Kërko

Meshë në Lindjen e Mesme me Patriarkun Pierbattista Pizzaballa Meshë në Lindjen e Mesme me Patriarkun Pierbattista Pizzaballa 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Kush janë të krishterët e Lindjes së Mesme

Maronitë, koptë, melkitë, kaldeas, siriakë, armenë e latinë. Nuk është e lehtë të orientohesh ndërmjet bashkësive të ndryshme të krishtera, që jetojnë në Lindjen e Mesme. Kundërshtitë e shekujve i kanë ndarë ata në bashkësi, që ndjekin shtatë rite. Sot, fillojmë një cikël emisionesh, për të sqaruar cilat janë tiparet e këtyre bashkësive e cila është historia e popujve, që e pranuan të parët Lajmin e Mirë të Krishtit

R.SH. – Vatikan

Vlerësohet që në Lindjen e Mesme jetojnë rreth 15 milion të krishterë, besimtarë autoktonë dhe emigrantë. Në disa vende, si në Irak e Siri, numri i tyre është në ulje e madje, janë në rrezik për t’u zhdukur, për shkak të largimit të vazhdueshëm, por edhe në zona të tjera, ata mbijetojnë me vështirësi. Nga ana tjetër, numri i të krishterëve rritet në rajonin e Gjirit Persik e në gadishullin arabik, kryesisht, për shkak të mbërritjes së punëtorëve aziatikë dhe evropianë.

Zanafilla e ndarjeve

Një element karakteristik i pranisë së krishterë në rajon është, pa dyshim, fragmentimi i skajshëm. Në lashtësinë e vonë, Lindja e Afërt – në atë kohë pjesë e Perandorisë Romake – ishte qendra e botës së krishterë: krah Romës, spikasnin për rëndësinë e tyre, Aleksandria e Egjiptit, Antiokia (sot, Antakia në provincën e Hatajit në Turqi) dhe Konstandinopoja (themeluar në vitin 330 pas Krishtit, Stambolli i sotëm). Armenia ishte mbretëria e parë, që e pranoi zyrtarisht krishterimin, në vitin 301 e, gjithnjë në Lindje, u mbajtën dy koncilet e para ekumenike, ai i Nikesë (në vitin 325) dhe ai i Kostandinopojës (në vitin 381), që formuluan saktë doktrinën trinitare, duke kundërshtuar herezinë ariane. Prej andej vjen Simboli nikeo-kostandinopojan, pra, Besojma, që edhe sot, thuhet gjatë meshës në Kishë.

Natyra njerëzore e ajo hyjnore e Jezu Krishtit

Uniteti i të krishterëve u cënua me problemet kristologjike të shekullit V. Në qendër të debatit, çështja e marrëdhënieve ndërmjet natyrës njerëzore e asaj hyjnore të Jezu Krishtit. Reflektimi rreth kësaj çështjeje ishte kaq i pasur, sa u bë baza e konceptit modern mbi njeriun, filozofi krejt e panjohur për botën e lashtë. Gjatë këtyre meditimeve e debateve të asaj kohe, u vunë ballë për ballë formulime të ndryshme dogmatike, që mund të ndahen në tri “familje”.

Interesa politike

Sot, këto formulime mund të shihen si të afërta, jo në kontradiktë ndërmjet tyre, megjithëse nuk janë identike e nuk përkojnë krejtësisht. Por, në atë kohë, mbizotëruan antipati e ambicie personale e, sidomos, interesa politike. Nga njëra anë, Kisha e gjuhës latine e sidomos ajo greke e ndiente fuqishëm peshën e mbrojtjen e Perandorisë Romake; nga ana tjetër, pikërisht për këtë arsye, Kisha e Persisë kishte interes ta bënte të dukshëm ndryshimin e saj nga Kostandinopoja, në mënyrë që askush të mos e akuzonte si ndonjë kolonë të pestë “romake” në zemër të perandorisë persiane sasanide. Së fundi, popuj të shumtë të Lindjes së Afërt, si koptët, armenët apo asirët, pikërisht në sajë të krishterimit, po rizbulonin identitetin e tyre, pas shekujsh mbizotërimi helen në planin kulturor e politik.

Kërkesa për autonomi më të madhe nga Kostandinopoja

 Në shumë raste, ndryshimet teologjike u bënë një mënyrë për të shprehur kërkesën e autonomisë më të madhe nga Kostandinopoja. Vijimi i këtij konflikti në gjirin e të krishterëve është, pa dyshim, një nga shkaqet, që favorizuan, në shekullin VII, pushtimet arabe dhe rënien e Perandorisë romake të Lindjes. Këto kundërshti të atëhershme shihen edhe sot e kësaj dite në faktin se të krishterët e Lindjes së Mesme ndjekin shtatë rite: kaldeas, kopt, siriak, armen, melkit, maronit e latin. Të gjithë vijnë deri në ditët tona përmes një sërë ngjarjesh, që pasojnë njëra-tjetrën në kohë. Për secilin prej tyre do të vazhdojmë t’ju flasim në emisionet e ardhshme, duke përshkuar historinë e çdo bashkësie të krishterë e duke ndjekur linjën kohore, që i përket. Mund të na dëgjoni, si zakonisht, të enjteve, ose në internet, në faqen vaticannews.va, duke klikuar gjuhën shqipe.

28 prill 2022, 11:28