Kërko

Misioni i Kardinalit Krajewski në UKrainë Misioni i Kardinalit Krajewski në UKrainë 

Krajewski në mision, në frontin e Ukrainës: “Jezus besoj në Ty!”

Ditë e vështirë e djeshmja për misionin e ri të Kardinalit lëmoshtar, dërguar nga Papa për të katërtën herë në Ukrainë. Në mes të breshërisë së të shtënave, ai vazhdon të çojë ndihma, ushqime, rruzare dhe bekimin e Françeskut, në mënyrë që askush të mos ndjehet i vetëm në këtë “luftë absurde”.

R. SH. - Vatikan

Të shkosh në Ukrainë në zonat e luftës për t'u çuar të munduarve ndihma dhe afërsinë e Papës e të gjithë Kishës: ky është misioni i kardinalit Konrad Krajewski, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë, i dërguar i Papës për herë të katërt në Ukrainë, deri në zemër të konfliktit. Së pari në Odessa, pastaj Zaporizhia, me synimin për të arritur në Kharkiv.

Një ditë e veçantë

Dje Kardinali na foli nga Zaporizhia, në një ditë që nuk ishte si të tjerat: “Sot - kujtoi - është ditë e veçantë, mbasi u bënë nëntë vjet që Ati i Shenjtë më zgjodhi lëmoshtar dhe më shuguroi ipeshkëv”.

Ishte 17 shtatori 2013 kur Kardinali u shugurua ipeshkëv gjatë një meshe kremtuar në Altarin e Katedrës në Bazilikën e Vatikanit, në prani të Papës Françesku. Dhe pikërisht në këtë 17 shtator, i përforcuar nga mandati i Papës që e dërgoi për të qenë pranë dhe për t'i dhënë ndihmë konkrete nevojave të njerëzve, që po jetojnë tragjedinë absurde të luftës, së bashku me dy ipeshkvij, një katolik dhe një protestant, i shoqëruar nga një ushtar, ngarkoi furgonin e tij me ushqime dhe u nis të shkonte atje ku “përveç ushtarëve nuk hyn askush”, sepse të shtënat, gjithnjë më të dendura, i ngjasin breshërit, që s’di të pushojë! Pikërisht atje njerëzit kanë më shumë nevojë dhe presin një dorë mike, që u zgjatet për ndihmë!

Të shtënat

Në këto kushte grupi i vogël u takua së pari me njerëzit dhe shkarkoi ushqimet. Por në fazën e dytë, u godit nga të shtënat dhe kardinali së bashku me të tjerët, u takua me hijen e vdekjes: “Për herë të parë në jetën time nuk dija ku të ikja… sepse nuk mjafton të vraposh, duhet të dish edhe se për ku po vrapon”.

Dorëzimi i ndihmës

Në fund, gjithçka shkoi mirë dhe ndihma u dorëzua deri në fund, madje edhe rruzaret e bekuara nga Papa: ata që i morën, i vunë menjëherë në qafë. Një ditë e veçantë, në këtë përvjetor të shugurimit të tij ipeshkvnor:  ditë lufte, që kardinali e quan “ditë pa mëshirë", për të cilën, ashtu si në misionin e tij të fundit gjatë Triditshit të Pashkëve, pohoi: “Nuk ka lot as fjalë". Ndërsa sot kujton: “këtu njeriu mundet vetëm të lutet” e të përsërisë: “Jezus, besoj në Ty!”.

18 shtator 2022, 11:37