Ndërroi jetë kardinali guximtar Monsengwo, burrë i pajtimit
R. SH. - Vatikan
Ishte prej kohe i sëmurë e, nga fillimi i korrikut, gjendja e tij shëndetësore u keqësua, gjë që e detyroi të shtrohet urgjent në një spital të Parisit, ku arriti me një avion të specializuar për të mbartur të sëmurë rëndë. Vdekja e tij të diel, më 11 korrik, në Versailles të Francës, në moshën 81 vjeçare, është goditje e rëndë për Kishën e Republikës Demokratike të Kongos.
Lajmin e zi e dha kardinali Ambongo
Lajmin e zi të vdekjes e dha pasardhësi i tij, kardinali Fridolin Ambongo, që shkroi në një Twitter: “Me dhimbje të thellë njoftoj bashkësinë kristiane katolike dhe gjithë njerëzit vullnetmirë për vdekjen e kardinalit. Dhimbje që e ndjen fort e gjithë kisha kongoleze, e cila e kujton Kardinalin e shuar, si ‘burrë mendjendritur, që ia kushtoi gjithë jetën ndërtimit të një bote më të drejtë’”.
Papa e deshi në Këshillin e Kardinajve
Teolog biblik, afrikani i parë i diplomuar në Shkrimin Shenjt pranë Institutit Biblik të Romës, Papa Françesku e zgjodhi anëtar të Këshillit të Kardinajve, themeluar që në hapat e para të Papnisë së tij, për të studiuar reformimin e Kuries. Monswengo u largua nga organizmi më 12 dhjetor 2018, në moshën 78 vjeçare, për t’u kthyer në Kinshasa, ku luftoi me të gjitha forcat për paqen, në një vend të gjunjëzuar nga kriza e rëndë politike e shoqërore. Ishte në vijën e parë të luftës për një botë më të drejtë e më vëllazërore.
Ceremonia e varrimit, në Kongo
Këto ditë trupi i Kardinalit të ndjerë Monswengo do të mbartet në kryeqyetetin kongolez. Ipeshkvijtë do të mblidhen për të organizuar funeralin e për të caktuar edhe datën e varrosjes, në katedralen e Kinshasës.
Kolegji kardinalor pas vdekjes së kardinalit Monswengo
Pas vdekjes së kardinalit Monswengo, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 221 kardinaj, 124 me të drejtë zgjedhore, 97 pa këtë të drejtë.