Kërko

Kardinali Marc Ouellet, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë Kardinali Marc Ouellet, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë

Kardinali Ouellet: çdo besimtar ndërton një pjesë të Kishës

U paraqit dje, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Simpoziumi Teologjik mbi Thirrjet, që do të mbahet shkurtin e ardhshëm, me nismën e Kongregatës për Ipeshkvijtë. Ndër temat kryesore, formimi i meshtarëve në atmosferën e sinodalitetit. Kardinali-prefekt i dikasterit: bashkësitë e krishtera tërheqin, nëse e jetojnë bashkimin

R.SH. - Vatikan

Të favorizohet bashkimi ndërmjet thirrjeve kishtare, nga ato të meshtarëve tek ato të besimtarëve, të lidhur së bashku, për hir të pagëzimit e të dashurisë së Shpirtit Shenjt. Ky është një nga objektivat e Simpoziumit Teologjik Ndërkombëtar “për një teologji themeltare të meshtarisë”, organizuar nga Kongregata për Ipeshkvijtë, nga 17 deri më 19 shkurt 2022.

Një rrugë sinodaliteti në Kishë

Simpoziumi u paraqit dje, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. “Sinodalitet do të thotë pjesëmarrje aktive e të gjithë besimtarëve në misionin e Kishës”, kujtoi prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinali Marc Ouellet, duke përmendur një nga fjalët më të dashura për Papën Françesku, që do të jetë në qendër të takimit. “Ai përshkruan udhën e përbashkët të të pagëzuarve drejt Mbretërisë Qiellore, e cila ndërtohet dita-ditës në realitetin e familjes, të punës, si edhe në jetën shoqërore dhe kishtare, në të gjitha format e saj”, përmes “bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet laikëve, meshtarëve dhe rregulltarëve për t’ia kumtuar Ungjillin botës”.

Meshtaria e dashurisë

Simpoziumi organizohet kryesisht për ipeshkvijtë, të cilët do të thellohen në kuptimin dhe rëndësinë e bashkimit ndërmjet thirrjeve të ndryshme në Kishë, shpjegoi kardinali, por ai u drejtohet gjithë të pagëzuarve, të cilët kanë në zemra dashurinë e dikuar nga Shpirti Shenjt. Është fjala për “meshtarinë e dashurisë”, siç nënvizoi kardinali Ouellet, “ushtruar nga e gjithë bashkësia kishtare, mbajtur gjallë nga një larmi thirrjesh për të dashur, në forma dhe ngjyrime të ndryshme, që plotësojnë njëra-tjetrën”. Të dëgjojmë vetë kardinalin, në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican News:

Perspektiva është të mbështesim thirrjen e Papës për një Kishë sinodale, domethënë për një Kishë, në të cilën marrin pjesë të gjithë, duke u nisur nga forca dhe dhurata e Pagëzimit të tyre, që do të thotë dhuratë e Shpirtit Shenjt. Të gjithë kanë diçka për t’i dhënë bashkësisë, pikërisht, sepse ekziston kjo dhuratë. Askush nuk mënjanohet. Edhe më pak “të talentuarit” i kanë këto dhurata, të cilat duhen mbështetur dhe ndihmuar. Kjo ftesë synon të zgjojë besimin në Pagëzimin dhe në dhuratën e Shpirtit Shenjt e, prej andej, të sugjerojë nisma e sidomos, të inkurajojë bashkimin ndërmjet thirrjeve të ndryshme, njohjen reciproke, bashkëpunimin e jo kundërvënien e konfliktet. Të gjithë kemi nevojë për ndihmën e Shpirtit Shenjt për të kapërcyer çastet e tensionit e për të gjetur rrugë mirëkuptimi. Bashkësitë bëhen tërheqëse vetëm kur e jetojnë bashkimin brenda tyre. Kjo është forca e të krishterëve që nga fillimet e krishterimit. Nga këto bashkësi lind lëvizja e thirrjeve meshtarake e rregulltare.

13 prill 2021, 11:46