Komiteti për Vëllazërimin Njerëzor: më 14 maj, një lutje për njerëzimin
R. SH. - Vatikan
Vëllezërve tanë, që besojnë në Zotin Krijues; vëllezërve tanë, njerëz si ne, kudo që janë: “Të mos harrojmë t’i drejtohemi Zotit Krijues në atmosferën e kësaj krize, në këtë çast, kur Bota jonë po përballon një rrezik të madh, që kërcënon jetën e miliona njerëzve në mbarë Planetin, domethënë coronavirusin(covid-19). Kjo, thirrja e Komitetit të Lartë për Vëllazërimin, që rithekson rëndësinë e rolit të mjekëve dhe të kërkimit shkencor për t’i bërë ballë kësaj epidemie, por pa harruar se duhet t’i drejtohemi edhe Hyjit Krijues në këtë krizë kaq të rëndë. Ne i ftojmë të gjithë njerëzit, në botën mbarë - vijon thirrja - t’i drejtohen Zotit duke u lutur, duke u përgjëruar e duke agjëruar çdo njeri, në katër anët e botës, e sipas fesë së vet, fesë e doktrinës, që Ai ta zhdukë këtë epidemi, të na shpëtojë nga kjo gjëmë, t’i ndihmojë shkencëtarët ta gjejnë një ilaç, që ta mundë! E të lutemi edhe që Ai i Lumi ta çlirojë botën nga pasojat shëndetësore, ekonomike e humanitare të përhapjes së kësaj sëmundjeje të rëndë.
Një ditë lutjeje dhe agjërimi, për t’i dhënë fund pandemisë
Komiteti i Lartë i fton të gjithë liderët fetarë dhe të gjithë njerëzit, në mbarë botën që, të enjten, më 14 maj, t’i drejtojnë Zotit lutjen e përbashkët! E i fton t’i përgjigjen kësaj ftese humanitare me një zë të vetëm, që Zoti ta mbrojë njerëzimin, ta ndihmojë të kapërcejë epideminë, t’ia rikthejë sigurinë, stabilitetin, shëndetin e prosperitetin e, pasi të jetë zhdukur kjo mënxyrë, ta bëjë botën tonë më njerëzore e më vëllazërore.
Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor
Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, i kryesuar nga kardinali Angel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, u themelua gushtin e kaluar, në Shtëpinë e Shën Martës, pak muaj pas takimit historik të 4 shkurtit 2019 të Papës Françesku me Imamin e Madh të Al-Azhar, Ahmed al-Tayyeb, pasuar nga nënshkrimi i “Dokumentit mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën paqësore”. Komiteti përbëhet nga krerë fetarë, studiues dhe përfaqësues të kulturës nga mbarë bota, të krishterë, myslimanë e hebrenj, që frymëzohen nga dokumenti e u kushtohen idealeve të paqes dhe të respektit reciprok.