Kërko

Kardinali Monsengwo Kardinali Monsengwo  

Ndërroi jetë kardinali guximtar Monsengwo, burrë i pajtimit

Vdiq dje, në Versailles, në moshën 81 vjeçare, kardinali i Republikës Demokratike të Kongos, Laurent Monsengwo Pasinya. Në fillim të korrikut, i sëmurë rëndë, u detyrua të shtrohej në një spital francez. Teolog biblik, Papa e deshi në Këshillin e Kardinajve, detyrë që e la në vitin 2018 kur, si kryeipeshkëv i Kinshasës, u angazhua në vijë të parë për të risjellë paqen në vendin e përfshirë nga një kriza e rëndë politike.

R. SH. - Vatikan

Ishte prej kohe i sëmurë e, nga fillimi i korrikut, gjendja e tij shëndetësore u keqësua, gjë që e detyroi të shtrohet urgjent në një spital të Parisit, ku arriti me një avion të specializuar për të mbartur të sëmurë rëndë. Vdekja e tij të diel, më 11 korrik, në Versailles të Francës, në moshën 81 vjeçare, është goditje e rëndë për Kishën e Republikës Demokratike të Kongos.

Lajmin e zi e dha kardinali Ambongo

Lajmin e zi të vdekjes e dha pasardhësi i tij, kardinali Fridolin Ambongo, që shkroi në një Twitter: “Me dhimbje të thellë njoftoj bashkësinë kristiane katolike dhe gjithë njerëzit vullnetmirë për vdekjen e kardinalit. Dhimbje që e ndjen fort e gjithë kisha kongoleze, e cila e kujton Kardinalin e shuar, si ‘burrë mendjendritur, që ia kushtoi gjithë jetën  ndërtimit të një bote më të drejtë’”.

Papa e deshi në Këshillin e Kardinajve

Teolog biblik, afrikani i parë i diplomuar në Shkrimin Shenjt pranë Institutit Biblik të Romës, Papa Françesku e zgjodhi anëtar të Këshillit të Kardinajve, themeluar që në hapat e para të Papnisë së tij, për të studiuar  reformimin e Kuries. Monswengo u largua nga organizmi më 12 dhjetor 2018, në moshën 78 vjeçare, për t’u kthyer në Kinshasa, ku luftoi me të gjitha forcat për paqen, në një vend të gjunjëzuar nga kriza e rëndë politike e shoqërore. Ishte në vijën e parë të luftës për një botë më të drejtë e më vëllazërore.

Ceremonia e varrimit, në Kongo

Këto ditë trupi i Kardinalit të ndjerë Monswengo do të mbartet në kryeqyetetin kongolez. Ipeshkvijtë do të mblidhen për të organizuar  funeralin e për të caktuar edhe datën e varrosjes, në katedralen e Kinshasës.

Kolegji kardinalor pas vdekjes së kardinalit Monswengo

 Pas vdekjes së kardinalit Monswengo, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 221 kardinaj, 124 me të drejtë zgjedhore, 97 pa këtë të drejtë.

 

12 korrik 2021, 15:55