Kërko

Vatican News

Simpoziumi Teologjik Ndërkombëtar: një reflektim për meshtarinë

Paraqitet sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Simpoziumi Teologjik Ndërkombëtar, organizuar nga Kongregata për Ipeshkvinjtë. Profesoresha Michelina Tenace, në mikrofonin tonë, përqendrohet në sfidat, me të cilat përballen sot meshtarët dhe flet për “një çështje thelbësore për Kishën”

R.SH. - Vatikan

Një reflektim i gjerë mbi meshtarinë, në kuadrin e ndryshimit të kohëve e të Kishës. Këtë synon Simpoziumi Ndërkombëtar Teologjik me temë “Për një teologji themelore të meshtarisë”, organizuar nga Kongregata vatikanase për Ipeshkvijtë nga 17 deri më 19 shkurt 2022. Paraqitja e nismës, sot paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Ngjarja dëshiron të jetë gjithëpërfshirëse për Kishën, siç shpjegon në mikrofonin tonë, pedagogia e teologjisë në Universitetin Gregorian të Romës, Michelina Tenace.

Simpoziumi përqendrohet kryesisht mbi thirrjet e është interesante të kuptohet se bën pjesë në kuadrin e rrugëtimit drejt sinodalitetit, aq të dëshiruar nga Papa Françesku. Në këtë udhëtim, të gjithë besimtarët janë të ftuar ta vënë vetveten në diskutim, të shqyrtojnë bazat e thirrjes së tyre. Ky Simpozium u nxit sidomos nga kardinali Marc Ouellet, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë, i cili nënvizon se përfituesit kryesorë të nismës janë pikërisht ipeshkvijtë. Kjo na bën të kuptojmë rëndësinë e veçantë të kësaj teme për gjithë Kishën. Kardinali thekson edhe se është veçanërisht urgjente të rishikohet çështja e meshtarisë, “çështje thelbësore për kohën tonë”, pohon ai. Pra, Simpoziumi ka si qëllim të na ndihmojë të kuptojmë pse çështja e meshtarisë është kaq e rëndësishme për periudhën që po jetojmë. Është interesante, sepse kjo çështje nuk prek vetëm disa meshtarë në vështirësi, por ka të bëjë me shndërrimet, që po ndodhin në të gjithë Kishën dhe, e gjithë Kisha duhet të kuptohet si një korp i vetëm, i frymëzuar nga jeta e Shpirtit, një korp i gjallë, ku çdo anëtar duhet ta rimarrë jetën në dorë me hov të ri, aty ku Zoti e ka thirrur, aty ku ndodhet.

Ç’do të thotë teologji themelore? Cilat janë sfidat e skenarit aktual botëror?

Duhet filluar duke kuptuar cili është themeli teologjik i meshtarisë. Përgjigja mund të duket shumë e thjeshtë, sepse themeli është meshtaria e Krishtit, por në të vërtetë nuk është aq e thjeshtë. Vetë Papa Françesku thotë se populli shenjt i Zotit, i vojuar nga Shpirti Shenjt, është i gjithi meshtarak. Atëherë tema bëhet interesante, pasi nëse i gjithë populli i Zotit është meshtarak, nëse ka vetëm një prift, që është Krishti, atëherë meshtaria e vetme e Krishtit ç’lidhje ka me meshtarinë që ne e quajmë ministrore, pra, me atë të të shuguruarit e, ç’lidhje ka me meshtarinë e përbashkët të gjithë të pagëzuarve? Një Simpozium mbi meshtarinë ministrore, të shërbimit, do të çojë normalisht në një diskutim mbi meshtarinë e përbashkët, të bazuar mbi pagëzimin. Ministrat e shuguruar janë të domosdoshëm për Kishën, askush nuk e mohon këtë, sepse ata na japin sakramentet, Eukaristinë, faljen e mëkateve, por sot ngulet këmbë në faktin se meshtari, i vetëm, nuk është i plotë. Populli i Zotit është i domosdoshëm, sepse shpreh jetën që vjen nga Eukaristia, nga falja, pra, një jetë në bamirësi, një jetë ku shtohen karizmat, kultura, bukuria. Kështu, teologjia themelore e meshtarisë do të përqendrohet në faktin se të gjithë jemi të thirrur ta shprehim praninë e Zotit në tokë. Kjo është temë kishtare. Lidhur me të ka edhe shumë çështje aktuale, si deklerikalizimi i meshtarëve dhe rregulltarëve; është një sfidë e bukur, sepse klerikalizmi rrjedh nga një këndvështrim i gabuar mbi meshtarinë: e sheh meshtarin të izoluar, mbi të tjerët.

12 prill 2021, 11:16