Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Karfreitagszauber
Programe Podcast
Forumi Ekonomik Botëror i Davosit Forumi Ekonomik Botëror i Davosit

Papa, Forumit të Davosit: Inteligjenca Artificiale të mos e dhunojë dinjitetin e njeriut

Françesku u shkruan politikanëve dhe ekonomistëve të mbledhur nga 20 deri më 24 janar në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit 2025, dominuar nga diskutimet mbi tregtinë, tarifat, Inteligjencën Artificiale. “IA nuk është ndonjë formë artificiale e inteligjencës njerëzore, por produkt i saj. Nëse përdoret si duhet, Inteligjenca Artificiale e ndihmon njeriun në përmbushjen e thirrjes së tij, në liri dhe përgjegjësi”, shkruan Ati i Shenjtë

R.SH. – Vatikan

Inteligjenca Artificiale të përdoret për të mirën dhe mirëqënien e njerëzve. Kështu i shkruan Papa Françesku Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, që po mbahet si çdo vit në Zvicër, nga 20 deri më 24 janar, me temë “Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente”, referim i qartë për kohën kur njerëzimit i duhet të përballet me Inteligjencën Artificiale, e cila, sipas Atit të Shenjtë, mund të jetë “mjet jo vetëm për bashkëpunim, por edhe për bashkimin e popujve”.

Tregtia, taksat dhe Inteligjenca Artificiale, në qendër të Forumit të Davosit

Ende pa u shuar jehona e përgjigjes së kryetares së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ndaj kërcënimit të presidentit të ri amerikan Donald Trump se do të vërë taksa për prodhimet evropiane, në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit vijojnë diskutimet edhe për çështje të tjera. Kreu i OKB-së, António Guterres, ngriti me forcë çështjen e pasojave të ndryshimeve klimatike, duke denoncuar përdorimin pa kriter të lëndëve djegëse fosile. Gjithashtu, bëri thirrje për vëmendje më të madhe ndaj rreziqeve, që vijnë nga Inteligjenca Artificiale e nga përdorimi i saj i pakontrolluar. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara kryesoi një sërë aktivitetesh dhe sesionesh në Takimin vjetor të ekonomistëve e politikanëve në Davos, ku u trajtuan tema si potenciali i zhvillimit ekonomik në vende si Kina e Rusia, premtimet dhe rreziqet e Inteligjencës Artificiale si edhe linja e re e politikës së jashtme të Uashingtonit. Ndërkaq, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri një sërë takimesh dypalëshe, si me presidentin izraelit Isaac Herzog, me kreun e opozitës gjermane, kancelarin e mundshëm Friedrich Merz dhe me presidentin e Vietnamit Luong Cuong – në përpjekjen për të gjetur mbështetje për luftën e Ukrainës kundër Rusisë.

Mesazhi i Papës: tradita e krishterë dhe rreziqet e IA-së

Në mesazhin e tij, lexuar sot (23 janar), Papa përmend traditën e krishterë, që e konsideron inteligjencën në vetvete si dhuratë të Zotit, prandaj Kisha Katolike e ka mbështetur gjithnjë përparimin e shkencës, të teknologjisë, të arteve, duke i konsideruar si fusha të bashkëpunimit të njeriut me Zotin. “Inteligjenca Artificiale – vëren Ati i Shenjtë - synon të imitojë inteligjencën njerëzore që e ka projektuar atë, megjithatë, shtron një sërë pyetjesh dhe sfidash unike. Ndryshe nga shumë shpikje të tjera njerëzore, Inteligjenca Artificiale mëson nga rezultatet e krijimtarisë njerëzore, gjë që i mundëson asaj të krijojë artefakte të reja me një nivel aftësie dhe me shpejtësi, që shpesh bëhen rivale, ose i kapërcejnë aftësitë njerëzore, duke shtruar çështje kritike për ndikimin e saj në rolin e njerëzimit në botë. Për më tepër, rezultatet që mund të prodhojë Inteligjenca Artificiale janë pothuajse të padallueshme nga ato të qenieve njerëzore”, denoncon Papa Françesku, duke paralajmëruar për rreziqet, që mund të vijnë prej saj, sidomos përsa i përket së vërtetës, tashmë në krizë në forumin publik. Gjithashtu, Ati i Shenjtë vë në dukje se kjo teknologji mund të vendosë në mënyrë autonome, duke dhënë përgjigje të paparashikuara nga programatorët, gjë që vë në diskutim përgjegjësinë etike, sigurinë njerëzore dhe ndikimet më të gjera të këtyre zhvillimeve për shoqërinë.

