Cerca

Vatican News
 Logot e shtegtimit të Papës në Bullgari e Maqedoni Logot e shtegtimit të Papës në Bullgari e Maqedoni 

Etapat e shtegtimit të Papës në Bullgari e në Maqedoninë e Veriut

Papa do të vizitojë Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut nga data 5 deri më 7 maj 2019. Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi, më 7 marsin e kaluar, programin e takimeve.

R. SH. - Vatikan

Vizita në kampin e refugjatëve në Sofje dhe lutja në memorialin kushtuar Shën Nënë Terezës në Shkup, do të jenë çastet më domethënëse të shtegtimit apostolik të Papës Françesku në Bullgari e në Maqedoni të Veriut, parashikuar për datat 5 e 7 maj.

Të diel, 5 maj, arritja në Sofje

Papa, lexojmë në programin e shtegtimit, që u bë i njohur më 7 mars nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, do të niset nga Roma më 5 maj e do të shkelë në trojet bullgare në orët e paradites. Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe vizitës së mirësjelljes Presidentit, Françesku do të takohet me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik në Sheshin  Atanas Burov. Pastaj, vizita tek Patriku i Sinodit të Shenjtë, pasuar nga lutja private para fronit të Shenjtorëve Çirili e Metodi, në katedralen patriarkale. Brenda Kishës, Papa do t’ia drejtojë 12 herë Virgjërës Mari lutjen e Mbretëreshës Qiellore, ndërsa pasdite do të kremtojë Meshën Shenjte në Sheshin Knyaz Alexander I.

Lutja për paqen dhe vizita në Rakovsky

Të hënën, 6 maj, Papa Françesku do të vizitojë një kamp refugjatësh në Sofje, për të shkuar, më pas në Rakovsky, qendër kryesore e katolikëve në Bullgari. Atje do të kremtojë Meshën Shenjte me kungimet e para, në Kishën e Zemrës së Krishtit, do të drekojë me ipeshkvijtë bullgarë, në kuvendin e Motrave françeskane dhe do të takohet me bashkësinë katolike në Kishën e Shën Mëhillit Kryeengjëll. Në orën 17.15 me orën vendase, do të rikthehet në Sofje, ku do të lutet për paqen, së bashku me përfaqësuesit e konfesioneve të ndryshme fetare bullgare, në Sheshin Nezavisimost.

Programi i vizitës në Shkup

 Para se të shtjellojmë programin e vizitës në Shkup, kujtojmë  se në logon e shtegtimit papnor, veç hartës dhe ngjyrave simbolike të Maqedonisë së Veriut e të flamurit të saj, të bie në sy edhe portreti i Papës, që bekon vendin. Por, me qenë se Shkupi është vendlindja e Nënë Terezës, nuk mund të mungonte  as sari i Shenjtores shqiptare, me ngjyrën e  kaltër, që stolis anët e kësaj veshjeje të veçantë rregulltare. Bien menjëherë në sy, prandaj, vijat blu të petkut të Nënës së të të varfërve, vendlindjen e së cilës Papa  do ta vizitojë në përfundim të shtegtimit në Bullgari. Françesku do të pritet  nga autoritetet politike, të cilat do t’i takojë më pas, së bashku me shoqërinë civile dhe trupin diplomatik, në Pallatin presidencial. Pastaj Papa, në praninë e disa liderëve fetarë, do të lutet në memorialin  kushtuar Nënë Terezës, që lindi pikërisht në Shkup, në vitin 1910. Pas takimit me Nënën,  nuk mund të mungote as takimi me të varfërit “e saj”, për të kremtuar, pastaj, Meshën Shenjte, në Sheshin Maqedonia. Pasdite, takimi ekumenik dhe ndërfetar me të rinjtë, në qendrën baritore, si dhe ai me meshtarët, familjet e tyre, famijarë të Nënë Terezës dhe rregulltarë, në Katedrale. Ceremonia e lamtumirës parashikohet për orën 18.15, e menjëherë pas saj, nisja e avionit papnor, që do të arrijë në Romë dy orë më pas,  më 20.30.

Të premten, më 3 maj 2019, në orën 13:00, në sallën e shtypit të Selisë së Shenjtë, në Via della Conciliazione 54, drejtori  "i përkohshëm" Alessandro Gisotti do të mbajë një konferencë për të ilustruar, pikërisht, programin e Udhëtimit Apostolik të Shenjtërisë së Tij Papës Françesku në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut, që do të mbahet nga data 5 deri më 7 maj 2019. Kështu njofton buletini i sotëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.

25 prill 2019, 15:13