Kërko

Vatican News
Kardinali Raúl Eduardo Vela Chiriboga Kardinali Raúl Eduardo Vela Chiriboga 

Ekuador: vdiq kardinali i Quitos, Vela Chiriboga

Kardinali, kryeipeshkëv nderi i kryeqytetit ekuadorian, ishte 86 vjeç. Mesha e Dritës do të kremtohet më 17 nëntor, në orën 10.00, pranë Katedrales Metropolitane të Quitos

R. SH. - Vatikan

Ndërroi jetë dje, më 15 nëntor, kardinali Raul Eduardo Vela Chiriboga, Kryeipeshkëv nderi i Quitos. Ishte 86 vjeç, pra jo zgjedhës në Konklavin e Kardinajve. Njoftimin e jep Konferenca ipeshkvnore vendase, duke kërkuar lutje për shpirtin e tij e duke cituar një fragment nga Ungjilli sipas Mateut  mbi “shërbëtorin e mirë e besnik” .

Mesha e Dritës për shpirtin e kardinalit të ndjerë Chiriboga do të kremtohet më 17 nëntor, në orën10.00, pranë katedrales metropolitane  të Quitos.

Një jetë, në shërbim të Krishtit e të Kishës së Tij

I lindur në Riobamba, më 21 janar 1934, i pesti ndërmjet 9 fëmijëve,  fillimisht studion në kolegjin salezian të vendlindjes e në Seminarin e Quitos. Më pas, për të thelluar formimin e tij teologjik, baritor e liturgjik, vijon studimet edhe jashtë vendlindjes, në Bogotà, Madrid e Buenos Ajres.

I shuguruar meshtar më 28 korrik 1957, më 20 prill 1972  është ipeshkëv ndihmës i Guayaquil. Më 8 korrik 1989 emërohet Ipeshkëv ushtarak për Ekuadorin e, më 21 mars 2003, Kryeipeshkëv i Quitos, ku i kushtohet me pasion edukimit të të rinjve. Hap edhe një klinikë mjekësore për priftërinjtë e sëmurë.

Më 11 shtator 2010, në moshën 76 vjeç, paraqet kërkesën për dorëheqje  nga drejtimi baritor i kryedioqezës së Quito-s ndërsa, më 20 nëntor të të njëjtit vit Papa Benedikti XVI e krijon kardinal, me titullin  e Santa Maria in Via. Në vitin 2013 është i pranishëm në Konklavin, që zgjedh Papën Françesku.

Përditësim i Kolegjit kardinalor

Me vdekjen e kardinalit Raùl Eduardo Vela Chiriboga Kolegji kardinalor  numëron 217 kardinaj nga të cilët 119 me të drejtë zgjedhore e 98 pa këtë të drejtë. Me vdekjen e  kardinalit Chiriboga, Ekuadori nuk figuron më ndërmjet vendeve të përfaqësuara në Kolegjin kardinalor. Vendet që përfaqësohen tani janë 87. Ndërmjet tyre, edhe Shqipëria, me kardinalin  Ernest Simoni Troshani.

16 nëntor 2020, 12:53