Kërko

 Bazilika e Shën Sofisë Bazilika e Shën Sofisë  

Lutja e parë islamike në Shën Sofi, me masa të jashtëzakonshme sigurie

Më se 20 mijë policë turq ishin të pranishëm për të ruajtur besimtarët myslimanë, që luteshin dje, e premte, në Bazilikën e krishterë. Papa Françesku, tepër i hidhëruar për shndërrimin e Shën Sofisë në xhami

R. SH. - Vatikan

Pas 86 vjetësh, dje, në Shën Sofi, ish-bazilikë e krishterë, përururar në vitin e largët 537 nën perandorin Justiniani, u mbajt lutja e parë islamike e së premtes. Si u bë xhami, në vitin 1453, pas pushtimit të Kostandinopojës nga Otomanët, e u kthye në muze, në vitin 1934, nga presidenti i parë i Turqisë, Mustafa Kemal Atatűrk, u bë përsëri vend kulti islamik, me dekret presidencial. Para hyrjes u vendos një pllakë e gjelbër, ku shkruhet në turqisht, arabisht e anglisht: “Xhamia e madhe e Shën Sofisë”. Shën Sofia, e rikujtojmë, është Dija Hyjnore!

Kujtojmë edhe se në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 12 korrikut të kaluar, Papa Françesku, duke folur për këtë vendim, pohoi se ndjehet thellësisht i hidhëruar.

Dhimbja e Papës për Shën Sofinë

Papa e pati vizituar Shën Sofinë më 29 nëntor 2014, me rastin e shtegtimit apostolik në Turqi. Në përfundim të vizitës pati lënë në Librin e Artë një kushtim, shkruar me shkronja greke: “Αγία Σοφία του Θεού – Dija e Shenjtë e Hyjit”.

Gjashtë vjet pas kësaj vizite, Shën Sofia jetoi një ditë, që i jepte fund 86 vjetëve jetë si muze.

Lutja e parë islamike

Lutja e parë e së premtes, pas shndërrimit në xhami, u shoqërua me masa të rrepta sigurimi. Besimtarët qenë porositur të sjellin me vete maskat e sixhadetë personale për lutjen.

Shën Sofia, pronë e përbashkët e UNESCO-s, do të mbetet e hapur për vizitorët pas orareve të lutjes. Gjatë riteve islamike, ikonat e krishtera do të mbulohen. Ministria e Kulturës dhe e Turizmit e Ankarasë njoftoi se mbulesat do të vendosen para ikonave të Virgjërës Mari dhe Kryeengjëllit Gabriel.

Shën Sofia duhet të jetë vend i paqes dhe i dialogut!

Një mori zërash janë ngritur kundër vendimit të qeverisë turke, për ta kthyer Shën Sofinë në xhami. Komiteti i lartë për Vëllazërimin Njerëzor  në një letër, drejtuar Këshillit Botëror të Kishave, i bën thirrje  presidentit turk Erdogan, duke i kërkuar të mos nxisë përçarjet, por mirëkuptimin, respektin, dialogun e bashkëpunimin. E të gjithë i fton ta shmangin çdo hap, që  mund ta minojë dialogun ndërfetar dhe komunikimin ndërkulturor   e të krijojë tensione dhe urrejtje ndërmjet ndjekësve të feve të ndryshme!

 

25 korrik 2020, 10:32