Kërko

Vatican News

Atë Monge: Shën Sofia të jetë simbol i botëve fetare të ndryshme

Në bisedë me meshtarin dominikan, që jeton prej vitesh në Stamboll, përshkojmë historinë e trazuar të bazilikës së madhe, tashmë xhami, dëshmitare edhe e përçarjeve të përgjakshme ndërmjet të krishterëve.

R.SH. - Vatikan

“Shën Sofia është një nga ato vende të botës me bukuri joshëse, që flet me forcë për Zotin e që duhet të vazhdojë të përdoret megjithësej, pavarësisht nga kundërshtitë e një simbolike, që bashkon universe të ndryshme fetare dhe kulturore”. Atë Claudio Monge, 51 vjeç, dominikan, përgjegjës për qendrën e dialogut ndërkulturor DoSt-I në Stamboll, përpiqet të interpretojë jashtë skemave dhe thjeshtëzimeve, vendimin e presidentit turk Erdogan për ta kthyer ish-bazilikën e madhe bizantine në xhami. Në këtë bisedë me Vatican News, rregulltari përmbledh fazat kryesore të historisë së atij monumenti, të cilat lidhen edhe me përçarjet e përgjakshme ndërmjet të krishterëve para pushtimit turk. Ja historia e bazilikës së Shën Sofisë, përshkruar nga atë Monge:

          Ndërtesa madhështore, shuguruar në vitin 537 nga perandori Justinian, nuk ishte e para në këtë vend. Kisha e parë, e njohur si Kisha e Madhe, u ndërtua nga Kostandini, ose, ka shumë mundësi, nga Kostanci II dhe u përurua në vitin 360. Iu kushtua “Logos”, Fjalës së Zotit, kremtuar më 25 dhjetor. Kjo bazilikë e parë u dogj nga zjarri në vitin 404. Teodosi II ndërtoi një kishë tjetër, sipas së parës, me çati prej druri, projektuar nga arkitekti Rufino. U përurua më 10 tetor 415, por u dogj sërish gjatë revoltës së Nikes, në vitin 532, që për pak sa s’i kushtoi fronin e jetën Justinianit. Vetëm pak ditë pas shkatërrimit, Justiniani vendosi të ndërtonte një bazilikë krejtësisht të ndryshme nga e para, më madhështore. Punimet iu besuan Izidorit nga Mileti dhe Antemios nga Tralles. Që atëherë, ndërtesa njihej si vepër e madhe arkitekture, sidomos kupola, 7 metra më e ulët se aktualja. Ishte e rrethuar me një unazë dritaresh, që e bënin të dukej sikur varej nga qielli. U përurua më 27 dhjetor 537 nga perandori e nga patriarku Eutik, duke u kthyer në qendrën e kremtimeve perandorake. Një sërë tërmetesh goditën Kostandinopojën ndërmjet viteve 553 e 557 e kupola kryesore u shemb gjatë lëkundjeve të 7 majit 558, duke shkatërruar pjesërisht bazilikën. Në rindërtimin e saj, Izidori i Riu përdori materiale më të lehta dhe e ngriti kupolën edhe 6,25 metra të tjera, duke i dhënë formën aktuale. Ky ristrukturim përfundoi në vitin 562.

          Që nga fillimi i historisë së bazilikës, ajo ka qenë vend ku froni dhe altari janë ndërthurur…

          Po, siç thosha më parë, nën atë kupolë janë kurorëzuar perandorë e, tradita tregon se në përurimin e saj, në vitin 537, Justiniani, duke e admiruar, pati thirrur: “Salomon, ta kalova!”. Megjithëse kjo ngjarje vihet në dyshim nga disa studiues, sigurisht, arkitektura e ndërtesës vinte në dukje prestigjin perandorak e nuk ishte kult pa interes për madhështinë e Zotit. Në Shën Sofi kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme. Në vitin 1054, aty filloi skizma ndërmjet Kishës së Lindjes e asaj të Perëndimit, me vendosjen mbi altar të shkishërimit të patriarkut Cerulari nga ana e delegatit të Papës së Romës. Aty, shkëlqimi i liturgjisë ortodokse e nxiti popullin rus të kthehet në krishterim. Shën Sofia pa edhe hakmarrjen e tmerrshme e të pakuptimtë të Perëndimit të krishterë, në kohën e kryqëzatës së katërt, në vitin 1204. Ajo duhej të sillte çlirimin e Varrit Shenjt e jo plaçkitjen e Kostandinopojës. Është e pamundur të analizohen arsyet, në minutat e një interviste, por sigurisht, në kuadrin e historisë botërore, pasojat e asaj ngjarjeje për Evropën kanë qenë shkatërrimtare, si nga pikpamja etike e morale, ashtu edhe nga pikpamja politike. Nuk është fjala vetëm për shkatërrimin e humbjen e një sasie të paimagjinueshme thesaresh të së kaluarës, mbledhur e ruajtur për një mijë vite, por edhe për një goditje të fuqishme kundër një qytetërimi të krishterë akoma madhështor, i cili, që atëherë, nuk do ta marrë më veten. Nga pikpamja politike, Perandoria bizantine ka qenë gjithnjë barriera e evropianëve ndaj popullsive të lindjes. Dobësimi i saj solli tepër probleme. Perandoria Latine ra e do të kishte rënë edhe më shpejt, nëse nuk do ta mbështeste bindshëm Venediku. Fatkeqësisht, ndarja ndërmjet të krishterëve u bë edhe më e plotë.

