Kërko

Vatican News

Kardinali Parolin: të punojmë së bashku për një botë pa luftë, të aftë për dialog

Në sallën e re të Sinodit, konferenca për shtyp, gjatë së cilës u paraqit enciklika “Fratelli tutti”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit pohoi se për Papën “pandemia nxorri në dritë siguritë tona të rreme”. E më tej: duhet “ta kthejmë vëllazërimin në mjet veprimi në marrëdhëniet ndërkombëtare”, nevojitet “një autoritet botëror, i rregulluar me ligj në formë sinodale”.

R.SH. - Vatikan

Duhet të vijojmë udhën e vëllazërimit e të punës së përbashkët për një drejtësi të vërtetë shoqërore në nivel global. Kështu tha Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në konferencën për shtyp, gjatë së cilës u paraqit enciklika e re e Papës Françesku “Fratelli Tutti”, vetëm pak para lutjes së Engjëllit të Tënzot, në mesditë. Përveç tij, folën edhe kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar; Andrea Riccardi, themelues i Bashkësisë së Shën Egjidit; gjykatësi Mohamed Mahmoud Abdel Salam, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor; Anna Rowlands, profesoreshë në Universitetin e Durhamit.

Fjala e kardinalit Pietro Parolin

Kardinali Parolin pohoi se “Papa përdor përvojën e pandemisë, e cila nxorri në dritë siguritë tona të rreme”(FT, 7), për të kujtuar nevojën e një aksioni të aftë të japë përgjigje e jo vetëm të analizojë fakte. Ky impenjim ende mungon e ndoshta, do të vazhdojë të mungojë, pavarësisht nga arritjet e shkencës. Mungon, sepse “u duk qartë paaftësia për të vepruar së bashku. Megjithëse të tejetlidhur, ndodhi një copëzim, që e bëri më të vështirë zgjidhjen e problemeve, të cilat na takojnë të gjithëve”. Kardinali kujtoi se “dialogu bën të bien barrierat e zemrës dhe të mendjes, krijon hapësira për falje, promovon pajtimin”.

Nevojitet një organizatë botërore më efikase

         Më tej, ai vuri në dukje mendimin e Papës, sipas të cilit “për ta kthyer vëllazërimin në një mjet veprimi në marrëdhëniet ndërkombëtare” duhet jo vetëm “zhvillimi i përshpirtërisë së vëllazërimit, por edhe një organizatë botërore më efikase, që të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve urgjente”. Kardinali Parolin vuri në dukje se shpesh u jepet përparësi shteteve të caktuara, ose mendohet se gjithçka që nuk është e ndaluar, është e lejuar, duke e lënë kështu shumicën në mëshirën e vullnetit të disave (FT,165). Kjo është krejtësisht  e kundërt me vëllazërimin, i cili punon për interesin e përgjithshëm, për solidaritetin e vërtetë, duke kërkuar ndryshimin e strukturës së bashkësisë ndërkombëtare dhe të dinamikës së marrëdhënieve brenda saj, në mënyrë që të mbizotërojë ligji, siç kërkon Papa në enciklikë.

Një formë autoriteti botëror, rregulluar me ligj

         Ja përse duhen forcuar autoritetet ndërkombëtare, qeverisja e bashkësisë globale. Kardinali nënvizoi se në enciklikën “Fratelli tutti”, Papa Françesku, në përkim me gjithë paraardhësit e tij, mbështet nevojën për një “formë autoriteti botëror të rregulluar me ligj”, por kjo nuk do të thotë “të mendohet për ndonjë autoritet personal” (FT, 172). Vëllazërimi e zëvendëson centralizimin e pushteteve me një funksion kolegjial ​​– e këtu shihet vizioni “sinodal”, që Papa Françesku e zbaton për udhëheqjen e Kishës – zbatuar nga “organizata më të frytshme botërore, të pajisura me autoritet për të siguruar të mirën e përbashkët globale, çrrënjosjen e urisë dhe të mjerimit, si edhe mbrojtjen e sigurt të të drejtave themelore të njeriut” (po aty).

Të përforcohet qasja shumëpalëshe në një shoqëri të fragmentuar

         Vëllazërimi duhet të ketë si qëllim kryesor t’i bëjë njerëzit të dialogojnë. Duke pasur parasysh gjendjen aktuale botërore, në të cilën secili merr vendime, duke menduar vetëm për vete, kardinali Parolin nënvizoi se vetëm “të bësh thirrje për paqen nuk shërben për gjë. Papa Françesku na thotë se ‘ka shumë nevojë për bisedime që të hapin udhë konkrete drejt paqes. Megjithatë, proceset e frytshme për paqe të qëndrueshme janë, para së gjithash, transformime artizanale të bëra nga popujt, në të cilat çdo njeri mund të jetë një tharm efikas me stilin e tij të jetës së përditshme. Shndërrimet e mëdha nuk bëhen në tryezë, ose në studio”.

Të përforcohet ndenja e përbashkët e humanizmit

         Ja përse, udhëheqësit e kombeve duhet të ndërmarrin hapa për t’u shërbyer me të vërtetë interesave të popujve. “Për udhëheqësit e kombeve, për diplomatët, për ata që punojnë për paqen dhe zhvillimin, vëllazërimi propozon ta shndërrojë jetën ndërkombëtare nga një bashkëjetesë e thjeshtë, pothuajse e nevojshme, në një përmasë të bazuar në atë ndjenjë të përbashkët ‘humaniteti’, që frymëzon edhe sot shumë norma dhe struktura ndërkombëtare, duke favorizuar kështu bashkëjetesën më të frytshme – pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit. - Është një realitet, në të cilin kërkesat e popujve dhe të individëve bëhen mbizotëruese, me një aparat institucional të aftë të garantojë jo interesa të veçanta, por atë ‘të mirë të përbashkët botërore’ aq të dëshiruar (shih FT, 257)” nga të gjithë. Kardinali Parolin e përfundoi reflektimin e tij me fjalët: “Përmes kulturës së vëllazërimit, Papa Françesku i bën thirrje secilit ta dojë popullin tjetër, kombin tjetër, si të vetin. E kështu, të krijohen marrëdhënie, rregulla dhe institucione, duke braktisur mirazhin e forcës, izolimin, vizionet e mbyllura, veprimet egoiste dhe të pjesshme, pasi ‘shuma e thjeshtë e interesave individuale nuk është në gjendje të krijojë një botë më të mirë për gjithë njerëzimin’ (FT, 105)”.

04 tetor 2020, 16:26