Kardinali Parolin u kërkoi meshtarëve të rinj jetë e krijimtari ungjillëzuese
R. SH. - Vatikan
Meshtar, bari shpirtrash, nuk është vetëm ai që prin! Këtë theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit në fillim të homelisë së Meshës për shugurimin e 29 meshtarëve të rinj të Opus Dei, dje, në Bazilikën e Shën Eugjenit. “Është krijuar ideja se bariu ka për detyrë kryesore t’i prijë grigjës” - kujtoi. Për të shpjeguar më tej se perspektiva ungjillore e bariut është shumë më e gjërë: “Bariu nuk jeton sipas dëshirës së tij, por si është më mirë për grigjën; nuk rri ku dëshiron, por ku ndodhet grigja. Lëviz bashkë me delet dhe e kalon çdo orë të ditës e të natës në shoqëri me ta. Më shumë se t’i prijë grigjës, jeton i shkrirë në gjirin e saj”. Jo më kot Krishti e quan bariun “ai, që jep jetën për delet”. Mesazhi është i qartë: “ Nuk do të jeni në radhë të parë për të bërë diçka – por për të ndarë me delet e për të dhënë për to vetë jetën!”.
Nënë Tereza, model për meshtarët
E, pas porosisë së parë, Prelati i lartë kujtoi se “Zoti shikon zemrat, se i do të vegjlit e i kërkon të thjeshtit”. E këtu kardinali Parolin citoi “Udhën e thjeshtë , të Nënë Terezës, duke folur për “Frytin e heshtjes”:
“Fryti i heshtjes është lutja. Fryti i lutjes është feja. Fryti i fesë është dashuria. Fryti i dashurisë është paqja. Veprat e dashurisë nuk janë tjetër veçse vepra paqeje. Gjërat e vërteta lindin nga heshtja!”.
Fjalë të thjeshta i quajti kardinali Parolin, por të afta për ta lidhur Zotin me njeriun. E në vijim kujtoi:
“Për të qenë barinj të vërtetë, duhet të keni një jetë të rregullt, të mos merreni me një mijë punë, gjë që mund t’ju krijojë rrezikun e humbjes së thjeshtësisë së një zemre, që i kushtohet e tëra vetëm Zotit”.
Më pas citoi edhe themeluesin e Opus Dei:
“Zoti nuk kënaqet me diçka, do gjithçka. Nuk kërkon gjërat tona, na kërkon ne!”.
Në përfundim të homelisë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin theksoi me forcë:
“Të jesh Kishë në dalje, do të thotë të mos ta shikojmë veten si qëllim, por si mjet, për ta çuar Zotin, jo vetveten, në botë”.