Kërko

Vatican News
Sekretari i Shtetit tё Vatikanit, Kard. Pietro Parolin Sekretari i Shtetit tё Vatikanit, Kard. Pietro Parolin  (ANSA)

Kardinali Parolin takon virtualisht autoritetet e Këshillit tё Evropës

Sekretari i Shtetit tё Vatikanit, kardinali Parolin "takon", përmes internetit nё njё videokonferencё, autoritetet e Këshillit tё BE-sё dhe delegatët e ministrave të 47 vendeve anëtare, nё kuadrin e 50-vjetorit të Misionit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Këshillit tё Evropës.

R.SH. - Vatikan

Pas Brukselit, edhe Strasburgu. Vizita e planifikuar për datёn 12 nëntor në Këshillin e Evropës nga Sekretari i Shtetit tё Vatikanit, Kard. Pietro Parolin,  zhvillohet përmes njё videokonference, saktësisht siç ndodhi në fund të tetorit, kur kardinali Parolin pritej të takohej, në kryeqytetin belg, me Komisionin e Episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece), por u detyrua të hiqte dorë nga udhëtimi për shkak të situatës Covid-19. Kështu sot Sekretari i Shtetit tё Vatikanit, kardinali Parolin "takon", përmes internetit nё lidhje me njё videokonference, autoritetet e vetë Këshillit tё BE-sё dhe delegatët e ministrave të 47 vendeve anëtare.

Vizita a mё mirё tё themi lidhja përmes videokonferencёs e Sekretarit tё Shtetit tё Vatikanit mbahet nё kuadrin e 50-vjetorit të Misionit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Këshillit tё Evropës. Kujtojmë se aktualisht Vëzhguesi i Vatikanit në Strasburg është dom Marco Ganci. Përveç takimit me autoritetet e Këshillit tё Evropës, kardinali Parolin takohet edhe me përfaqësuesit e OJQ-ve me frymëzim katolik që veprojnë në Strasburg. Gjithnjë për arsye tё masave paraprake kundër pandemisë, u anulua Mesha që do të kremtohej në Katedralen e qytetit.

Vizita e kardinalit Parolin duhet të ishte zhvilluar tashmë në muajin maj, ndërsa, pikёrisht me rastin e kremtimeve për 50 vjetorin e Misionit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Këshillit tё Evropës, në Universitetin e Strasburgut, nga 7 deri më 9 janar tё kaluar u mbajtën tre ditë studimi, qё u inauguruan nga kryeipeshkvi Paul Gallagher, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, me një ligjëratë mbi temёn “Ndërtimi i Evropës së bashku. 50 vjet Selia e Shenjtë në Këshillin e Evropës ". Me të njëjtin rast, mbi këtë argument u organizua edhe një ekspozitë fotografike.

Vizita e dyfishtë e kardinalit Parolin pranë  Komisionin e Episkopateve të Bashkimit Evropian (COMECE) në Bruksel dhe në Këshillin e Evropës në Strasburg u parapri nga letra e Papa Françeskut për Evropën, botuar më 22 tetorin e kaluar.

Në atë letër, drejtuar kardinalit Pietro Parolin me rastin e 50-vjetorit të bashkëpunimit të Selisë së Shenjtë me Institucionet evropiane,  Papa Françesku përshkoi historinë dhe vlerat e Evropës, duke uruar kthesën vëllazërore, në një periudhë krejt të paqartë, plot me rreziqe e ravgime individualistike. Nuk ia vlen të rrish duke soditur një ”Album kujtimesh”, duhet parë ardhmëria, që mund t’i ofrohet botës!

Letra e Papёs kushtuar Evropës, drejtuar kardinalit Pietro Parolin, nis me kujtimin  disa ngjarjeve të rëndësishme. Kujtohet, së pari, 50 vjetori i bashkëpunimit  ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Institucioneve evropiane, krijuar në përfundim të Luftës së dytë botërore, pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin e asokoshsëm Evropian e me praninë e Selisë së Shenjtë si Vëzhguese pranë Këshillit Evropian.

Më pas Papa kujton themelimin e Komisioneve të Episkopateve të Bashkimit Evropian (COMECE), ku marrin pjesë me një delegat, të gjitha Konferencat Ipeshkvnore të anëtarëve të Bashkimit Evropian, për të  favorizuar  “një bashkëpunim më të ngushtë lidhur me çështjet baritore, që kanë të bëjnë me zhvillimin e kompetencave ndërmjet Episkopateve dhe veprimtarive të Bashkimit. Më pas Papa kujton 70-vjetorin  e Deklaratës Schuman, ngjarje me rëndësi të dorës së parë, që frymëzoi udhën e gjatë të integrimit të Kontinentit,  duke krijuar kushtet për kapërcimim e armiqësive të lindura nga lufta.

Evropa nuk mund të jetë e vërtetë, pa shtyllat mbi të cilat u projektua që nga  intuita e parë, domethënë, si hapësirë popujsh të bashkuar nga solidariteti, pasi qenë shndërruar në fushë tragjike shahu luftërash e muresh. Letra, që Papa ia drejtoi kardinalit Pietro Parolin, është një lloj letre e hapur, kushtuar Kontinentit të vjetër, në të cilën vizioni  i tij - ideal e njëheresh  i lidhur me realizmin e epokës së virusit - shartohet mbi ëndrrat e dy paraardhësve sa të ndryshëm, aq edhe të ndritur, Robert Schuman, një nga etërit themelues të Evropës, e Shën Gjon Pali II, që ia mbrojti rrënjët e krishtera.

Thirrja e fuqishme “Evropë, gjeje vetveten, ji vetvetja!”. Papa i drejtohet Evropës me fjalët; “Dëshiroj të them: ti ke qenë në shekuj farkë e idealeve e tani duket  se e ke humbur hovin tënd!  Mos rri duke soditur të kaluarën tënde, si soditet ‘një album kujtimesh’, sepse ‘me kalimin e kohës edhe kujtimet më të bukura zbehen e harrohen’. ‘Ia vlen ta rigjesh vetveten, t’i rigjesh idealet   me rrënjë të thella’. E kjo, për Papën, do të thotë të mos kesh frikë nga “historia mijëravjeçare, që është dritare mbi të ardhmen, shumë më tepër sesa mbi të kaluarën”. Ndaj - vijon t’i bëjë thirrje Evropës - mos ki frikë nga “nevoja për të vërtetën”  e nxitur nga pyetjet e mendimit të lashtë grek, nga “nevoja për drejtësi” zhvilluar prej së drejtës romake, e nga “nevoja për amshimin, pasuruar nga takimi me traditën judeo-kristiane”.

Papa Françesku kërkon: “Një Evropë  me laicitet të shëndetshëm, ku Zoti e Çezari ndryshojnë, por nuk kundërvihen”. Një Evropë, në të cilën Papa mendon se kanë marrë fund konfesionalizmat, por që shpresohet - uron -  edhe fundi i një farë laicizmi, që ia mbyll portat të tjerëve e posaçërisht Zotit, sepse dihet që një kulturë ose një sistem politik, që nuk ia hap portën Zotit, nuk mund ta respektojë as njeriun!".

12 nëntor 2020, 13:55