Kërko

ninosAEM.jpg
Editorial

T’i shohim të tjerët si vëllezër e motra, për të shpëtuar veten dhe botën

Mesazhi i enciklikës së re shoqërore të Papës Françesku: askush nuk shpëton i vetëm. Propozimi i një shoqërie vëllazërore, që nuk mposhtet nga luftrat, urrejtja, dhuna, indiferenca dhe muret e reja.

ANDREA TORNIELLI

Jemi të rrethuar nga “hijet e një bote të mbyllur”, por ka nga ata që nuk dorëzohen para errësirës që përparon dhe vazhdojnë të ëndërrojnë, të shpresojnë, të ndotin duart, duke u impenjuar në krijimin e vëllazërimit dhe të miqësisë shoqërore. Lufta e tretë botërore pjesë-pjesë ka filluar tashmë, logjika e tregut e bazuar mbi fitimin duket sikur e mund politikën e mirë, kultura e hedhurinave duket mbizotëruese, britma e popujve të uritur nuk dëgjohet, por ka nga ata, që përvijojnë udhë konkrete për të ndërtuar një botë të ndryshme, më njerëzore.

 Pesë vite më parë, Papa Françesku publikonte enciklikën “Laudato si’”, duke i shpjeguar qartë lidhjet ndërmjet krizës mjedisore, krizës shoqërore, luftrave, migrimit, varfërisë. E tregonte qëllimin, që duhej arritur: atë të një sistemi ekonomik dhe shoqëror më të drejtë dhe më me respekt për gjithësinë, me në qendër njeriun, rojtar të tokës amë dhe jo paratë, të ngritura në hyjni absolute. Sot, me Enciklikën e re shoqërore “Fratelli tutti”, Pasardhësi i Shën Pjetrit tregon rrugën konkrete për ta arritur atë qëllim: ta shohim njëri-tjetrin si vëllezër e motra, vëllezër sepse bij [të Zotit], kujdestarë të njëri-tjetrit, të gjithë në të njëjtën barkë, siç e bëri edhe më të dukshme pandemia. Është udha për të mos iu dorëzuar tundimit “homo homini lupus” (njeriu për njeriun është ujk), mureve të reja, izolimit, është udha për t’ia ngulur sytë ikonës ungjillore të Samaritanit të Mirë, aq aktuale e jashtë të gjitha skemave.

Rruga e treguar nga Papa Françesku bazohet në mesazhin e Jezusit, në të cilin askush nuk është i huaj. I krishteri, në të vërtetë, është i thirrur të “shohë Krishtin në çdo qenie njerëzore, ta shohë atë të kryqëzuar në ankthin e të braktisurve dhe të të harruarve nga kjo botë dhe të ringjallur në çdo vëlla që ngrihet sërish në këmbë”. Por vëllazërimi është një mesazh që mund të pranohet, kuptohet, ndahet edhe nga burra dhe gra besimtare të feve të tjera, si dhe nga shumë gra dhe burra jo-besimtarë.

 Enciklika e re paraqitet si një nga majat e magjisterit shoqëror të Françeskut, dhe përmbledh në mënyrë sistematike idetë e prononcimeve, të fjalimeve dhe të  ndërhyrjeve të shtatë viteve të para të papnisë së tij. Zanafilla dhe frymëzimi vjen sigurisht nga “Dokumenti mbi vëllazërimin njerëzor për paqen dhe bashkëjetesën në botë”, nënshkruar më 4 shkurt 2019 në Abu Dabi, së bashku me Imamin e Madh të Al-Azharit, Ahmad Al-Tajib. Nga ajo deklaratë e përbashkët, gur kilometrik në dialogun ndërmjet feve, Papa ripropozon thirrjen që dialogu të përdoret si udhë, bashkëpunimi si qëndrim dhe njohja e ndërsjellë si metodë dhe kriter.

Por, do të ishte tepër pak të kufizohej enciklika e re vetëm në sferën e dialogut ndërfetar. Në të vërtetë, mesazhi i “Fratelli tutti” i përket secilit prej nesh. E përmban faqe të ndritura edhe për impenjimin shoqëror e politik. Mund të duket paradoksale që ipeshkvi i Romës, një zë në shkretëtirë, është ai që mbështet projektin e politikës së mirë në kohën e sotme. Një politikë e aftë të luajë sërish rolin e saj, që për shumë kohë i është lënë financës dhe përrallës së tregjeve, të cilat po na sillkan mirëqenie për të gjithë, pa pasur nevojë të qeverisen. Ka një kapitull të tërë, kushtuar veprimtarisë politike përjetuar si shërbim dhe dëshmi dashurie, që ushqehet nga ideale të mëdha dhe e planifikon të nesërmen, duke menduar jo për përfitime të vogla zgjedhore, por për të mirën e përbashkët dhe veçanërisht, për të ardhmen e brezave të rinj. E akoma, në një kohë kur shumë vende po mbyllen, është pikërisht Papa që fton të mos e humbim besimin në organizatat ndërkombëtare, pavarësisht se kanë nevojë për reforma, në mënyrë që të mos komandojnë vetëm më të fortët.

Ndër faqet më të fuqishme të enciklikës janë ato kushtuar dënimit të luftës dhe refuzimit të dënimit me vdekje. Në vazhdën e enciklikës “Pacem in terris” të Gjonit XXIII, duke u nisur nga një vështrim realist mbi rezultatet katastrofike të kaq shumë konflikteve mbi jetën e miliona njerëzve të pafajshëm gjatë dekadave të fundit, Papa Françesku kujton se sot është shumë e vështirë të mbështetësh kriteret e arsyetimit të shekujve të kaluar për të folur mbi të ashtuquajturën “luftë të drejtë”. Njëlloj, është i pajustifikuar dhe i papranueshëm edhe dënimi me vdekje, që duhet të shfuqizohet në gjithë botën.

Është e vërtetë, siç vëren Papa, se “në botën e sotme ndjenjat e përkatësisë në një njerëzim të vetëm po dobësohen, ndërsa ëndrra për arritjen e drejtësisë dhe të paqes të gjithë bashkë duket si utopi e kohërave që shkuan”. Por kemi nevojë të ëndërrojmë sërish e, sidomos, t’i realizojmë së bashku ëndrrat. Para se të jetë tepër vonë.

04 tetor 2020, 12:18