Kërko

Kardinali italian Matteo Maria Zuppi Kardinali italian Matteo Maria Zuppi

Kardinali Zuppi në Moskë më 28 e 29 qershor: të gjendet rruga “për paqen e drejtë”

Pas etapës së Kievit, në fillim të muajit, vijon misioni i kreut të ipeshkvijve italianë, si i dërguar i Papës për të "lehtësuar tensionet" e konfliktit në Ukrainë. Kardinali do të shoqërohet në kryeqytetin rus nga një funksionar i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit. Selia e Shenjtë: "Qëllimi është inkurajimi i gjesteve humane, të cilat mund të ndihmojnë në favorizimin e zgjidhjes së situatës tragjike aktuale”

R.SH. – Vatikan

         Në Rusi - ku fundjavën e kaluar, marrshimi i grupit të mercenarëve Wagner drejt Moskës e rriti tensionin dhe rrezikun për luftë civile - do të vijojë nesër e pasnesër misioni i të dërguarit të Papës Françesku për paqen. Vërtet, më 28 e 29 qershor, kreu i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Matteo Maria Zuppi, shkon në Moskë për të gjetur udhë dialogu, që mund të kontribuojnë në përfundimin e konfliktit në Ukrainë. Kujtojmë se etapa e parë e këtij misioni u zhvillua më 5 dhe 6 qershor, në Kiev, ku kardinali - në të kaluarën, ndërmjetësues i Bashkësisë së Shën Egjidit për marrëveshjen e Mozambikut - u takua edhe me presidentin ukrainas, Volodymir Zelensky.

Të inkurajohen gjeste humane

Faza e dytë është Moska, siç thuhet në notën e 20 majit, me të cilën Papa e ngarkonte kardinalin me misionin e “lehtësimit të tensioneve” ndërmjet rusëve dhe ukrainasve. Kreu i ipeshkvijve italianë do të shoqërohet nga një funskionar i Sekretarisë së Shtetit, pohohet në notën e sotme të Selisë së Shenjtë, ku nënvizohet se “qëllimi kryesor i nismës është të inkurajojë gjestet e humanizmit, të cilat mund të kontribuojnë në favorizimin e zgjidhjes së situatës tragjike aktuale dhe në gjetjen e udhëve për të arritur një paqe të drejtë”. Misioni pritet me interes nga ana e qeverisë ruse, siç deklaroi para disa ditësh, zv.ministri i jashtëm, Alexander Grushko.

Imzot Pezzi: ka rëndësi që Zuppi të takohet me Kirill

         Vlerën e madhe të vizitës në Moskë e nënvizon për agjencinë katolike të lajmeve SIR edhe kreu i ipeshkvijve katolikë rusë, imzot Paolo Pezzi, i cili, duke pasur parasysh ngjarjet e fundit, thekson se “urgjenca dhe nevoja për paqen janë shtuar”. Ka rëndësi fakti që vizita e kardinalit Zuppi u organizua pikërisht në këtë situatë, vëren imzot Pezzi, i cili vë në dukje pritshmëritë e mëdha të rusëve, që “kanë dëshirë ta shohin në sy njëri-tjetrin me qetësi e të rilidhin marrëdhëniet paqësore”.

         “Uroj – vëren imzot Pezzi – që kardinali të takojë Patrikun Kirill, sepse do të ishte gabim të ndaleshim vetëm në nivelin politik. Duhet vënë në lojë edhe faktori njerëzor, antropologjik, fetar, jo pse feja përfshihet në ndonjë mënyrë në këtë situatë, por sepse niveli fetar, gjithsesi, është në një plan më të lartë në krahasim me nivelin politik dhe ekonomik. Prandaj, kjo përfshirje dhe mundësia për këto takime jo vetëm mund të hapin dyer, jo vetëm mund të ndërtojnë ura, por edhe të bëjnë hapa të sigurta e konkrete përpara në udhën drejt paqes”.

Etapa e 5 dhe e 6 qershorit në Kiev

         Në dy ditët e etapës së Kievit, kardinali Zuppi zhvilloi një sërë takimesh pune, por edhe takime lutjesh, të cilat e lejuan të prekte me dorë aspekte të ndryshme të luftës, e cila vijon që prej pesëmbëdhjetë muajsh. Përveç takimit me presidentin ukrainas Zelensky, kardinali u ndal në lutje në Bucha, disa kilometra larg kryeqytetit, vend i njohur që në fillim të konfliktit për masakrën pa dallim të civilëve, lënë në rrugë, ose hedhur në varre masive. Në kryeqytetin e vendit të "martirizuar" të Evropës Lindore, Zuppi bisedoi me komisionerin parlamentar ukrainas për të drejtat e njeriut, Dmytro Lubinets, si edhe me anëtarë të Këshillit të Kishave dhe organizatave fetare. “Rezultatet e atyre bisedimeve – shkruhej në notën vatikanase, në përfundim të etapës ukrainase – si edhe të atyre me përfaqësuesit fetarë, së bashku me përvojën e drejtpërdrejtë të vuajtjeve mizore të popullit ukrainas, për shkak të luftës në vazhdim, do t’i raportohen Atit të Shenjtë dhe sigurisht, do të jenë të dobishme për vlerësimin e hapave, që duhen bërë si në nivelin humanitar, ashtu edhe në kërkimin e rrugëve për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”. Urim, ky i fundit, i njëjtë me atë, që nënvizohet në njoftimin e sotëm për udhëtimin e kardinalit Matteo Zuppi në Moskë.

27 qershor 2023, 14:31