          Në vitin 1452, duket sikur skizmës iu dha fund. Por, pak muaj më vonë, Kostandinopoja pushtohet nga sulltani…

          Më 12 dhjetor 1452, në praninë e kardinalit Izidori, patriark latin i Kostandinopojës, ardhur enkas në Romë, u kremtua një liturgji, që sanksiononte formalisht fundin e skizmës së 1054-s. Bizanci ishte dobësuar jashtëzakonisht e rasti ishte i volitshëm, por akti u konsiderua një lloj nënshtrimi i Kishës Lindore e ndihma ushtarake kundër turqve, premtuar nga Roma, nuk mbërriti kurrë. Prandaj, Kisha Lindore e konsideroi ardhjen e Islamit si të keqen më të vogël. Më 29 maj 1453, në Shën Sofi hyn triumfalisht sulltan Mehmeti II (në parantezë: është pikërisht ai, që do të përgatisë dy rrethimet e Krujës, më 1466 e më 1467, të cilat dështuan krejtësisht. Arriti ta merrte qytetin, vite pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, më 1478). Për sulltanin, otomanët ishin tashmë vazhduesit dhe ruajtësit e trashëgimisë bizantine, me pretendimin e të qenit universal e transkulturor e jo nacionalistë. Duke pasur parasysh këtë trashëgimi, edhe në Turqi u ngritën shumë zëra kundër ekzagjerimit simbolik të krejt kremtimit për fillimin e kultit islamik në Shën Sofi, më 24 korrik 2020: që nga retorika e kryetarit të Dijanetit (Ministrisë së Punëve Fetare), me shpatën në dorën e majtë (sipas traditës së pushtimeve otomane, ku shpata në dorën e majtë nënkuptonte “paqen”) e me vendosjen në majë të minbar-it (katedrës së predikimeve, gjithnjë e më pak e përdorur në xhami në kohën moderne, pak a shumë siç ndodh me pupitrin e dikurshëm në kisha) e, deri tek këndimi i sures el-Fatiha (“Hapësja”, apo sura e parë e Kuranit, që përmbledh thelbin e Librit të shenjtë islamik) e tek 5 ajetet e para të sures el-Bekare (që premton begati për ata, të cilët ndjekin udhën e Zotit), kënduar nga vetë kreu i shtetit turk, Erdogan.

          Le të kthehemi në shekullin XV: Shën Sofia ka influencuar edhe artin e arkitekturën islamike, apo jo?

          Sulltan Mehmeti II mbeti i mahnitur e i mrekulluar nga bukuria e ndërtesës, aq sa, tregojnë burimet e kohës, e pati goditur një ushtar të verbëruar nga fanatizmi, që po prishte dyshemenë prej mermeri të bazilikës. Islami nuk pranon imazhe, por sulltani s’mund të mos tërhiqej nga estetika e një kryevepre arti. E kështu ndodhi edhe për arkitektët myslimanë, si Sinani i madh (me origjinë shqiptare), për shembull, që ndërtoi xhaminë Sulejmania, tek nxënësi i tij Sedefkar Mehmed Aga, i cili ndërtoi të ashtuquajturën “Xhamia Blu”, vepër e shkëlqyer arti. Pikërisht për modelin e saj arkitektonik, Shën Sofia u njoh si trashëgimi ndërkombëtare nga Unesco, që në vitin 2002, me Deklaratën e Budapestit, nënshkruar edhe nga Turqia, uron të respektohet ekuilibri i drejtë ndërmjet ruajtjes, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të këtij vendi të veçantë. Mendoj se vendimi i Mustafa Qemal Ataturkut, poltikan jashtëzakonisht pragmatik, për ta shndërruar Shën Sofinë në muze, në vitin 1934, mbetet edhe sot mënyra e vetme për ta ruajtur si arkitekturën e saj, ashtu edhe vlerën simbolike, që ka për historinë. Natyrisht, shumë besimtarë nuk e mendojnë kështu. Por, më duket poshtëruese për çdo kulturë ta identifikojë maturinë historike a fuqinë e fesë së vet, me sasinë e flamujve kombëtarë mbi hartën gjeografike e me hapësira e simbole të monopolizuara, duke përjashtuar tjetrin. Për hir të së vërtetës, nuk më është dukur kurrë realiste perspektiva e përdorimit ndërfetar të një vendi si Shën Sofia. Por besoj vendosmërisht në rëndësinë e vendeve, që e “lartojnë” njeriun drejt misterit të Transhendencës, që bashkon e nuk ndan! Shën Sofia është një prej këtyre vendeve, me bukuri mahnitëse, që flet fuqishëm për Zotin e që duhet të vazhdojë të përdoret në gjithë plotësinë e saj, pavarësisht nga kundërshtitë e simbolikës, që u referohet universeve të ndryshme fetare e kulturore. Një mik turk mysliman më shkruate, pak ditë më parë, se është trishtuar thellë që më pak njerëz do të mund ta vizitojnë Shën Sofinë, pasi, pikërisht duke kundruar disa herë këtë kryevepër, me histori kaq të ndërlikuar, ai vetë mësoi rëndësinë e dialogut. Në këtë rast, monumenti është peshtaf bukurie, shkollë e larmisë, që pasuron.

10 gusht 2020, 17:19