Hostia, kelku. kryqi Hostia, kelku. kryqi  

Kardinali Parolin u kërkoi meshtarëve të rinj jetë e krijimtari ungjillëzuese

Në homelinë për shugurimin e 29 meshtarëve të rinj të Opus Dei, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, theksoi mandatin e Krishtit për barinjtë e Tij dhe nevojat e deleve, që u besohen. Në ditën e kujtimit liturgjik të Nënë Terezës, dje, më 5 shtator, kujtoi ndërmjet tjerash, Shenjtoren e më të varfërve ndër të varfër, parë si model edhe për meshtarët.

R. SH. - Vatikan

Meshtar, bari shpirtrash, nuk është vetëm ai që prin! Këtë theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit në fillim të homelisë së Meshës për shugurimin e 29 meshtarëve të rinj  të Opus Dei, dje, në Bazilikën e Shën Eugjenit. “Është krijuar ideja se bariu  ka për detyrë kryesore t’i prijë grigjës” - kujtoi.  Për të shpjeguar më tej se perspektiva  ungjillore e bariut është shumë më e gjërë: “Bariu nuk jeton sipas dëshirës së tij, por si është më mirë për grigjën; nuk rri ku dëshiron, por ku ndodhet grigja. Lëviz bashkë me delet dhe e kalon çdo orë të ditës e të natës  në shoqëri me ta. Më shumë se t’i prijë grigjës, jeton i shkrirë në gjirin e saj”. Jo më kot Krishti  e quan bariun “ai, që jep jetën për delet”. Mesazhi është i qartë: “ Nuk do të jeni në radhë të parë për të bërë diçka – por për të ndarë me delet e për të dhënë për to vetë jetën!”.

Nënë Tereza, model për meshtarët

E, pas porosisë së parë, Prelati i lartë kujtoi se “Zoti shikon zemrat, se i do të vegjlit e i kërkon të thjeshtit”. E këtu kardinali Parolin  citoi “Udhën e thjeshtë , të Nënë Terezës, duke folur për “Frytin e heshtjes”:

 “Fryti i heshtjes është lutja. Fryti i lutjes është feja. Fryti i fesë është dashuria. Fryti i dashurisë është paqja. Veprat e dashurisë nuk janë tjetër veçse vepra paqeje. Gjërat e vërteta lindin nga heshtja!”.

Fjalë të thjeshta i quajti kardinali Parolin, por  të afta për ta lidhur Zotin me njeriun. E në vijim kujtoi:

“Për të qenë barinj të vërtetë, duhet të keni një jetë të rregullt, të mos merreni me një mijë punë, gjë që mund t’ju krijojë rrezikun e humbjes së  thjeshtësisë së një zemre, që i kushtohet e tëra vetëm Zotit”.

Më pas citoi edhe themeluesin e Opus Dei:

“Zoti nuk kënaqet me diçka, do gjithçka. Nuk kërkon gjërat tona, na kërkon ne!”.

Në përfundim të homelisë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin  theksoi me forcë:

 “Të jesh Kishë në dalje, do të thotë të mos ta shikojmë veten si qëllim, por si mjet, për ta çuar Zotin, jo vetveten, në botë”.

06 shtator 2020, 14:47