Kërko

Vatican News
VATICAN-HEALTH-VIRUS-RELIGION-CHRISTIAN-POPE VATICAN-HEALTH-VIRUS-RELIGION-CHRISTIAN-POPE  (AFP or licensors)

Papa, tё dielën rinis lutjen mariane Mbretëresha Qiellit, nё praninё e besimtarëve në shesh

Të diel, më 31 maj, në ora 10, Papa do të kremtojë Meshën në ditën e Rrëshajëve, pa pjesëmarrjen e besimtarëve, në Kapelën e të Shenjtnueshmit Sakrament në Bazilikën e Vatikanit. Në ora 12, nga dritarja e studios private tё Pallatit Apostolik, Papa Bergoglio do të rinisë lutjen e uratёs mariane tё mesditës ‘Mbretëresha Qiellit’ me besimtarët në sheshin e Shën Pjetrit.

R.SH. - Vatikan

Këtë të diel, mё 31 maj, në ora 10, Papa Françesku do të kremtojë Meshën në ditën e solemnitet tё Rrëshajëve – Shpirtit Shenjt, pa pjesëmarrjen e besimtarëve, në Kapelën e tё Shenjtnueshmit Sakrament tё Eukaristisë në Bazilikën e Vatikanit. Kёshtu njofton zyra e shtypit e Selisë së.

Ndërsa nё ora 12, nga dritarja e studios private tё Pallatit Apostolik, Papa Bergoglio do të rinisë lutjen e  uratёs mariane tё mesditës ‘Mbretëresha Qiellit’ me besimtarët në sheshin e Shën Pjetrit. Forcat e rendit do të sigurojnë hyrjen e sigurt në Sheshin e Vatikanit dhe do të kujdesën qё besimtarët e pranishëm tё respektojnë distancën e nevojshme ndërpersonale dhe masat tjera tё sigurisë.

Disa çaste pas dritares së Papës, ku përgatitet lutja mariane

Kur ora në krah të majtë të Bazilikës së Vatikanit troket 12 herë e  njëkohësisht dëgjohet fort edhe e shtëna me top nga kodra romake Gianicolo, që shënon mesditën, në Sheshin e Shën Pjetrit,  mijëra besimtarë presin, me sy përpjetë, hapjen e perdes së bardhë të dritares së Pallatit Apostolik, që mbarë bota e njeh si “e Engjëllit”. Pas saj Papa tashmë është gati për lutjen mariane. E pikërisht në mesditë, perdja e bardhë hapet, e Papa, pasi përshëndet besimtarët, nis kremtimin e lutjes së Engjëllit të Tënzot ose të Mbretëreshës Qiellore (në periudhën ndërmjet  Pashkëve e  Rrëshajëve).

Po çfarë ka pas kësaj perdeje?

Pas saj është biblioteka e Papës. Ndonjë karrikë e, natyrisht, edhe rafti i librave, punuar me dru arre. Stil i thjeshtë, i përkorë. Atmosferë dijeje e lutjeje. Gjithçka tregon se Papa e përdor rrallë herë këtë dhomë, prej nga niset Lutja mariane e Mesditës, një nga më të ndjekurat prej besimtarëve të mbarë botës. E kjo, sepse Papёs i pëlqen më shumë të takohet me njerëzit, pa i përjashtuar as librat, kuptohet, të cilët i merr me vete në dhoma tjera të thjeshta tё Vatikanit, për të ndenjur me ta, kur nuk mund të rrijë me njerëzit e pranishëm nga e gjithë bota!

E një nga takimet më të dashura për Papën, është pa dyshim lutja marine e mesditёs e  Engjëllit të Tënzot ose të Mbretëreshës Qiellore (në periudhën ndërmjet  Pashkëve e  Rrëshajëve). Kur orët trokasin dymbëdhjetën, Papa ka arritur tashmë në studio. Me të zakonisht është edhe sekretari i posaçëm, i cili i dorëzon fletën me fjalimin e shkurtër. Kjo, konferenca javore e shtypit, që mban Papa për besimtarët. Aq e ndryshme nga qindra konferenca tjera shtypi, që shtjellohen gjatë javës nëpër botë. Me gojën e tij flet Zoti, e flet edhe jeta javore e mbarë Planetit. Me sukseset, shpresat, po edhe ankthet e dramat e saj të pafundme…

Teksti përgatitet një ditë më parë.

