Kërko

Takimi i kardinalit Zuppi me Patrikun rus Kirill Takimi i kardinalit Zuppi me Patrikun rus Kirill

Zuppi takon Patrikun rus Kirill: Kishat të punojnë së bashku për paqen

Kardinali, i dërguar i Papës në Moskë, u prit nga Patriku ortodoks: “E vlerësojmë faktin që Ati i Shenjtë ju ka dërguar në Moskë”. Gjatë bisedës, u ripohua roli i feve për paqen e drejtësinë dhe nevoja për të bashkuar forcat “në parandalimin e një konflikti më të madh të armatosur". Kardinali kremtoi meshën në katedralen kushtuar Nënës së Zotit dhe u takua me bashkësinë katolike. Gjatë homelisë theksoi: "Papa nuk dorëzohet dhe përpiqet të bëjë gjithçka për paqen"

R.SH. – Vatikan

         Përfundon sot, 30 qershor, misioni i kardinalit Matteo Maria Zuppi në Moskë, ku shkoi para tri ditësh, në përpjekjen për të gjetur udhë drejt paqes në konfliktin ruso-ukrainas. Mbrëmë, i dërguari i Papës Françesku u takua me Patrikun e Moskës e të gjithë Rusive, Kirill. Në praninë e nuncit apostolik në Rusi, imzot Giovanni D'Aniello, të dyja palët nënvizuan rëndësinë e punës së përbashkët të Kishave "për t'i shërbyer çështjes së paqes dhe drejtësisë", por edhe nevojën që "të gjitha forcat e botës të bashkohen për të parandaluar një konflikt më të madh të armatosur”.

         Fjalë të ngjashme me ato të videotelefonatës së njohur ndërmjet Kirillit dhe Papës Françesku më 16 mars 2022, as një muaj pas sulmit të parë kundër Kievit. Në atë rast, Ati i Shenjtë theksoi rëndësinë e "bashkimit" si barinj të Kishës "në përpjekjen për ta ndihmuar paqen”, pa përdorur “gjuhën e politikës, por gjuhën e Jezusit”.

Vlerësimi për misionin

         Sipas agjencive shtetërore ruse, Patriku Kirill shprehu kënaqësinë për vizitën e kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, njëkohësisht kryeipeshkëv i Bolonjës. “E vlerësojmë faktin që Ati i Shenjtë ju dërgoi në Moskë. Ju jeni kreu i njërës prej dioqezave më të mëdha metropolite në Itali dhe kryeipeshkëv i njohur, që po kryeni një shërbim të rëndësishëm për njerëzit tuaj”, pohoi Patriku ortodoks. Kardinali Zuppi, nga ana e tij, sipas gazetave vendase, e ftoi Kirillin të shkojë për vizitë në Bolonjë.

         I djeshmi, ishte takimi i parë i Kirillit që nga fillimi i luftës me një përfaqësues të drejtpërdrejtë të Papës, pasi nuk u realizua hipoteza e një takimi ndërmjet tij dhe Françeskut në Jerusalem. Kujtojmë se të dy kanë biseduar për herë të parë sy më sy në aeroportin e Kubës, më 2016, kur nënshkruan edhe një deklaratë të përbashkët. Para disa muajsh, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin pati pohuar se marrëdhëniet ndërmjet Kishës Ortodokse Ruse dhe asaj Katolike po kalojnë “një çast të vështirë, duhet pranuar. Por kjo nuk do të thotë se jemi në pikën zero, ose se ka ngricë ndërmjet Kishës Ortodokse Ruse dhe asaj Katolike. Kanalet dhe përpjekjet për dialog ekzistojnë”.

Fotografia, në përfundim të takimit në Patrikanën e Moskës
Fotografia, në përfundim të takimit në Patrikanën e Moskës

Kremtimi në katedralen e Nënës së Zotit

Pas vizitës në Patrikanën e Moskës – ngjarja më e rëndësishme e ditës së dytë dhe të fundit të misionit, së bashku me bisedën me komisaren e Kremlinit për të drejtat e fëmijëve, Marija L'vova-Belova, - kardinali Zuppi kremtoi meshën në katedralen kushtuar Nënës së Zotit dhe u takua me bashkësinë katolike, së cilës i çoi "përshëndetjet, afërsinë dhe lutjet e Atit të Shenjtë". Në homelinë, që iu kushtua solemnitetit të djeshëm të Shën Pjetrit e të Shën Palit, kryeipeshkvi i Bolonjës foli për bashkimin ndërmjet të krishterëve, “që nuk vjen nga pushteti, por nga shërbimi për njëri-tjetrin; jo nga lidhja e gjakut, por nga lidhja e krijuar nga Zoti, e cila na bën bij të Tij, pjesë e familjes së Tij”, prandaj, bashkimi duhet kërkuar vazhdimisht e gjithmonë. Më pas, ftesa e re për paqen: "Si nëna, Kisha lutet pa pushim për dhuratën e paqes, duke e kërkuar atë pa u lodhur, sepse dhimbja e çdo njeriu është edhe dhimbja e saj". Kjo është “e vetmja arsye e misionit të këtyre ditëve, dëshiruar nga Pasardhësi i Pjetrit, i cili nuk dorëzohet dhe përpiqet të bëjë gjithçka për paqen”.

30 qershor 2023, 11:54