Kërko

Vatican News
Cantalamessa: predikimi III i Kreshmëve Cantalamessa: predikimi III i Kreshmëve 

Cantalamessa: kush beson në Krishtin, nuk dëshpërohet kurrë!

Në predikimin e tretë të Kreshmëve, në praninë e Papës, në Sallën Pali VI, kardinali Raniero Cantalamessa vijoi reflektimin me temë ungjillore: “Po ju, kush thoni se jam unë?” (Mateu 16,15), duke u ndaluar posaçërisht tek natyra hyjnore e Krishtit dhe pushteti i tij shëlbues.

R. SH. - Vatikan

Vetëm Jezusi mund të na shpëtojë nga dëshpërimi, nga shpërthimi i shpirtit të lënduar në një “ulërimë”, si në pikturën e Edvard Munch. Po, na duket sikur jemi pikërisht ne njeriu, që e kapërcen me një vrap të çmendur urën - duke kaluar përkrah dy njerëzve, në dukje krejtësisht indiferentë - me sytë  e zgurdulluar e duart rreth gojës, duke lëshuar një britmë dëshpërimi, "që tund dheun”. Vetëm Zoti mund të na shpëtojë nga rreziku që të ndodhemi papritmas përsëri - tragjikisht - në njërën nga pikturat më të famshme të artit modern, në të cilën shikojmë, me gjallëri të frikshme, ku të çon bindja se jeta nuk ka më pikë kuptimi. Kardinali Raniero Cantalamessa, në predikimin e tretë të Kreshmëve mbajtur në praninë e Papës e të Kuries Romake, në Sallën Pali VI - pa harruar ta urojë Françeskun për suksesin e shtegtimit në Irak - i këshilloi besimtarët të rrinë larg kësaj bindjeje të rrezikshme.

E kjo mund të ndodhë - shpjegoi - duke iu kundërvënë “prirjes tejet të përhapur që të shtyn të flasësh për Kishën, sikur Krishti të mos ekzistonte”. Predikatari kujtoi se mund të reagohet në një mënyrë të ndryshme, nga ajo e zakonshmja: jo duke u munduar t’i bindim  botën dhe mjetet e saj të komunikimit për gabimin, “por duke e përtërirë e duke e thelluar besimin tonë në Krishtin”.

“Për të folur për Krishtin – pohoi predikatari i Shtëpisë Papnore, duke vijuar reflektimin kreshmor me temë “Po ju, kush thoni se jam unë?”(Mt 16,15) - zgjodhëm rrugën më të sigurt, atë të dogmës: “Krishti njeri i vërtetë, Krishti Zot i vërtetë, Krishti një vetje e vetme”. E nëse të premten e kaluar Kardinali pati folur për dogmën e “Jezusit njeri i vërtetë”, sot u ndalua tek dogma e “Krishtit Zot i vërtetë”.

“Besimi në hyjninë e Krishtit lindi me lindjen e Kishës - pohoi - Por ç’ndodh sot me këtë besim? Me këtë fe? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, drejtuar të gjithëve, kardinali e mori shtytjen pikërisht nga “historia  e dogmës mbi natyrën hyjnore të Krishtit”, sanksionuar solemnisht në Koncilin e Nikesë të vitit 325 me fjalët, që i përsërisim  në “Besojmë”.

Me iluminizmin dhe racionalizmin “krishterimi reduktohet në një ideal të lartë moral, që mund ta përjashtojë natyrën hyjnore të Krishtit e deri edhe vetë ekzitencën e Tij historike. Ja, pra pse është urgjente ta rizgjojmë në shpirtin tonë “besimin në natyrën hyjnore të Krishtit”. Duke u nisur  nga përvoja  që na propozojnë Ungjijtë, e posaçërisht, ai i Shën Gjonit.

Nëse pyetjes së Jezusit: “Ti, a beson?”, ndokush i përgjigjet pa menduar dy herë “Natyrisht, besoj”, e madje edhe çuditet që iu drejtua një pyetje e tillë një besimtari, një meshtari a ndoshta-ndoshta edhe një ipeshkvi - kujtoi predikatari - do të thotë se nuk e ka zbuluar akoma  besimin e vërtetë, nuk e ka provuar marramendjen e arsyes, që i prin aktit të fesë. Natyra hyjnore e Krishtit është maja më e lartë, Everesti i fesë:

“Të besosh në një Zot, që lindi në stallë e vdiq në kryq, është shumë më kërkuese sesa të besosh në një Zot të largët, të cilin kushdo mund ta përfytyrojë sipas dëshirës së vet”.

“Duhet të fillojmë - këshilloi predikatari - duke e shembur ndër besimtarët e edhe në ne, njerëzit e Kishës, besimin se me fenë jemi në rregull e se, ndoshta duhet të punojmë më shumë për mëshirën e dashurinë e krishterë:  “Ndoshta do të ishte mirë, për ca kohë, të mos i flasim askujt, për asgjë, por  ta jetojmë fenë në thellësinë e shpirtit tonë, t’i rizbulojmë rrënjët e saj, në thellësitë e zemrave tona”.

Duhen rikrijuar kushtet për rikthimin e besimit në natyrën hyjnore të Krishtit. Të ripërtërihet hovi i fesë, nga i cili lindi dogma e Nikesë - theksoi predikatari papnor - për të kujtuar, në përfundim, se nuk mjafton të përsërisësh dogmën e Nikesë, se duhet përtëritur zelli i besimit të asaj kohe në natyrën hyjnore të Krishtit. E, çka ka më shumë rëndësi - theksoi kardinali -  këtë duhet ta kenë tepër të qartë ata, të cilët u japin mësimin e teologjisë ministrave të ardhshëm të Ungjillit, që të mund të besojnë në mënyrë të patundur në natyrën hyjnore të Krishtit. Duke i sqaruar për këtë në mënyrë vëllazërore, më shumë sesa me betim.

 E kjo vlen edhe për ekumenizmin. Ekumenizëm i vërtetë shpirtëror është ai - shpjegoi - që nuk kërkon vetëm lutje për bashkimin e të krishterëve, por që ndan bashkë të njëjtën përvojë të Shpirtit Shenjt, domethënë  të njëjtat shenja sakramentore:

“Pra - theksoi në përfundim predikatari papnor - guri i themelit i ndërtesës, që quhet fe e krishterë, është ‘natyra hyjnore e Krishtit’: hiqja këtë, e gjithë ndërtesa shembet!”.

E  fuqizohet sa herë që pyetjes “Kush thoni se jam unë”, besimtari i gjegjet me bindjen që gurron nga thellësia e shpirtit: “Ti je Krishti, Biri i Zotit!”. E ai që përgjigjet kështu, beson e nuk dëshpërohet kurrë!

12 mars 2021, 14:19