Kërko

Kardinali Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe kryetar i Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian Kardinali Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe kryetar i Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian

Hollerich: ëndrrat e Françeskut qofshin tonat, për ta përmirësuar Evropën

Kryetari i COMECE-s komenton letrën e Papës për 50-vjetorin e bashkëpunimit ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe institucioneve evropiane: “Siç thotë Papa, jo vetëm duhet të shohim fotografitë e albumit të historisë, por duhet të japim kontributin tonë”

R.SH. - Vatikan

Një Evropë, mike “e njeriut dhe e popujve”, “familje e bashkësi”, “solidare e bujare”, “laike”, por në mënyrë të shëndoshë. Këto janë ëndrrat, për kontinentin e vjetër, shprehur nga Papa Françesku në letrën drejtuar Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, me rastin e tre përvjetorëve: 40-vjetorit të Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece), 50-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Bashkimit Evropian dhe 50-vjetorit të pranisë së Selisë së Shenjtë si Vëzhguese e përhershme në Këshillin e Evropës.

Hollerich: ëndrrat e Papës krah atyre të qytetarëve evropianë

 “Na takon ne t’i bëjmë tonat ëndrrat e Papës, që jeta të bëhet më e mirë në Evropë dhe në të gjithë botën”. Me këto fjalë e komenton letrën e Atit të Shenjtë, kardinali Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe kryetar i Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian. Duke iu referuar punës së COMECE-s, kardinali shton se ëndrrat e Papës shërbejnë tani si kriter për impenjimin e organizmit kishtar.

“Është gjë e bukur që Papa e shprehu këtë këndvështrim mbi Evropën, përmes ëndrrave – pohon kardinali në mikrofonin e Vatican News. - Këto ëndrra janë integrimi i së kaluarës evropiane, për rrënjët e së cilës flitet gjithmonë. Por nuk janë vetëm e kaluara. Siç thotë Papa Françesku, jo vetëm duhet ta shikojmë albumin e historisë, por duhet të vazhdojmë të japim kontributin tonë. Kjo është tejet e bukur. Kontinenti evropian, Bashkimi Evropian, ka të ardhme”.

Evropa është e të gjithë njerëzve, që banojnë në të

Duke theksuar se për të ndërtuar një Evropë më të mirë, secili prej nesh duhet t’i bëjë të vetat ëndrrat e Papës Françesku, kardinali Hollerich reflekton mbi aktualizimin, që i bëhet në letrën e djeshme drejtuar Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, thirrjes së shën Gjon Palit II: “Evropë gjeje vetveten, ji vetvetja”. Kjo, sipas tij ndikon edhe në punën e vetë COMECE-s, që kremton 40-vjetorin e saj.

“Jemi shumë të kënaqur – thekson ai – nga ky mesazh i Papës, që është inkurajim për ta vazhduar punën. Është mirë të kesh një masë. Ëndrrat e Papës tani janë masa e punës sonë për të ndikuar në institucionet e Bashkimit Evropian. E bukur, lidhja me Gjon Palin II: ‘Evropë gjeje vetveten, ji vetvetja’. E kjo – vëren kardinali Hollerich - jo thjesht, duke u ndalur në të kaluarën, por duke parë drejt së ardhmes. Ne duhet ta përvetësojmë historinë, ta realizojmë atë sot, që të jemi në gjendje ta planifikojmë për të ardhmen. Nganjëherë, thuhet se Comece duhet të jetë më e përkushtuar për një Evropë të krishterë. Papa na tregon se nuk është krejt e saktë kjo.

Ne duhet të ndërtojmë një botë më të mirë me të gjithë vëllezërit dhe motrat, që ndodhen në Evropë. Kisha dhe ipeshkvijtë kanë vendin e tyre dhe duhet ta ngrenë zërin për të shprehur ëndrrat, që nuk janë vetëm ato të Papës, ose të ipeshkvijve. Janë ëndrrat e paqes, të së mirës së përbashkët, të mikpritjes. Këto janë ëndrrat e shumë qytetarëve evropianë. Për COMECE-n, dhe jo vetëm për Komisionin e Episkopateve të Bashkimit Evropian, ky është mesazhi, që do ta orientojë punën tonë në të ardhmen”, përfundon kardinali Hollerich.

28 tetor 2020, 11:26