Kërko

Theotokos, Nëna e Zotit Theotokos, Nëna e Zotit 

Çelësi i fjalëve të Kishës: të krishterët e Lindjes së Mesme, linja nestoriane

Javën e kaluar filluam një cikël për të krishterët e Lindjes së Mesme. Problemet nëpër të cilat kaluan në shekuj bënë që ata të ndaheshin e sot, të ndjekin shtatë rite: kaldeas, kopt, siriak, armen, melkit, maronit e latin. Jemi në shekujt e parë të krishterimit e të përvijimit të linjave të ndarjes. Sot, do t’ju flasim për linjën siro-lindore apo “nestoriane”

R.SH. – Vatikan

Linja siro-lindore ka të bëjë me krizën e vitit 428, e cila shpërtheu papritmas kur Patriku i Kostandinopojës, Nestori, refuzoi t’i njohë shën Marisë titullin e Theotókos (Hyjlindëse apo Nëna e Zotit), duke pohuar se Virgjëra Shenjte mund të deklarohej vetëm “lindëse e Krishtit”, pra, Krishtlindëse apo Nëna e Krishtit. Në këtë mënyrë, Nestori shpallte ndarjen e qartë ndërmjet natyrës njerëzore dhe asaj hyjnore të Krishtit.

Me nismën e Cirilit të Aleksandrisë, Patriark i selisë së krishterë egjiptiane, u thirr një Koncil ekumenik në Efes, në vitin 431. Në të u pohua se titulli Theotókos për Marinë është më se i drejtë dhe u dënua Nestori. Por, Koncili la pas një sërë polemikash, për shkak të administrimit të njëanshëm të çështjes nga Cirili. Për arsye krejt të rastësishme, nuk mundi të merrte pjesë Kisha e Persisë, e gjuhës siriake, që ndiqte teologjinë e shkollës së Antiokisë, nga e cila vinte edhe Nestori. Rreth 50 vite më vonë, në sinodin e Seleucisë, në vitin 486, ajo Kishë e bëri zyrtarisht të vetën formulimin nestorian, jo pa kundërshti e kontraste, të cilat vijuan deri në shekullin VII.

E organizuar rreth një “katolikosi” (catholicós), kjo Kishë, që njihej si “nestoriane”, u përhap shumë gjatë Mesjetës, me misione, që arritën deri në Kinë. Megjithatë, pas pushtimit nga mongolët e Tamerlanos (shekulli XIV), pësoi një persekutim të pamëshirshëm dhe u tërhoq nga zona e Mesopotamisë së Epërme (në veçanti, nga Mosuli) dhe nga Turqia lindore, duke themeluar një Patriarkat, që trashëgohej nga xhaxhai tek nipi. Më 1553, një pjesë e kësaj Kishe hyri në bashkim me Romën, por vështirësitë në komunikim dhe persekutimet nuk e lejuan atë unitet të ruhej. Vetëm në vitet ‘800 u themelua në mënyrë të qëndrueshme një Kishë Kaldease e bashkuar me Romën, Patriarku i së cilës e pati selinë fillimisht në Mosul, ndërsa nga viti 1947, në Bagdad. Kishës Kaldease i përkasin sot pjesa më e madhe e të krishterëve të pranishëm në Irak. Krah saj, ekziston një Kishë “motër” e pabashkuar me Romën. Është Kisha Asire e Lindjes, Patrikana e së cilës, pas genocidit të pësuar gjatë Luftës I Botërore, u transferua në Çikago më 1940, para se të rikthehej në Erbil, në vitin 2015. Më 1964, një pjesë e kësaj Kishe u nda nga Patrikana e Çikagos, duke themeluar Kishën e Lashtë të Lindjes, me seli në Bagdad. Skizma, që u bë zyrtarisht për arsye kalendari, por në të vërtetë u frymëzua nga regjimi baatist irakian, ende nuk është zgjidhur, pavarësisht nga përpjekjet e ndryshme në këtë drejtim.

Përsa u përket marrëdhënieve me katolikët, në vitin 1994, Papa Gjon Pali II dhe Patriku i Kishës Asire të Lindjes, Dinkha IV, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, që i mbylli përfundimisht kundërshtitë kristologjike. Në vitin 2015, në kuadrin e genocidit të Isisit në Irakun verior, Patriarku kaldeas Louis Sako propozoi riunifikimin e tri Kishave të traditës siro-lindore në një Kishë të vetme të Lindjes, të bashkuar me Romën, duke u treguar i gatshëm të jepte dorëheqjen nga detyra e tij, nëse kjo do të ndihmonte bashkimin. Kësaj familjeje siro-lindore i përket edhe Kisha Katolike siro-malabareze, e përhapur në shtetin e Keralas, në Indi, edhe ajo e bashkuar me Romën e me Papën.

05 maj 2022, 10:09