Selia e Shenjtë: Inteligjenca Artificiale mundësi, por njeriu mund të bëhet skllav i makinave
R.SH. – Vatikan
Inteligjenca Artificiale nuk duhet konsideruar si njerëzit, nuk duhet hyjnizuar, nuk duhet të zëvendësojë marrëdhëniet njerëzore, por duhet përdorur “vetëm si një mjet plotësues i inteligjencës njerëzore”. Të gjitha paralajmërimet e Papës për Inteligjencën Artificiale, gjatë viteve të fundit, janë baza e “Antiqua et Nova”, Nota e Vatikanit për marrëdhëniet ndërmjet Inteligjencës Artificiale dhe Inteligjencës njerëzore, fryt i reflektimit të Dikasterit për Doktrinën e Fesë dhe të atij për Kulturën dhe Edukimin. Një dokument, që u drejtohet “prindërve, mësuesve, meshtarëve, ipeshkvijve dhe të gjithë atyre, që janë të thirrur për të edukuar dhe për të transmetuar fenë”. Gjithashtu, u flet gjithë njerëzve, që duan ta përdorin zhvillimin shkencor e teknologjik për të mirën e përbashkët. Nota, e miratuar nga Papa Françesku, u publikua sot, më 28 janar.
Në 117 paragrafe, “Antiqua et Nova” - titull që i referohet dijes së lashtë e të re - nënvizon sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të Inteligjencës Artificiale (IA) në fushat e arsimit, ekonomisë, punës, shëndetësisë, të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ndërpersonale, si edhe në kontekstet e luftës. Në këtë fushë të fundit, për shembull, potenciali i IA - paralajmëron Nota - mund t’i shtojë armët e mjetet e tjera të luftës "përtej mundësive të kontrollit njerëzor", duke përshpejtuar "një garë destabilizuese armatimesh, me pasoja shkatërrimtare për të drejtat e njeriut".
Rreziqet dhe mundësitë
Në dokument, duke u përpjekur të ruhet ekuilibri, renditen një sërë rreziqesh, që mund të vijnë nga përdorimi i Inteligjencës Artificiale, por edhe mundësitë pozitive, që rrjedhin prej saj. Edhe kur përdorimi i saj duket pa probleme, siç është hartimi i teksteve apo kompozimi i imazheve, kjo ndikon në “krizën në rritje të së vërtetës”, siç ka theksuar shpesh Ati i Shenjtë. Nota bën një dallim të qartë ndërmjet Inteligjencës Artificiale dhe asaj njerëzore. Kjo e fundit "ushtrohet në marrëdhënie" të modeluara nga Zoti dhe "formohet nga një mori përvojash të jetuara fizikisht". Inteligjencës Artificiale "i mungon aftësia për t’u zhvilluar në këtë kuptim". Vizoni mbi të cilin bazohet është funskionalist, varet nga rezultatet, pa pyetur për dinjitetin njerëzor, që është themelor e mbetet gjithmonë i paprekur. Vetë fjala inteligjencë nuk duhet përdorur në këtë rast, vëren Nota, pasi IA nuk është "ndonjë formë artificiale e inteligjencës njerëzore", por "një nga produktet e saj".
