Kërko

Patriarku i maronitëve, Bechara Raji Patriarku i maronitëve, Bechara Raji 

Çelësi i fjalëve të Kishës: të krishterët e Lindjes së Mesme, linja melkite

Prej disa të enjtesh kemi filluar një cikël mbi të krishterët e Lindjes së Mesme, të cilët, në rrjedhë shekujsh, për shkak të ngjarjeve historike nëpër të cilat kanë kaluar ato troje, janë ndarë në disa linja. Deri tani, kemi parë linjën siro-lindore apo nestoriane, si edhe linjën miafizite apo jakobite. Ndryshimet, që shpesh paraqiten si teologjike, në të vërtetë, i kanë rrënjët në ndarjet politike e në përpjekjet për të afirmuar një identitet të caktuar kulturor. Sot, linja melkite

R.SH. – Vatikan

Koncilin e Kalcedonisë e pranojnë pa rezerva Patrikana e Kostandinopojës dhe Roma. Ndjekësit e tij u apostrofuan në mënyrë polemike nga kundërshtarët e tyre si “melkitë”, pra, si njerëz të mbretit, pasi ndiqnin linjën zyrtare të perandorit, e cila pësoi luhatje të ndryshme përgjatë shekujve të pestë dhe të gjashtë. Siç e thamë në emisionin e kaluar, jo e gjithë Kisha e Egjiptit dhe e Sirisë e bëri të vetin qëndrimin miafizit. Kjo çoi në ndarjen e parë të Patrikanave të Aleksandrisë dhe të Antiokisë, që patën edhe një seli kalcedonase të gjuhës greke, dhe një miafizite të gjuhës kopte ose asire. Gjithashtu, edhe një pjesë e Kishës së Antiokisë, e gjuhës asire dhe me orientim murgar, ndoqi ortodoksinë kalcedonase: këtu qëndron origjina e Kishës maronite, e cila sot, është e përhapur sidomos në Liban. Emri i saj rrjedh nga murgu dhe asketi Maron, i cili vdiq rreth vitit 410 në Sirinë veriore.

Doktrina e monotelizmit

 Duke filluar nga viti 626, perandori Heraklius, i impenjuar në ripushtimin e Sirisë dhe të Egjiptit, duke ua hequr nga duart persianëve, bëri përpjekje të gjente një zgjidhje për ndarjen ndërmjet “jakobitëve” dhe “melkitëve”. Filloi kështu të sugjeronte një formulë bashkimi, që pohonte ekzistencën e dy natyrave në Krishtin, por këto dy natyra rridhnin nga një energji apo nga një vullnet i vetëm: kjo s’është tjetër, veçse doktrina e monotelizmit. Pas qëndrimit të paqartë të Papës Onorio (625-638), i cili, duke mos e kuptuar problemin, e deklasoi çështjen në diskutim thjesht verbal, monotelizmi hasi në kundërshtimin e flaktë të Maksim Rrëfyesit (580-662), murg e teolog bizantin. Ky i fundit, duke e paguar me jetë kundërshtimin ndaj diktatit perandorak, “e shkëputi krejt formën e traditës së krishterë greke nga kurthi deformues i fundamentalizmit politik” [Hans Urs von Balthasar, Maksim Rrëfyesi, f. 33]. Periudha e errët, në të cilën për disa dekada, selia romake mbeti e vetmja që mbështeti ortodoksinë kalcedonase, përfundoi me dënimin e monotelizmit në Koncilin III Ekumenik të Konstandinopojës (680-681).

Pushtimi arab

Kisha Maronite, besnike ndaj perandorit dhe Kalcedonisë, ruajti qëndrimin monotelit, i cili, nën Herakliun, u paraqit në Lindje si linja më e saktë, më ortodokse. Gjithsesi, kjo Kishë nuk mundi të merrte pjesë në debatet e mëvonshme, pasi u izolua menjëherë, për shkak të pushtimit arab të vitit 634 dhe të luftës endemike ndërmjet arabëve dhe bizantinëve, e cila zgjati pa ndërprerje për më se një shekull. Vetëm më vonë u mor vesh për dënimin e monotelizmit.

