Kërko

Kardinali Krajewski në lutje në Izyum Kardinali Krajewski në lutje në Izyum

Krajewski në lutje në Izyum, ku “lufta nuk njeh mëshirë”

Kardinali polak, i dërguar nga Papa për të katërtën herë në Ukrainë, u lut para kufomave në varrezat masive. Megjithë egërsinë e paparë të konfliktit, prelati vërejti mëshirën e atyre, që gërmonin tokën me delikatesë për të mos i prishur trupat e për t’u dhënë atyre varrimin e denjë. Para dy ditësh, Krajewski u gjet në mesin e breshërisë së armëve, ndërsa, së bashku me të tjerë, po shpërndante ndihma

R.SH. – Vatikan

“Nuk ka as fjalë, as lot”. Kardinali Konrad Krajewski, Lëmoshtari i Papës, dërguar prej tij për herë të katërt në Ukrainë, e përmbledh me këto fjalë ditën e vështirë, që kaloi dje në vend, ditë, që ta rëndon zemrën me dhimbje, të cilat vetëm lutja mund t’i lehtësojë. Nga Kharkiv, ku mbërriti në mbrëmje, ai tregon, në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican News, për paraditen e djeshme, kaluar me ipeshkvin e dioqezës Kharkiv-Zaporizhia,  imzot Pavlo Honcharuk, në Izyum, vend “i sapolënë nga rusët”, ku u gjetën eshtrat e rreth 500 njerëzve.

“Aty ishim dëshmitarë të një lloj ‘kremtimi’ – le të themi kështu – gjatë të cilit 50 të rinj, kryesisht policë, zjarrfikës, ushtarë të veshur me tuta të bardha, gërmuan dhe nxorën nga varret, shpesh të përbashkëta, kufomat e ukrainasve të vrarë, dikush 3-4 muaj më parë, dikush i sapovarrosur”. Njeriu mbetet pa fjalë para këtij tmerri. “E di... jemi në luftë – shpjegon kardinali Krajewski – e lufta nuk njeh mëshirë, ka edhe të vdekur. Por, të shohësh kaq shumë në një zonë të vetme është diçka e vështirë për t’u treguar, për t’u shpjeguar”.

Nxjerrja e kufomave e zhvendosja e tyre në heshtje, në mesin e mallëngjimit të përgjithshëm, e bëri kardinalin Krajewski të shohë tek vullnetarët, thirrjen e çdo njeriu për këtë vepër mëshire. “Më preku shumë diçka: këta të rinj ukrainas i nxorën trupat me aq delikatesë, kaq në heshtje, krejtësisht në heshtje. Dukej si një kremtim, askush nuk fliste, por aty kishte shumë policë, ushtarë ... Së paku 200 veta. Të gjithë në heshtje, me një vlerësim të pabesueshëm për misterin e vdekjes. Kishte shumë për të mësuar nga këta të rinj”.

Vullnetarë ukrainas në Izyum
Vullnetarë ukrainas në Izyum

“Ishte me të vërtetë një çast prekës kur pashë si u bartën trupat. Dukej sikur po e bënin për familjet e tyre, për prindërit, fëmijët, vëllezërit e motrat. Unë dhe ipeshkvi ecnim mes tyre, thoja Rruzaren e Mëshirës gjatë gjithë kohës, për të paktën 3 orë. Nuk mund të bëja asgjë tjetër”. Ishte, thekson kardinali, “një kremtim i mëshirës”, gjest i bërë me zemër.

“Kjo më ka mbetur në shpirt tani, që jam kthyer në Karkhiv, jam në kapelë e mendoj për këta të rinj”. Ishte vërtet ditë e vështirë, e djeshmja për kardinalin, i cili bëri edhe një vizitë në policinë vendore, shndërruar në dhomë torturash.

“E dija se do të gjeja shumë të vdekur, por takova njerëz, të cilët nxorën në pah bukurinë, që nganjëherë fshihet në zemrat tona. Ata dëshmuan bukurinë njerëzore në atë vend, ku mund të kishte vetëm hakmarrje - pohon kardinali Krajewski. - Por jo! Më erdhën ndërmend fjalët e Shkrimit Shenjt se e keqja duhet mposhtur gjithmonë me të mirën”. Siguri, që është balsam mbi plagët e kësaj lufte.

Vullnetarë ukrainas në Izyum
Vullnetarë ukrainas në Izyum

Para dy ditësh, kardinali polak u ndodh në mesin e një breshërie plumbash, ndërsa po shkonte për të shpërndarë ndihma në Zaporizhia, së bashku me dy ipeshkvij, një katolik dhe një protestant, i shoqëruar nga një ushtar ukrainas. “Për herë të parë në jetën time – deklaroi ai për Vatican News – nuk dija nga të ikja… sepse nuk mjafton të vraposh, duhet të dish ku të shkosh”. Fatmirësisht, gjithçka shkoi mirë, askush nuk u lëndua dhe ndihmat u çuan në destinacion, së bashku me rruzaret e bekuara nga Papa, të cilat, kush i mori, i vuri menjëherë në qafë.

Sot, Krajewski është kthyer në Kiev e prej andej, është nisur për në Romë.

20 shtator 2022, 12:15