Kërko

Konferenca për shtyp e paraqitjes së dokumentit Dignitas Infinita Konferenca për shtyp e paraqitjes së dokumentit Dignitas Infinita

Dignitas Infinita: "Dinjiteti i njeriut është e vërtetë universale, që duhet njohur"

Nga lufta te varfëria, nga dhuna kundër emigrantëve te dhuna kundër grave, nga aborti te amësia surrogate e te eutanazia, nga teoria gjinore te dhuna dixhitale, deri te ndryshimi i seksit dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Këto janë temat kryesore të Deklaratës "Dignitas Infinita" të Dikasterit vatikanas për Doktrinën e Fesë, pjesa e fundit e së cilës i kushtohet "disa shkeljeve të rënda të dinjitetit njerëzor"

R.SH. – Vatikan

Të ripohohet "domosdoshmëria e konceptit të dinjitetit të njeriut brenda antropologjisë së krishterë": një "e vërtetë universale, të cilën duhet ta njohim të gjithë, si kusht themelor që shoqëritë tona të jenë vërtet të drejta, paqësore, të shëndetshme dhe së fundi, autentikisht njerëzore". Ky është  – siç shpjegoi prefekti, kard. Victor Manuel Fernandez, në konferencën e sotme për shtyp, në Vatikan - objektivi i deklaratës "Dignitas Infinita" të Dikasterit për Doktrinën e Fesë, dokument, që pas 5 vitesh punë, përkujton 75-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Dokumenti u paraqit sot, 8 prill. Nga lufta kundër varfërisë, nga dhuna kundër emigrantëve te dhuna kundër grave, nga aborti te amësia surrogate e te eutanazia, nga teoria gjinore te dhuna dixhitale e, deri te ndryshimi i seksit dhe trafikimi i qenieve njerëzore: këto janë përmbajtja e pjesës së fundit të dokumentit, kushtuar “disa shkeljeve të rënda të dinjitetit njerëzor”, lista e të cilave nuk përfundon këtu. Në tri pjesët e para, Deklarata rikujton parimet themelore dhe premisat teorike, për të sqaruar mirë termin "dinjitet". Në pjesën e katërt, paraqiten “disa situata problematike aktuale, në të cilat nuk njihet si duhet dinjiteti i pamasë dhe i patjetërsueshëm, që meriton çdo qenie njerëzore”.

“Një nga fenomenet që kontribuon konsiderueshëm në mohimin e dinjitetit të shumë qenieve njerëzore është varfëria ekstreme, që lidhet me shpërndarjen e pabarabartë të pasurisë”, nënvizohet në pjesën e katërt të tekstit, në të cilin vihet në dukje shtimi i pabarazive dhe “dallimi ndërmjet vendeve të pasura dhe vendeve të varfra”, duke u bazuar edhe mbi “varfërinë e re”, përfshirë papunësinë, për shkak të uljes me çdo kusht të kostos së punës, “pa marrë parasysh pasojat e rënda, që sjell kjo”.

"Kurrë më luftë!": në dokument përsëritet thirrja në bazën e magjisterit të papëve, duke kujtuar edhe fjalët e Papës Françesku për situatën e sotme, kur vijon "lufta e tretë botërore pjesë-pjesë". Sot, emigrantët, sidomos ata që ikin nga konfliktet, janë "viktimat e para të formave të shumta të varfërisë". Trafikimi i qenieve njerëzore "është veprimtari e poshtër, turp për shoqëritë tona, që pretendojnë se janë të qytetëruara, është krim kundër njerëzimit", denoncon më tej dokumenti. "Shfrytëzuesit dhe klientët në të gjitha nivelet duhet ta shqyrtojnë seriozisht ndërgjegjen para vetes dhe para Zotit!", paralajmërohet më tej, shoqëruar me ftesën për të luftuar “kundër fenomeneve të tilla si tregtia e organeve dhe e indeve njerëzore, shfrytëzimi seksual i djemve dhe i vajzave, skllavërimi i punës, prostitucioni, droga dhe armët, terrorizmi dhe krimi i organizuar ndërkombëtar". “T’i jepet fund çdo lloj abuzimi, duke filluar nga brenda”: ky ndërkaq, impenjimi për të luftuar një “dukuri të përhapur në shoqëri”, që “prek edhe Kishën dhe paraqet një pengesë serioze për misionin e saj”.

“Dhuna kundër grave është skandal global, i cili po njihet gjithnjë e më shumë”: ky, denoncimi tjetër i Dikasterit, drejtuar nga kard. Fernandez: "Fenomeni i feminicidit nuk dënohet kurrë sa duhet". “Ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim, nënvizohet në dokument. “Është urgjente – analizohet në të - të arrihet barazia efektive e të drejtave personale kudo dhe, si rrjedhim, paga e barabartë për punën e barabartë, mbrojtja e nënës që punon, ecuria e drejtë e karrierës, barazia ndërmjet bashkëshortëve para ligjeve mbi familjen, njohja e gjithçkaje që lidhet me të drejtat dhe detyrat e qytetarëve në një regjim demokratik”. Ndër format e dhunës, dokumenti përmend "detyrimin për abort, i cili prek si nënën ashtu edhe fëmijën, shpesh, për të kënaqur egoizmin e meshkujve" dhe praktikën e poligamisë, e gjykuar "në kundërshtim me dinjitetin e barabartë të grave dhe burrave, si edhe me dashurinë bashkëshortore, e cila është unike dhe ekskluzive”.

I qartë, dënimi i abortit, kundër të cilit "magjisteri kishtar është shprehur gjithmonë", si edhe ai i amësisë surrogate, konsideruar praktikë "e dënueshme", e cila "dëmton seriozisht dinjitetin e gruas dhe të fëmijës së saj", praktikë për t’u ndaluar "në nivel universal”.

“Jeta është një nga të drejtat e njeriut e jo vdekja, e cila duhet të pranohet e jo të shkaktohet”: ky, paralajmërimi kundër eutanazisë, “rast i veçantë i cënimit të dinjitetit njerëzor”, që po fiton shumë terren. “Jo” eutanazisë dhe vetëvrasjes së asistuar, por “po” kujdesit paliativ, që është “krejtësisht i ndryshëm e në kundërshtim me vendimin për të eliminuar jetën”. Për personat me aftësi të kufizuara, Dikasteri rekomandon përfshirjen, kundër “kulturës së hedhurinave".

Njëkohësisht, raporton shumë "çështje kritike" lidhur me ideologjinë “gender”, e cila "dëshiron të mohojë dallimin më të madh ndërmjet qenieve të gjalla: atë seksual". “Çdo ndërhyrje për ndryshimin e seksit, si rregull, rrezikon të kërcënojë dinjitetin unik, që secili ka marrë që në momentin e zënies në barkun e nënës”, thuhet në Deklaratë. “Kjo nuk do të thotë – sqarohet menjëherë më pas – të përjashtohet mundësia që një person, i cili vuan nga anomali gjenitale të dukshme që në lindje, ose që zhvillohen më pas, të mos ketë të drejtën për të marrë ndihmë mjekësore që t’i zgjidhë këto anomali”.

Së fundi, "ana e errët e progresit dixhital", e cila mund të favorizojë "krijimin e një bote, në të cilën shtohet shfrytëzimi, përjashtimi dhe dhuna".

08 prill 2024, 17:32