesh e diskriminimesh, posaçërisht në fushën edukative. Pas vitit 1945, kur pushtetin e kishin në dorë komunistët e Mareshalit Tito, gjendja e Kishës katolike në mbarë Jugosllavinë u keqësua ndjeshëm. Keqësim që vijoi deri në vitin 1991. Si pasojë, u ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Selinë e Shenjtë. Me shpalljen e pavarësisë, në vitin 1966, Kisha i rifilloi veprimtaritë e Shteti i rilidhi marrëdhëniet e këputura diplomatike me Selinë e ApostolikeShenjtë. Sot katolikët janë rreth 20.000, nga të cilët, 15.000 të ritit bizantin e 5.000, të atij latin.

Këtë bashkësi të vogël të krishterë, me besimtarë të ritit Latin e ritit bizantin, por plot gjallëri, e paraqet ipeshkvi i Shkupit dhe i Heparkisë të Zojës së Ngjitur në Qiell në Strumica-Shkup, imzot Kiro Stojanov:

“Kisha katolike në Maqedoninë e Veriut ka dy dioqeza: Dioqezën e Shkupit, mjaft e lashtë, e pranishme që në kohët e para të krishterimit e, pastaj, heparkinë e re katolike të ritit bizantin, themeluar pikërisht nga Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, vitin e kaluar. Kemi, pra, dy dioqeza e, si numër, jemi pakicë, ose, siç thuhet sot “diasporë”. Pavarësisht nga kjo, Kisha është plot gjallëri, sepse priftërinjtë, shumica të rinj, punojnë vërtet pa u lodhur me të gjithë besimtarët, pleq, të rinj a fëmijë qofshin. Këtu, në Maqedoninë e Veriut  ndjehemi si një familje e vetme. Edhe pse  këto dy dioqeza ndjekin dy rite të ndryshme, kanë një ipeshkëv të vetëm. Jemi të gjithë të bashkuar si një familje, si riti latin, ashtu edhe ai bizantin. Bashkëpunimi ndërmjet rregulltareve dhe  besimtarëve është vërtet për t’u admiruar. Edhe sot jemi shembull, Kishë e gjallë, në gjirin e gjithë shoqërisë”.

Papa Françesku vjen ta vizitojë këtë Kishë plot me gjallëri. Do të jetë një vizitë e shkurtë - një ditore - por ndjehet se e gjithë bashkësia, e gjithë familja katolike, latine e bizantine, e pret shumë këtë shtegtim. Po bashkësitë e tjera, si e presin?

“ Dëshiroj të them, para së gjithash, një gjë. Papa Françesku kishte dëshirë të madhe ta vizitonte Kishën Katolike të Maqedonisë së Veriut. Ju e dini fare mirë se, që në fillim, kur Papa u ul në fronin e Shën Pjetrit, shprehu dëshirën të vizitonte kishat në periferitë. Një nga këto kisha jemi edhe ne! Më 7 maj Papa do të vijë pikërisht për të vizituar këtë kishë periferie. Vizita këtu do të jetë mjaft e shkurtër, një ditë e vetme, por shumë e ngarkuar me ngjarje. Me shumë takime, tashmë të parashikuara. Para së gjithash, sipas protokollit, Papa do të takojë krerët e shtetit; menjëherë pas,  krerët fetarë të Maqedonisë së Veriut, të kishave e të bashkësive fetare. të përfshira në Kushtetutën maqedone.

Papa do të takohet me ta: me bashkësinë ortodokse, që përbën mazhorancën, me bashkësinë islamike të pranishme në vend, me bashkësinë hebraike dhe atë metodiste. Takimi do të mbahet pikërisht në Qendrën Përkujtimore të Nënë Terezës, sepse Papa dëshiron të vizitojë, në Shkup, pikërisht vendin ku u lind Nënë Tereza. Memoriali i Nënë Terezës u ndërtua në vendin ku, deri më 1963, para tërmetit, ndodhej katedralja e dioqezës së Shkupit. Pikërisht këtu Papa do t’i takojë krerët fetarë të kishave e të bashkësive të tjera. Mendoj se është vendi më i përshtatshëm për takimin, në përkim të plotë me karizmën e Nënë Terezës, që i donte të gjithë popujt, e u shërbente njëlloj të gjithëve.  

Pikërisht pranë kësaj qendre, Papa do të kalojë disa çaste pranë të varfërve, që marrin këtu ushqimin e përditshëm nga motrat e Nënë Terezës, të cilat, natyrisht, nuk mund të mungonin, në Shkup. Më duket se kudo shkon, Ati i Shenjtë nuk rri pa u takuar me të varfërit e me të rinjtë. E jo vetëm me të rinjtë katolikë, por të të gjitha etnive e konfesioneve. Edhe këtu do të takohet me të varfërit dhe me krerët fetarë.

E, pas takimit me ta, do të kremtojë Meshën Shenjte në Sheshin qendror të Shkupit. Mendoj se kjo do të jetë pika kulmore e vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut. Presim  arritjen e të gjithë besimtarëve tanë me këtë rast, por edhe të besimtarëve nga viset katolike fqinje. Gjatë Meshës do të jenë të pranishëm Krerët e Shtetit, Krerët e Kishës dhe të ftuar të tjerë. Pas një pushimi të shkurtër, do të nisë takimi me të rinjtë ortodoksë, myslimanë e katolikë, që do të sjellin dëshmitë e tyre.

