Kërko

Dokumenti "Dignitas Infinita" dhe lista e “shkeljeve të rënda” të dinjitetit njerëzor

Dokumenti i Dikasterit për Doktrinën e Fesë "Dignitas Infinita", që kërkoi pesë vjet punë, përfshin magjisterin papnor të dekadës së fundit: nga lufta tek varfëria, nga dhuna kundër emigrantëve e dhuna kundër grave, tek aborti, amësia surrogate dhe eutanazia; nga teoria gjinore, te dhuna dixhitale

R.SH. / Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Tre kapituj ofrojnë bazat për pohimet e të katërtit, kushtuar "disa shkeljeve të rënda të dinjitetit njerëzor": është deklarata "Dignitas Infinita" e Dikasterit për Doktrinën e Fesë. Risia kryesore e dokumentit, rezultat i një pune pesëvjeçare, është përfshirja e disa temave kyçe të magjisterit të fundit papnor, të cilat plotësojnë ato bioetike.

Në listën “jo shteruese” që ofrohet, ndër cenimet e dinjitetit njerëzor, krahas abortit, eutanazisë dhe amësisë surrogate, figurojnë lufta, drama e varfërisë dhe e emigrantëve, si dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

Teksti i ri kontribuon, kështu, në tejkalimin e dikotomisë ekzistuese ndërmjet atyre që përqendrohen në mbrojtjen e jetës së palindur ose në vdekjen, duke harruar shumë sulme të tjera kundër dinjitetit njerëzor dhe, anasjelltas, ata që përqendrohen vetëm në mbrojtjen e të varfërve dhe emigrantëve, duke harruar se jeta duhet mbrojtur që nga zënia - deri në përfundimin e saj natyror.

Parimet themelore

Në tri pjesët e para të deklaratës rikujtohen parimet themelore. "Kisha, në dritën e Zbulesës, përsërit dhe vërteton absolutisht" "dinjitetin ontologjik të personit njerëzor, të krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë me Zotin e të shëlbuar në Krishtin Jezus" (1). Dokumenti kritikon ata që "e  kuptojnë si person vetëm "qenien e aftë për të arsyetuar". Si pasojë, argumentojnë se “një fëmijë i palindur nuk mund të ketë dinjitet personal, as një i moshuar i paaftë, madje as njeriu me aftësi të kufizuara mendore. Kisha, përkundrazi, këmbëngul në faktin se dinjiteti i çdo njeriu, pikërisht sepse është i brendshëm, mbetet përtej çdo rrethane” (24). Veç kësaj thuhet se "koncepti i dinjitetit njerëzor ndonjëherë shpërdorohet për të justifikuar shumëfishimin arbitrar të të drejtave të reja... si të synohej të garantohet aftësia për të shprehur dhe për të realizuar çdo pëlqim individual ose dëshirë vetjake (25).

Varfëria, lufta dhe trafikimi i qenieve njerëzore

Deklarata, më pas, paraqet listën e "disa shkeljeve të rënda të dinjitetit njerëzor". Fillimisht flitet për "dramën e varfërisë", "një nga padrejtësitë më të mëdha të botës bashkëkohore" (36). Pastaj vjen lufta, «tragjedi, që mohon dinjitetin njerëzor» dhe «humbje e përhershme e njerëzimit» (38), deri në atë pikë sa «sot është shumë e vështirë të mbështeten kriteret racionale të zhvilluara në shekujt e tjerë për të kujtuar një “luftë të drejtë” të mundshme” (39).E vazhdojmë me "mundimet e emigrantëve", "jeta e të cilëve vihet në rrezik, sepse nuk kanë më mjete për të krijuar familje, për të punuar apo për të ushqyer veten" (40). Pasi ndalet tek “trafikimi i qenieve njerëzore”, që po merr “përmasa tragjike” e që quhet “veprimtari e poshtër, turp për shoqëritë tona që pretendojnë se janë të qytetëruara”, dokumenti i fton “shfrytëzuesit dhe klientët” t’i rrëmojnë seriozisht ndërgjegjet (41). Më pas, ftesa për të luftuar kundër fenomeneve të tilla si “tregtia e organeve dhe indeve njerëzore, shfrytëzimi seksual i djemve dhe vajzave, puna e skllevërve, përfshirë prostitucionin, trafikun e drogës dhe të armëve, terrorizmin dhe krimin e organizuar ndërkombëtar” (42). Përmendet edhe “abuzimi seksual”, i cili lë “vraga të thella në zemrat e atyre, që vuajnë prej tij” (43). Vazhdojmë me diskriminimin e grave dhe dhunën ndaj tyre, duke përmendur edhe «abortin e detyruar, që prek nënën dhe fëmijën, gjithnjë më shpesh vetëm për të kënaqur egoizmin e meshkujve» dhe «praktikën e poligamisë» (45). “Feminicidi” dënohet (46).