Gjithnjë për shkak të pushtimeve arabe, Patrikanat “melkite” të Antiokisë, Jerusalemit dhe Aleksandrisë, të gjitha greqishtfolëse, mbetën të izoluara nga Perandoria Bizantine dhe përdorën arabishten si gjuhë liturgjike dhe teologjike, ndërsa Kishat e tjera, gjithnjë nën dominimin arab, e ruajtën gjuhën e tyre origjinale (siriake ose kopte) edhe për disa shekuj të tjerë. Kjo veçori fizionomike arabe e Kishës “melkite” në Lindjen e Mesme ruhet edhe sot e kësaj dite.

Skizma e Lindjes

Në vitin 1054, si pasojë e tensionit në rritje ndërmjet krishterimit latin dhe atij grek, Patriku i Kostandinopojës dhe Papa i Romës e shkishëruan njëri-tjetrin. Ky episod, i njohur si “skizma e Lindjes”, është në zanafillën e ndarjes së linjës kalcedonase në dy degë të mëdha: në Kishën Katolike e në Kishat Ortodokse. Pavarësisht nga përpjekjet për pajtim si Koncili i Ferrara-Firences (1438-1439), ndarja mbeti dhe shkishërimi u shfuqizua vetëm në vitin 1965 nga Papa shenjt Pali VI dhe Patriku i Konstandinopojës Atenagora.

Përtëritja e maronitëve

Menjëherë pas Skizmës së Lindjes, filluan kryqëzatat, të cilat, ndër rrjedhojat e shumta, patën edhe atë të forcimit të marrëdhënieve ndërmjet krishterimit latin dhe Kishës maronite, e cila, ndërkohë, e kishte zhvendosur selinë e saj patriarkale në Malin Liban. Në vitin 1580, u mbajt Sinodi i Kannūbīn, në të cilin u miratuan vendimet e Koncilit të Trentit. Ky fakt, si edhe hapja e Kolegjit Maronit në Romë, bëri të niste një periudhë përtëritjeje intensive shpirtërore dhe kulturore, e cila përgatiti terrenin për Rilindjen Arabe (Nahda). Për shembull, ishin maronitët dhe melkitët ata, që futën artin e shtypjes së librave në botën arabe. Në Sinodin maronit të Rayfūn (1736) u promovua një reformë e mëtejshme në administrimin e dioqezave, ndërsa nga viti 1823 Patriarku u vendos në Bkerke të Libanit.

Ndarja e Patrikanës “melkite” të Antiokisë

Në Lindjen e Mesme, Patriarkati “melkit” i Antiokisë, i cili, ndërkohë, e kishte zhvendosur selinë e vet në Damask, u luhat për një kohë të gjatë ndërmjet Romës dhe Konstandinopojës. Gjithnjë në kuadrin e reformës katolike, misionarët evropianë punuan për bashkimin e plotë me Romën, që gati u realizua në vitin 1724 me zgjedhjen e Cirilit VI Tanas si Patriark i Antiokisë, por përfundoi me një dështim të pjesshëm. Si rezultat, Patrikana “melkite” e Antiokisë u nda më tej në dy degë, të cilat njihen si greko-katolike dhe greko-ortodokse, megjithëse emërtimi është krejtësisht i papërshtatshëm nga pikëpamja gjuhësore, pasi në fakt janë dy Kisha bizantine të gjuhës arabe.

Kështu, Patriarkati i Antiokisë është sot i ndarë ndërmjet pesë Kishave: tre kalcedonase (greko-katolike, greko-ortodokse, maronite) dhe dy fillimisht jo kalcedonase (siro-katolike dhe siro-ortodokse). Ndarje veçanërisht e dhimbshme, pasi pikërisht në atë qytet “për herë të parë, dishepujt u quajtën të krishterë” (Vap 11,26).

19 maj 2022, 08:49