Pushtet në duart e disave
Si çdo produkt i gjenisë njerëzore, Inteligjenca Artificiale mund të përdoret për qëllime pozitive, ose negative, nënvizohet në “Antiqua et Nova”. Pa mohuar se ky mjet paraqet risi të rëndësishme për fusha të ndryshme, paralajmërohet se mund edhe të keqësojë gjendjet, ku ka mënjanim, diskriminim, varfëri e pabarazi. Në Notë denoncohet se zbatimet kryesore të kësaj teknologjie janë në duart e pak kompanive të fuqishme, prandaj, ka rrezik që ajo të manipulohet për fitime, ose “për ta orientuar opinionin publik drejt interesave sektoriale”. E pastaj, lufta. Nëse, nga njëra anë, Inteligjenca Artificiale mund të përdoret për të ndihmuar në arritjen e paqes e të sigurisë, nga ana tjetër, mund të jetë bazë për armë vdekjeprurëse, që nuk parashikojnë ndërhyrjen e njeriut e as “gjykimin moral”. Në mbledhjen e G7-ës, në Pulje, Papa pati kërkuar të ndalohet përdorimi i tyre: “Asnjë makinë – pati thënë ai – nuk duhet të zgjedhë kurrë nëse i duhet marrë jeta njeriut”. Këto teknologji “i japin luftës një fuqi shkatërrimtare të pakontrollueshme, e cila prek shumë civilë të pafajshëm, pa kursyer as fëmijët”, nënvizon “Antiqua et Nova”.
Marrëdhëniet njerëzore, ekonomia e puna
Përsa u përket marrëdhënieve njerëzore, vërehet se IA mund të “favorizojë lidhjet”, por mund të sjellë edhe një “izolim të dëmshëm”, që ndikon negativisht sidomos në edukimin e fëmijëve. Është thellësisht e pamoralshme, nënvizohet në Notën e Vatikanit, paraqitja e Inteligjencës Artificiale si të ishte qënie njerëzore e përdorimi i saj manipulativ në fusha si edukimi, marrëdhëniet njerëzore, përfshirë sferën seksuale. Tërhiqet vëmendja edhe ndaj përdorimit të kësaj teknologjie në fushën e ekonomisë e të punës, ku ajo mund të ndihmojë, por edhe të skualifikojë punonjësit, duke ua nënshtruar mbikqyrjes e përsëritjes së automatizuar e duke penguar kështu aftësitë për shpikje të reja e risi. “Kështu, njerëzimi do të dëmtonte vetveten”, thuhet qartë në Notë. Të njëjtat parime vlejnë edhe për zbatimet në fushën e shëndetësisë e të arsimit, me rrezikun për të krijuar një shëndetësi vetëm për të pasur, që mund të paguajnë e duke bërë të humbasë mendimi kritik ndër nxënësit e studentët.
Fake News dhe Deepfake
I rëndësishëm roli i Inteligjencës Artificiale në fushën e informacionit, ku fatkeqësisht, mund të përdoret edhe për të përhapur lajme të manipuluara, ose të rreme, të ashtuquajturat “fake news”. Edhe më keq, kur shpërndahen qëllimisht imazhe, video dhe audio të falsifikuara thellësisht, të ashtuquajturat “deepfake” (përfaqësime të modifikuara, ose të krijuara nga algoritmi) për të "mashtruar ose dëmtuar" njerëzit. Në Dokument, jepet alarmi edhe për kontrollin mbi jetën private të njerëzve e mbi liritë e tyre, përfshirë lirinë fetare. E, nëse nga njëra anë, vlerësohen modelet e IA-së për të përmirësuar shëndetin e ambientit e të gjithë planetit, nga ana tjetër, vihet në dukje se këto modele kërkojnë sasi të jashtëzakonshme energjie dhe uji e kontribuojnë në shtimin e emetimeve të gazit serë.
Marrëdhëniet me Zotin
Edhe Inteligjenca Artificiale, nënvizohet së fundi në Notën e Vatikanit, është “një pasyrim i zbehtë” i njeriut, që është vepër e duarve të Hyjit. E mendimi se “mund ta zëvendësojmë Zotin me një vepër të duarve të njeriut është idhujtari”, siç e bën të qartë Shkrimi Shenjt. Ka rrezik që kjo teknologji të hyjnizohet aq, sa “qenia njerëzore, të bëhet skllav i veprës së vet". Prandaj, këshillohet në Dokument, “IA duhet të përdoret vetëm si mjet plotësues i inteligjencës njerëzore dhe jo të zëvendësojë pasurinë e saj”.