Kërko

Editorial

Një ditë e trishtë

Koment mbi votën e Parlamentit Evropian për përfshirjen e së drejtës për abort në Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së

Andrea Tornielli

Dje ishte ditë e trishtuar për Evropën dhe për institucionet e saj. Të sanksionosh se aborti, d.m.th. vrasja e qëllimshme e qenieve më të pambrojtura njerëzore - ju lutem, askush të mos i quajë "shtojcë", ose "copë e vogël mishi" – të shndërrohet deri në të drejtë themelore, thotë shumë për devijimin aktual nga etika. Të hënën u botua një deklaratë e Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, miratuar nga Papa Françesku, në lidhje me "dinjitetin e pafund" të çdo qenieje njerëzore, si edhe një listë jo përfundimtare shkeljesh, nga të cilat vuan sot ky dinjitet. Në këto shkelje bën pjesë edhe aborti.

“Më shumë se kurrë, kemi nevojë për guxim që ta shohim të vërtetën në sy dhe t'i quajmë gjërat me emrin e tyre, pa bërë kompromise sipas interesave e pa e mashtruar vetveten – lexohet në dokumentin, ku pasqyrohen hapat e fundit të magjisterit papnor. - Sido që të kryhet, aborti është vrasje e qëllimshme dhe e drejtpërdrejtë e një njeriu në fazën fillestare të ekzistencës së tij, ndërmjet zënies dhe lindjes. Fëmijët e palindur janë, pra, më të pambrojturit dhe më të pafajshmit, të cilëve sot duam t'u mohojmë dinjitetin njerëzor, me qëllimin për të bërë me ta ç’të duam, duke ua marrë jetën dhe duke promovuar legjislacione, që askush të mos na pengojë. Prandaj, duhet thënë me gjithë forcën dhe qartësinë e mundshme, edhe në kohën tonë, se kjo mbrojtje e jetës së sapolindur është e lidhur ngushtë me mbrojtjen e çdo të drejte njerëzore. Presupozon bindjen se njeriu është gjithmonë i shenjtë dhe i paprekshëm, në çdo situatë dhe në çdo fazë të zhvillimit të tij”.

Dihet se vendimi i Parlamentit, për të hyrë në fuqi, ka nevojë për ratifikimin unanim të 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe unanimiteti në këtë fushë do të jetë i vështirë për t'u arritur. Por sinjali mbetet: një Evropë e heshtur, e lodhur, e paaftë për të menduar me një zë të vetëm nisma diplomatike për të frenuar luftën e vazhdueshme dhe humnerën drejt së cilës bota po shkon me një ritëm gjithnjë e më të shpejtë; një Evropë e paaftë për të marrë përsipër përgjegjësinë si komunitet për gjendjen e vështirë të emigrantëve dhe për t’i ndihmuar ata, duke mos lejuar që Mesdheu të vazhdojë të jetë varrezë; kjo Evropë dëshmoi se ndër përparësitë e saj, është ai i lartimit në të drejtë themelore evropiane i një mundësie, që shumica e vendeve anëtare të BE-së e parashikojnë në legjislacionet e tyre përkatëse e që s’është tjetër, veçse vrasja e grave dhe e burrave në fazën fillestare të jetës.

Jo më larg se dje, ndërsa Parlamenti Europian po përgatitej të votonte për abortin, Papa, në audiencën e tij me pjesëmarrësit në seancën plenare të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, foli për kulturën e sotme të hedhurinave, e cila kthehet në kulturë vdekjeje, që prek më të brishtët: “Çdo njeri ka të drejtën për një jetë dinjitoze dhe për t'u zhvilluar plotësisht, "edhe kur nuk është aq produktiv, edhe kur është lindur, ose është rritur me kufizime; në të vërtetë, kjo nuk e pakëson dinjitetin e tij të jashtëzakonshëm si njeri, dinjitet që nuk bazohet në rrethana, por në vlerën e qenies së tij. Kur ky parim elementar nuk ruhet, nuk ka të ardhme as për vëllazërimin dhe as për mbijetesën e njerëzimit" (“Fratelli tutti” n. 107)".

12 prill 2024, 17:22