Papa, në fjalimin e shkurtër që i paraprin lutjes, komenton kryesisht leximet biblike tё Meshës të së dielës. Në hartimin e tekstit ndihmohet nga Sekretaria e Shtetit e varianti përfundimtar është gati një ditë para lutjes. Por jo rrallë Papa e plotëson, duke folur lirisht, gjë që e dëgjojmë me kënaqësi shumë shpesh.

Nëse grupet e pranishme dëshirojnë që Ati i Shenjtë Papë t’i kujtojë në lutje, duhet t’ia komunikojnë praninë, duke u vënë në lidhje me Prefekturën  e Shtëpisë Papnore ose me Sekretarinë e Shtetit tё Selisё sё Shenjtё. Rëndësi ka të njoftosh me kohë. Zakonisht Papa duket i vetëm në dritare tё Pallatit Apostolik, por ndodh edhe që shoqërohet me ndokënd tjetër, me të rinjtë e lëvizjeve tё ndryshme kishtare si Veprimi Katolik, pёrfaqёsues të  Ditëve Botërore të Rinisë ose, kur lutja kremtohet në ditë që kanë të bëjnë me paqen, me … dy pëllumba, të cilët fluturojnë të lirë nga dora e Atit të Shenjtë, të ndjekur nga mijëra sy…Si ogur i mirë për paqen në botë. Kur  kremtohet lutja mariane e mesditёs nga Seshi i Shёn Pjetrit nё Vatikan, Papën e shoqërojnë disa rregulltarë, që rrinë pas Tij, para mikrofonave të vendosur aty enkas për ta.

Lutja  e parë publike e Engjëllit të Tënzot, më 1954

Na mbetet edhe kurioziteti i fundit: kur nisi zakoni i kremtimit të lutjes mariane nga dritarja “e Engjëllit” nё Pallatin Apostolik tё Vatikani. Është një doke e vonë. Nisi më 15 gushtin e vitit 1954, kur Papa Piu XII lejoi që Radio Vatikani ta transmetonte lutjen e Engjëllit të Tënzot të cilën po e kremtonte në Castelgandolfo, seli verore e papëve. E Papёs Paçeli ky transmetim iu duk shumë interesant. Prej këndej, në vjeshtën e vitit 1954 nisi ta kremtojë lutjen e Engjëllit të Tënzot nga dritarja e studios papnore në Pallatit Apostolik. Që aso kohe në hapësirën e Sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan, me pamjen e dy krahëve të hapur të Kishës, që përqafojnë mbarë njerëzimin, kur orët trokasin 12.00, jehon  lutja:

Engjëlli i Zotit 

Engjëlli i Zotit iu fal Zojës Mari; e ajo u zu  për virtyt të Shpirtit Shenjt.

Të falemi Mari...

Ja shërbëtorja e Hyjit; u bëftë mbi mua si është fjala jote.

Të falemi Mari...

E Fjala u bë njeri; e banoi ndër ne.

Të falemi Mari...

Lutu për ne, o e shenjtnueshmja Nënë e Hyjit; të bëhemi të denjë për premtimet e Jezu Krishtit”.

 

 

Mbretëreshë e qiellit (në kohën e Pashkëve)

 Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
Se ai që meritove për ta bartur, Aleluja!

U ngjall si pati thënë, Aleluja!

Lute për ne Hyjin, Aleluja!

Gëzohu e galdo, Virgjëra Mari, Aleluja!

Zoti u ngjall me të vërtetë, Aleluja!

Të lutemi: O Zot, që nëpër ngjalljen e Birit tënd, Jezu Krishtit, u denjove ta ngushëllosh botën, bëj që nëpër Nënën e tij, Virgjërën Mari, të fitojmë ngushëllimet e jetës së amshuar. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

Lutja jehon në vite, që nga viti tashmë  i largët 1954, e jehoi edhe sot kur besimtarët e ndoqën përsëri Françeskun i cili, nga dritarja e Engjëllit,  komentoi Ungjillin e së dielës e dha bekimin apostolik 

26 maj 2020, 14:52