Aborti dhe amësia surrogate

Dënimi i abortit atëherë është i qartë: «ndër të gjitha krimet që njeriu mund të kryejë kundër jetës, aborti i porositur ka karakteristika, që e bëjnë veçanërisht të rëndë e të dënueshëm» dhe na kujton se «mbrojtja e jetës së palindur lidhet ngushtë me mbrojtjen e çdo të drejte njerëzore” (47). E fortë edhe një jo ndaj amësisë surrogate, «përmes së cilës fëmija, jashtëzakonisht i denjë, bëhet thjesht objekt», një praktikë “që dëmton rëndë dinjitetin e gruas dhe të fëmijës së saj... bazuar në shfrytëzimin e nevojave materiale të nënës. Fëmija është gjithmonë dhuratë dhe asnjëherë objekt kontrate” (48). Lista më pas përmend eutanazinë dhe vetëvrasjen e asistuar, duke kujtuar se "vuajtja nuk e bën pacientin të humbasë dinjitetin që është i tiji në mënyrë të patjetërsueshme" (51). Më pas flitet për rëndësinë e kujdesit paliativ dhe shmangien e “çdo tërbimi terapeutik apo ndërhyrjeje joproporcionale”, duke përsëritur se “është e drejtë jeta, jo vdekja, e cila duhet të mirëpritet, po jo të administrohet” (52). Ndër cenimet e rënda të dinjitetit njerëzor është edhe “flakja” e njerëzve me aftësi të kufizuara (53).

Teoria gjinore

Pasi përsërit se "çdo shenjë diskriminimi të padrejtë dhe veçanërisht çdo formë agresioni dhe dhune kundër homoseksualëve" duhet shmangur, duke e denoncuar "në kundërshtim me dinjitetin njerëzor" faktin se në disa vende këta njerëz "janë të burgosur, të torturuar dhe madje të privuar nga e mira e jetës" (55), dokumenti kritikon teorinë gjinore, "e cila është shumë e rrezikshme sepse fshin dallimet, me pretendimin për t'i bërë të gjithë të barabartë" (56). Kisha kujton se "të bëhesh zot i vetvetes, siç përshkruhet në teorinë gjinore... nuk do të thotë as më pak as më shumë se tundimi i  lashtë i qenies njerëzore për t’u bërë Zot" (57).

Teoria gjinore "dëshiron të mohojë ndryshimin më të madh të mundshëm ndërmjet qenieve të gjalla: atë seksual" (58). Opinioni për ndryshimin e seksit është gjithashtu negativ, megjithëse «kjo nuk do të thotë të përjashtohet mundësia që një person i cili vuan nga anomalitë gjenitale tashmë të dukshme në lindje ose që zhvillohen më pas, mund të marrë ndihmë mjekësore për të zgjidhur anomali të tilla» (60).

Dhuna dixhitale

Lista plotësohet me "dhunën dixhitale" dhe përmend "format e reja të dhunës që përhapen nëpërmjet mediave sociale, për shembull ngacmimin kibernetik" si dhe "përhapjen e pornografisë dhe të shfrytëzimit të njerëzve për qëllime seksuale ose përmes lojërave të fatit" në internet (61 ). Deklarata përfundon duke kërkuar që, përtej të gjitha rrethanave "respekti për dinjitetin e personit njerëzor të vihet në qendër të angazhimit për të mirën e përbashkët dhe të çdo sistemi ligjor" (64).

08 prill 2024, 13:40