Kërko

Vatican News
Flamujt e BE-së Flamujt e BE-së  (AFP or licensors)

Papa: ëndërroj një “Evropë të bashkuar”, solidare, mike e njerëzve

Në një letër, drejtuar kardinalit Pietro Parolin me rastin e 50-vjetorit të bashkëpunimit të Selisë së Shenjtë me Institucionet evropiane, Françesku përshkon historinë dhe vlerat e Evropës, duke uruar kthesën vëllazërore, në një periudhë krejt të paqartë, plot me rreziqe e ravgime individualistike. Nuk ia vlen të rrish duke soditur një ”Album kujtimesh”, duhet parë ardhmëria, që mund t’i ofrohet botës!

R. SH. - Vatikan

Katër ëndrra,sepse shekujt e qytetërimit nuk e kanë shteruar akoma aftësinë shtytëse, të mbështetur nga e vetmja bindje substanciale: Evropa nuk mund të jetë e vërtetë, pa shtyllat mbi të cilat u projektua që nga  intuita e parë, domethënë, si hapësirë popujsh të bashkuar nga solidariteti, pasi qenë shndërruar në fushë tragjike shahu luftërash e muresh. Kjo, që Papa ia drejton kardinalit Pietro Parolin, është një lloj letre e hapur, kushtuar Kontinentit të vjetër, në të cilën vizioni  i tij - ideal e njëheresh  i lidhur me realizmin e epokës së virusit - shartohet mbi ëndrrat e dy paraardhësve sa të ndryshëm, aq edhe të ndritur, Robert Schuman, një nga etërit themelues të Evropës, e Shën Gjon Pali II, që ia mbrojti rrënjët e krishtera.  

Comece: që prej 40 vjetësh, në udhë përkrah Bashkimit Evropian

Letra kushtuar Evropës, drejtuar kardinalit Pietro Parolin,  nis me kujtimin  disa ngjarjeve të rëndësishme. Kujtohet, së pari, 50 vjetori i bashkëpunimit  ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Institucioneve evropiane, krijuar në përfundim të Luftës së dytë botërore, pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin e asokoshsëm Evropian e me praninë e Selisë së Shenjtë si Vëzhguese pranë Këshillit Evropian. Më pas Papa kujton themelimin e Komisioneve të Episkopateve të Bashkimit Evropian (COMECE), ku marrin pjesë me një delegat, të gjitha Konferencat Ipeshkvnore të anëtarëve të Bashkimit Evropian, për të  favorizuar  “një bashkëpunim më të ngushtë lidhur me çështjet baritore, që kanë të bëjnë me zhvillimin e kompetencave ndërmjet Episkopateve dhe veprimtarive të Bashkimit.

Më pas Papa kujton 70-vjetorin  e Deklaratës Schuman, ngjarje me rëndësi të dorës së parë, që frymëzoi udhën e gjatë të integrimit të Kontinentit,  duke krijuar kushtet për kapërcimim e armiqësive të lindura nga lufta.

Reflektimet e Papës, për ardhmërinë e Kontinentit

Në Letrën e tij, shkruar në dritën e këtyre ngarjeve, Papa shkëmben disa mendime me Sekretarin e tij të Shtetit, kardinalin Pietro Parolin, jo vetëm për ardhmërinë e Kontinentit, të cilin e do shumë edhe për origjinën e tij familjare, por edhe për rolin qëndror që luajti e që Papa beson se do ta luajë akoma, ndonëse me theksime të ndryshme, në historinë e njerëzimit.

Rikthim  në ëndrrën  e Etërve themelues. Evropë, rigjeje vetveten!

Ky rol - vijon reflektimin Papa - spikat më shumë në rrethanat e pandemisë, që po e jetojmë. E më pas ndalet tek këto kohë, kur vërejmë se po bëhen hapa kthimi mbrapa. E duke i kujtuar, Papa thekson: “Ose  do të ecet në rrugën e nisur gjatë dhjetvjeçarit të fundit, frymëzuar nga tundimi për autonomi, duke thelluar keqkuptimet, kundërvëniet e konfliktet, ose do të rizbulohet ‘udha e vëllazërimit’”.

Kthim në ëndrrën e Etërve Themelues

Eshtë pikërisht kriza e Covid - vëren Papa - që e vuri në dukje  gjithë këtë: tundimin për ta bërë gjithçka vetë, “duke kërkuar rrugëzgjdhje të njëanshme,  për një problem që i kapërcen kufijtë e shteteve”,  ndërsa që në zanafillë të Evropës së pasluftës, “projekti  evropian lindi si dëshirë për t’u dhënë fund përçarjeve të së kaluarës”. Lindi nga vetëdija se bashkimi bën fuqinë, se – siç pohohet në Evangelii gaudium - uniteti qëndron mbi konfliktin e se mund të jetë stil i ndërtimit të historisë. Në zemrën e Françeskut ndjehet ende fuqimisht jehona e fjalëve të Gjon Palit II, shqiptuar më 9 nëntor 1982 nga Santiago i Kompostelës,  në përfundim të shtegtimit të tij në Spanjë.

