Kërko

Parolin për Këshillin e Evropës: “6 të vërteta” për kontinentin dhe botën. “Në qendër, njeriu”

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, foli virtualisht para Këshillit të Evropës, duke shprehur vlerësimin e Selisë së Shenjtë për “mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës” nga institucioni i Strasburgut.

R.SH. - Vatikan

“E vërteta e parë universale është madhështia e njeriut”, prandaj, “derisa të mos e vendosim njeriun, edhe një herë, në qendër të të gjitha interesave tona dhe ta kthejmë shërbimin për njeriun në qëllimin më të rëndësishëm të punës sonë, do të vazhdojmë gjithmonë të përballemi me të njëjtat probleme, duke gjetur pak zgjidhje, sepse do të na mungojë e vërteta mbi qenien njerëzore”. Në fjalën e tij para Këshillit Evropian, në takim virtual, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin renditi dhe shpjegoi gjashtë “të vërtetat” e dobishme për Evropën dhe gjithë botën.

Njeriu është edhe shpirt e zemër

 E dyta, nënvizoi ai, është “toka, shtëpia e njerëzve”, e gjithë njerëzimit; e treta është “shërbimi ndaj misterit të njeriut”, i cili është “jo vetëm trup për t’u ushqyer, por edhe shpirt, zemër, inteligjencë, frymë, thirrje për bashkim, për vëllazërim universal, për dashuri që nuk njeh kufij”. Dhe “zbatimi i veçantë” i këtij parimi është për shembull çështja e migracionit ose e edukimit. Sipas kardinalit, e vërteta e katërt universale është “konkurrenca, duke pasur parasysh vlerën e tjetrit”, një lloj konkurrence “që do ta shpëtojë njeriun”, nëse Evropa do të bënte ç’është e mundur të konkurronte sa më shumë në arritjen e paqes. E vërteta e pestë universale është fjala e historisë, pasi nuk mjafton “ të shpallen të vërtetat e drejta e të qarta, duhet t’i dëshmojmë me shembullin personal”.

“Jemi në të njëjtën barkë”

E fundit: “Jemi në të njëjtën barkë” dhe “murtaja e pandemisë Covid-19 i ka treguar botës brishtësinë e saj strukturore dhe papërgatitjen për t’u përballur me një të ardhme, që mund të jetë tejet e trazuar dhe shkatërrimtare, madje mund të kërkojë edhe jetë njerëzish”. Kardinali inkurajoi anëtarët e Komitetit të Ministrave të bëjnë ç’është e mundur që “Evropa të jetë shtëpia e çdo njeriu dhe çdo njeri të ndihet si në shtëpi”. “Secili – përfundoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit – duhet ta shohë tjetrin si vëlla apo motër”.

13 nëntor 2020, 15:06