Kërko

Kardinali Matteo Maria Zuppi në Patrikanën e Moskës Kardinali Matteo Maria Zuppi në Patrikanën e Moskës

Selia e Shenjtë: kardinali Zuppi në Moskë për të hapur udhë paqeje

Një komunikatë e Vatikanit përshkon misionin dyditor të të dërguarit të Papës në Rusi dhe njofton se "për rezultatet e vizitës do të vihet në dijeni Ati i Shenjtë, në funksion të hapave të mëtejshëm që do të ndërmerren, si në nivelin humanitar, ashtu edhe në kërkimin e rrugëve për paqen"

R.SH. – Vatikan

         Një vizitë, që synon "identifikimin e nismave humanitare, të cilat mund të hapin shtigje për arritjen e paqes": kështu e përcakton Selia e Shenjtë, në një deklaratë, udhëtimin e të dërguarit të Papës Françesku në Moskë, kardinalit Matteo Maria Zuppi, i cili shkoi me mision në kryeqytetin e Rusisë, nga 28 deri më 30 qershor. Rezultatet e arritura gjatë bisedimeve e takimeve të tij do t’i paraqiten Atit të Shenjtë, për të përcaktuar “hapat e mëtejshëm, që do të ndërmerren, si në nivelin humanitar, ashtu edhe në kërkimin e shtigjeve drejt paqes".

Deklarata përmend takimet e kardinalit, si ato me Yuri Ushakov, asistent i Vladimir Putin për çështjet e politikës së jashtme, ashtu edhe atë me Maria Lvova-Belova, komisare e presidentit të Federatës Ruse për të drejtat e fëmijëve. "Gjatë bisedimeve – lexohet në tekst - u theksua fuqishëm aspekti humanitar i nismës, si edhe nevoja për të arritur paqen e shumëdëshiruar".

Zuppi takohet me Patrikun Kirill: Kishat duhet të punojnë për paqen

Në një vizitë të shkurtër në kishën e Shën N’kollit në Tolmachi, pranë Galerisë Tretyakov, kardinali Zuppi, vijon deklarata, "u ndal në lutje para fugures së Zojës së Vladimirit, së cilës ia besoi misionin e tij".

I dërguari i Papës pati një "takim të frytshëm" me Kirillin, Patrikun e Moskës dhe të gjithë Rusive, të cilit "i përcolli përshëndetjet e Atit të Shenjtë dhe me të cilin diskutoi nismat humanitare, që mund të lehtësojnë një zgjidhje paqësore".

Kardinali, përfundon njoftimi për shtyp i Selisë së Shenjtë, “takoi edhe ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore Katolike Ruse, së bashku me një grup të madh meshtarësh, me të cilët kremtoi meshën solemne në katedralen e kryedioqezës së Nënës së Zotit, në Moskë, në praninë e ambasadorëve dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ky ishte edhe rasti për t’i përcjellë bashkësisë katolike afërsinë, kujtimin dhe lutjen e Atit të Shenjtë”.

30 qershor 2023, 16:15