Rrënjë të thella

Thirrja e fuqishme “Evropë, gjeje vetveten, ji vetvetja!” riinterpretohet nga Françesku me të njëjtën energji. Papa i drejtohet Evropës me fjalët; “Dëshiroj të them: ti ke qenë në shekuj farkë e idealeve e tani duket  se e ke humbur hovin tënd!  Mos rri duke soditur të kaluarën tënde, si soditet ‘një album kujtimesh’, sepse ‘me kalimin e kohës edhe kujtimet më të bukura zbehen e harrohen’. ‘Ia vlen ta rigjesh vetveten, t’i rigjesh idealet   me rrënjë të thella’. E kjo, për Papën, do të thotë të mos kesh frikë nga “historia mijëravjeçare, që është dritare mbi të ardhmen, shumë më tepër sesa mbi të kaluarën”. Ndaj - vijon t’i bëjë thirrje Evropës - mos ki frikë nga “nevoja për të vërtetën”  e nxitur nga pyetjet e mendimit të lashtë grek, nga “nevoja për drejtësi” zhvilluar prej së drejtës romake, e nga “nevoja për amshimin, pasuruar nga takimi me traditën judeo-kristiane”.

Evropa, një familje e vetme!

Nga këto vlera burojnë edhe katër vizionet e Françeskut: “Ëndërroj atëhere – nëvizon së pari - një Evropë mike të njeriut e të njerëzve. Një tokë, në të cilën respektohet dinjiteti i të gjithëve, në të cilën  njeriu është vlerë më vete e jo objekt i llogarive ekonomike, a mall tregu”. Evropa me këtë ndjeshmëri, për Papën, është “tokë që mbron jetën, punën, arsimin, kulturën”, që di të mbrojë “më të brishtin e më të ligshtin”, posaçërisht pleqtë, të sëmurët, të gjithë ata, që kanë nevojë për mjekime të kushtueshme, pa përjashtuar as njerëzit me kufizime. E ky vizion nuk mund të mos sjellë një të dytë. “Ëndërroj një Evropë, që të jetë familje popujsh e bashkësi, e aftë të jetojë në unitet, që i shikon si thesar ndryshimet, duke nisur nga kryesori, ai ndërmjet burrit e gruas”. E këtu Françesku e sintetizon ëndrrën, duke folur për Evropën si bashkësi, solidare, vëllazërore, jo si tokë të shpërbërë në realitete vetmitare e të pavaruara, krejt të paafta  për t’i kapërcyer sfidat e ardhmërisë.

Evropë, që hap shikimin e portat

 Ëndrra e tretë  e Papës është ajo e një “Evrope solidare e bujare”, vend mikpritës, ku dashuria për tjetrin - virtyti më i lartë i krishterë -  ngadhënjen mbi çdo formë të indiferencës e të egoizmit”. E kjo ka edhe kuptimin e bashkëpunimit ndërkombëtar - thekson Papa - duke kujtuar posaçërisht Kontinentin afrikan, që ka aq shumë nevojë  për ndihmë.

Përtej konfesionalizmave e laicizmit

E, pastaj, ëndrra e katërt, të cilën Françesku e shpreh kështu: “Një Evropë  me laicitet të shëndetshëm, ku Zoti e Çezari ndryshojnë, por nuk kundërvihen”. Një Evropë, në të cilën Papa mendon se kanë marrë fund konfesionalizmat, por që shpresohet - uron -  edhe fundi i një farë laicizmi, që ia mbyll portat të tjerëve e posaçërisht Zotit, sepse dihet që një kulturë ose një sistem politik, që nuk ia hap portën Zotit, nuk mund ta respektojë as njeriun!

Një ardhmëri për t’u shkruar

Në përfundim, Papa thekson përgjegjësinë e madhe që kanë të krishterët  për ndryshimet në të gjitha mjediset ku jetojnë e punojnë,  edhe për t’ia besuar Evropën e dashur pajtorëve të saj, Benediktit, Çirilit e Metodit, Brixhidës, Katerinës e Tereza Benediktës së Kryqit.

Letra përfundon me besimin e plotë - që Françeskut nuk i mungon kurrë - “se Evropa ka ende shumë për t’i dhënë botës!”.

27 tetor 2020, 15:13