Kërko

Vatican News
Afresku i Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, nëkatakombet e Shën Sebastianit Afresku i Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, nëkatakombet e Shën Sebastianit 

Gjindet afresku më i lashtë i Të Ngjiturit të Krishtit në qiell

Në këto kohë pandemie një mori veprimtarish u rralluan shumë a pushuan fare. Mbi dhe. Po jo nën dhe! Arkeologjia Kishtare vijoi të zbresë nën dhe, në katakombe, ku lexohen gjithnjë faqe të reja të historisë së Zotit e të njeriut, të historisë së jetës, të vdekjes e të artit, që vijon ta mbajë gjallë jetën në shekuj. E pikërisht nën dhe u gjet afresku më i lashtë i Ngjitjes së Krishtit në Qiell

R. SH. - Vatikan

Si t’u përgjigjej pyetjeve më të mprehta të njeriut për jetën dhe fundin e saj, që këto ditë zënë vendin e parë mbi gjithë globin, nëntoka foli me gjuhën e pikturës, duke treguar çka na intereson më shumë në këtë kohë, kur sundon vdekja: na zbuloi afreskun më të lashtë të Ngjitjes së Krishtit në qiell, si të donte të na siguronte se me këtë ngjitje, qielli u hap për të gjithë njerëzit, mjafton të dëshirojnë të arrijnë atje, ku drita nuk shuhet kurrë. Krishti i Ngjallur,pra, doli këto ditë nga bota e të vdekurve, nga Katakombet e Shën Sebastianit, nga koha ndërmjet papnive të Damasit e të Inocencit (401-417), kur këto katakombe ishin në kulmin e shfrytëzimit, ndonëse pas pak do të niste braktisja e madhe - e të vdekurit nuk do të zbrisnin më nën dhe për të bërë gjumin e madh, por do të fillonin “të flinin” mbi dhe!

Ku u gjet afresku

Afresku u gjet mbi një varr të skalitur në shtuf e të kurorëzuar nga një hark, krejtësisht i afreskuar me skena nga Besëlidhja e Re. Të bie në sy mrekullia e Kanës, shumëzimi i bukëve e, doemos, ringjallja e Lazrit. Pastaj, portretet e të vdekurve, të cilët bëjnë aty gjumin e madh, Primenius e Severa me djalin e tyre (që nuk e dimë kush ishin, pse jetuan as pse vdiqën). Mbi ta, afresku, që na flet vetë për shpresën e ringjalljes.

Afresku i Krishtit të ngjitur në qiell

Ndalemi te afresku, që na paraqet një skenë të frymëzuar  nga rrëfimi ungjillor i të Ngjiturit të Krishtit në qiell. Nga thellësitë e dheut piktura e lashtë nis e na flet, duke na kujtuar Ungjillin e Shën Lukës (24,50-53), Veprat e Apostujve (1,6-11) dhe ngjarjen që ndodhi mbi Malin e Ullinjve, atje ku ende sot ruhet kujtimi monumental.

Është  realizimi më i lashtë ikonografik i Krishtit, që ngjitet në qiell e që i shtohet një sërë gjetjesh të tjera, ndërmjet të cilave, një relikuar druri, që një herë e një kohë ruhej në Kapelën e Sancta Sanctorum të Lateranit.

Me interes, të kujtojmë se skema e Ngjitjes së Krishtit në qiell, që e shikojmë në katakombet e Shën Sebastianit, vërehet  edhe në Kapelën padovane të Scrovegni-t (1303 1305), atje ku Giotto dhe shkolla e tij frymëzohen nga struktura ikonografike romake e epokës teodosiane, e cila vijon ta paraqesë Krishtin në profil, duke u ngjitur në qiell, si i rrëmbyer nga një forcë e pushtetshme, e pakundërshtueshme, që e tërheq drejt lartësive pa fund!

Kjo, gjetja arkelogjike, në një kohë kur flitet edhe tepër për varre, për të na kujtuar “Të ngjiturin në qiell”, pas vdekjes mbi kryq!

 

12 qershor 2021, 14:39