E pikërisht këtë duam të dëshmojmë, domethënë, se kjo larmi etnish e konfesionesh jeton vëllazërisht së bashku. Papa do të takohet me Kishën e vet, siç ndodh në çdo vend ku shkon. Ky takim do të jetë mbështetje e fortë për të gjithë ne, që punojmë në këto troje, në Maqedoninë e Veriut, për Kishën Katolike. I shpreh mirënjohjen Shenjtërisë së Tij, që pranoi të takohet me të gjithë meshtarët. Dëshiroj të them edhe një gjë interesante: në këtë takim do të jenë të pranishëm meshtarët e ritit latin e edhe të ritit bizantin, me gjithë familjarët e tyre, sepse shumë nga meshtarët e ritit bizantin janë të martuar. Prandaj Papa do të takohet edhe me familjet e tyre. Njëri nga meshtarët e ritit bizantin do të japë dëshminë e tij, pikërisht si prift i martuar, me familje e, njëkohësisht, drejtues i famullisë së tij e i besimtarëve të saj”.

Ndjehet fort edhe në përgatitje, gëzimi për këtë ngjarje të madhe. Jemi në një vend, ku një e treta e popullsisë është e besimit mysliman. Papa Françesku kohët e fundit ishte në Emiratet ku, me Imamin e Al-Azhar, nënshkroi një dokument të përbashkët. Këtu, në Maqedoninë e Veriut, në vitin 2001, pati çaste tensioni të lartë ndërkomunitar. Sipas Jush, a mund të kenë ndikime pozitive edhe këtu, në Shkup, hapat e bëra nga Papa Françesku me Islamin?

“Ju e dini se ne jemi Shtet, demokraci e re; e dini edhe se vitet e kaluara ka pasur mjaft situata të shqetësuara, mungesë paqeje, por dëshroj të them se këto pështjellime në Maqedoninë e Veriut nuk e kanë pasur kurrë për bazë fenë. Shkaqet e tyre nuk janë lidhur kurrë me fenë. Nuk kanë mbirë nga asnjëra fe. Madje ishin pikërisht krerët fetarë ata, që i qetësuan situatat e shqeta, këtu, në Maqedoninë e Veriut. Ndërsa mendohej se do të kishte situata ngatërresash, lufte ose mungese qetësie pikërisht për shkak të pranisë së feve dhe etnive të ndryshme: dua të theksoj se kjo nuk është aspak e vërtetë. Marrëdhëniet janë me të vërtetë të mira. Kemi themeluar një Këshill ndërfetar e shpesh  takohemi me krerët. Kur i lajmërova për vizitën e Papës, të gjithë u gëzuan dhe na mbështetën, sepse ardhja e Atit të Shenjtë do të sjellë paqen dhe bekimin mbi gjithë Vendin”.

Për një ditë të tërë bota do t’i ketë sytë të ngulur mbi këtë vend të vogël, mbi Maqedoninë e Veriut. E kjo vëmendje botërore ka rëndësi për të gjithë, apo jo?

“Sigurisht! Gjëja që më duket më e rëndësishme, është që Papa dëshiron të vërë në dukje se Nënë Tereza lindi në Shkup, në Maqedoninë e Veriut e se ne kemi shpirtin e Nënë Terezës; domethënë, më shumë ndjeshmëri ndaj të varfërve, në radhë të parë. Por dëshiron të na vërë  në dukje edhe ne, si Kishë e vogël, si Shtet i vogël e, natyrisht, si vendlindje e Nënë Terezës: kjo do të ketë rëndësi të madhe edhe për botën e për të gjithë gazetarët, që do të vijnë këtu, në ndjekje të vizitës papnore.

Duke folur për këtë Kishë të vogël, këtu, në Maqedoninë e Veriut, dëshiroj të cek edhe faktin se, falë kësaj gjallërie, Kisha, me punën e meshtarëve të saj, kohët e fundit, përveç revistës, që del rregullisht, mori edhe autorizimin të transmetojë në FM (Frekuencë të Moduluar) për Radio Marinë. Deri tani kemi pasur një web radio, por tani jemi shumë të kënaqur, sepse, së paku për një zonë (Strumica), i kemi frekuencat. E shpresojmë se, përveç kanalit të internetit për informacionet e Kishës katolike - zakonisht me gjithçka thotë Shenjtëria e Tij. E tani besimtarët dhe të tërë njerëzit vullnetmirë, do të munden, përmes këtyre frekuencave, të dëgjojnë edhe me një zë tjetër, do të mësojnë çfarë ndodh në Kishë e në botë. Pra, çfarë thotë Shenjtëria e Tij ditë për ditë, por edhe aktualitetin e Kishës katolike këtu, në Maqedoninë e Veriut”.

Janë frekuencat e para, të dhuruara për një radio konfesionale…

“Po, këto janë frekuencat e para për një bashkësi fetare, këtu, në Maqedoninë e Veriut. Deri pak më parë nuk ekzistonte një radio e tillë,  me program fetar. Me vizitën e Shenjtërisë së Tij, këto janë hapat e para, e jam me të vërtetë i kënaqur edhe për praninë tonë, tani, në gjuhën maqedone, në Vatican News. Kështu mund të lexojmë në portalin e Selisë së Shenjtë, lajmet e Kishës Katolike, e edhe të Maqedonisë së Veriut!”

26 prill 2019, 11:57