Kërko

L'incontro tra il cardinale Zuppi e il presidente Zelensky a Kyiv L'incontro tra il cardinale Zuppi e il presidente Zelensky a Kyiv

Ukrainë. Kardinali Zuppi takon Zelensky-n: dialog pozitiv e hapa të mëtejshme

Përfundoi takimi i shumëpritur ndërmjet presidenti ukrainas dhe të dërguarit të Papës. Selia e Shenjtë është gati të bëjë ç’është e mundur për të hapur korridore për të ashtuquajturën “diplomaci humanitare”

R.SH. – Vatikan

Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky priti në Kiev kardinalin Matteo Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Italisë. Ditët e fundit, presidenca ukrainase konfirmoi gatishmërinë e saj për të pritur të dërguarin e Papës Françesku për luftën ruso-ukrainase, i cili dje u takua me shumë eksponentë të autoriteteve civile, me të cilët bisedoi për çështjet më të vështira humanitare. Selia e Shenjtë është gati të bëjë ç’është e mundur për të hapur korridore për të ashtuquajturën “diplomaci humanitare”.

Takimi ishte shumë i përzemërt dhe, siç del nga njoftimet e para, kardinali Zuppi dhe presidenti Zelensky ranë dakord për disa pika kyçe, në mënyrë që të bëhen hapa të mëtejshme drejt një dialogu të qëndrueshëm dhe konkret. Që dje, ambasadori ukrainas në Selinë e Shenjtë, Andreii Yurash, i impenjuar personalisht në organizimin e misionit vatikanas, pohoi se “Ukraina e mirëpret interesimin e Selisë së Shenjtë për luftën e përgjakshme nisur nga Rusia, si edhe synimin për të kuptuar më thellë realitetin”. Kjo do të bëjë të mundur “gjetjen e përgjigjeve të duhura, në emër të drejtësisë dhe të paqes”.

Dje, çast emocionues, me lutjen në Bucha, qyteti, ku u gjetën varrezat masive të civilëve të masakruar në fillim të konfliktit. Buzë atyre varrezave u lut edhe Lëmoshtari Apostolik, kardinali Krajewski, gjatë vizitës së tij në vend. Po dje, kardinali Zuppi bisedoi me komisarin parlamentar ukrainas për të drejtat e njeriut, Dmytro Lubinets, mbi çështjen e fëmijëve ukrainas në territoret e pushtuara nga rusët dhe për situatën e të burgosurve, përfshirë ata civilë. Një tjetër takim i rëndësishëm, ai me Këshillin e Kishave dhe të organizatave fetare.

Kreu i shtetit ukrainas kryesoi sot një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së qeverisë, pas hedhjes së 20 raketave mbi kryeqytet e, sidomos, pas sulmit në digën e Kherson-it, që ende vijon të shkaktojë përmbytje të rënda, ndërsa qindra njerëz detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre. Kjo gjendje kompromenton edhe kundërofensivën ukrainase në jug, për shkak të lumit gjigant të baltës, që po derdhet pikërisht përgjatë njërës prej fushave, ku mund të kishin kaluar forcat e Kievit në ditët në vijim.

Misioni i kardinalit Zuppi, i shoqëruar nga nunci apostolik i Lvivit, kryeipeshkvi Visvaldas Kulbokas, vazhdoi sot me takime të tjera, në përfundim të të cilave rezultatet e misionit në Ukrainë do t'i raportohen Atit të Shenjtë, së bashku me hapat që do të ndërmerren gjatë javëve të ardhshme.

06 qershor 2023, 13:10