Qeniet njerëzore vendosin me zemër

Në ndryshim prej saj, qeniet njerëzore janë në gjendje jo vetëm të përzgjedhin, por edhe të vendosin me zemër. Papa vë në pah gabimin e parë themeltar kur flitet për Inteligjencën Artificiale.

“Vetë përdorimi i fjalës "inteligjencë" për Inteligjencën Artificiale është emërtim i gabuar, pasi IA nuk është ndonjë formë artificiale e inteligjencës njerëzore, por produkt i saj. Nëse përdoret si duhet, Inteligjenca Artificiale e ndihmon njeriun në përmbushjen e thirrjes së tij, në liri dhe përgjegjësi”, shkruan Françesku për Forumin e Davosit. Inteligjenca Artificiale, nënvizon ai më tej, duhet të marrë urdhra nga njeriu dhe të bëhet pjesë e përpjekjeve për të arritur drejtësi e vëllazërim më të madh, si edhe një rend më njerëzor marrëdhëniesh shoqërore, të cilat janë më të vlefshme se përparimet në fushën teknike.

Rreziku që IA të përdoret për ‘paradigmën teknokratike’

“Sidoqoftë, - vëren Papa - ekziston rreziku që IA të përdoret për ‘paradigmën teknokratike’, e cila i sheh të gjitha problemet e botës si të zgjidhshme vetëm përmes mjeteve teknologjike. Në këtë paradigmë, dinjiteti njerëzor dhe vëllazërimi i nënshtrohen shpesh kërkesës për rendiment, sikur realiteti, mirësia dhe e vërteta të rrjedhin, në thelb, nga vlerat teknologjike dhe ekonomike. Por, dinjiteti njerëzor nuk duhet cënuar kurrë për hir të rendimentit. Zhvillimet teknologjike, që nuk e përmirësojnë jetën për të gjithë, por, përkundrazi, krijojnë, ose shtojnë pabarazi dhe konflikte, nuk mund të quhen progres i vërtetë. Për këtë arsye, Inteligjenca Artificiale duhet të vihet në shërbim të një zhvillimi më të shëndetshëm, më njerëzor, më shoqëror dhe më të gjithanshëm”.

Thirrja e Papës për të ushtruar vigjilencë, për të mirën e të gjithëve

Përparimi, që premton Inteligjenca Artificiale, vijon më pas Ati i Shenjtë, kërkon rizbulimin e rëndësisë së bashkësisë dhe kujdesin për shtëpinë e përbashkët, që na është besuar nga Zoti. Papa u bën thirrje qeverive dhe sipërmarrjeve të botës të ushtrojnë vigjilencën e duhur, duke vlerësuar në mënyrë kritike zbatimet e Inteligjencës Artificiale, rast për rast, si edhe duke verifikuar nëse përdorimi i saj promovon dinjitetin njerëzor e të mirën e përbashkët. Duhet kohë për të parë si do të ndikojë përdorimi i Inteligjencës Artificiale në shoqëri, por Ati i Shenjtë nxit që të punohet me përgjegjësi, në të gjitha nivelet, për t’u siguruar që ajo “të orientohet për të mirën e mirëqënien e të gjithëve”.

23 janar 2025, 11:51
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031