Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor 

Komiteti për Vëllazërimin Njerëzor: më 14 maj, një lutje për njerëzimin

Një mesazh, shkruar në trembëdhjetë gjuhë të ndryshme, nga persishtja në swahili, për “vëllezërit”, që besojnë në Zotin Krijues, për “vëllezërit” njerëz si ne, kudo që janë. E drejton Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, në këtë kohë kur bota është pushtuar nga Cornavirusi, duke e ftuar mbarë njerëzimin, “për një ditë lutjeje, agjërimi e bamirësie”.

R. SH. - Vatikan

Vëllezërve tanë, që besojnë në Zotin Krijues; vëllezërve tanë, njerëz si ne, kudo që janë: “Të mos harrojmë t’i drejtohemi Zotit Krijues në atmosferën e kësaj krize, në këtë çast, kur Bota jonë po përballon një rrezik të madh, që kërcënon jetën e miliona njerëzve në mbarë Planetin, domethënë coronavirusin(covid-19). Kjo, thirrja e Komitetit të Lartë për Vëllazërimin, që rithekson rëndësinë e rolit të mjekëve dhe të kërkimit shkencor për t’i bërë ballë kësaj epidemie, por pa harruar se duhet t’i drejtohemi edhe Hyjit Krijues në këtë krizë kaq të rëndë. Ne i ftojmë të gjithë njerëzit, në botën mbarë - vijon thirrja - t’i drejtohen Zotit duke u lutur, duke u përgjëruar e duke agjëruar çdo njeri, në katër anët e botës, e sipas fesë së vet, fesë e doktrinës, që Ai ta zhdukë këtë epidemi, të na shpëtojë nga kjo gjëmë, t’i ndihmojë shkencëtarët ta gjejnë një ilaç, që ta mundë! E të lutemi edhe që Ai i Lumi ta çlirojë botën nga pasojat shëndetësore, ekonomike e humanitare të përhapjes së kësaj sëmundjeje të rëndë.

Një ditë lutjeje dhe agjërimi, për t’i dhënë fund pandemisë

Komiteti i Lartë i fton të gjithë liderët fetarë dhe të gjithë njerëzit, në mbarë botën që, të enjten, më 14 maj, t’i drejtojnë Zotit lutjen e përbashkët! E i fton t’i përgjigjen kësaj ftese humanitare me një zë të vetëm, që Zoti ta mbrojë njerëzimin, ta ndihmojë të kapërcejë epideminë, t’ia rikthejë sigurinë, stabilitetin, shëndetin e prosperitetin e, pasi të jetë zhdukur kjo mënxyrë, ta bëjë botën tonë  më njerëzore e më vëllazërore.

Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor

Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, i kryesuar nga kardinali Angel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, u themelua gushtin e kaluar, në Shtëpinë e Shën Martës, pak muaj pas takimit historik  të 4 shkurtit 2019 të Papës Françesku me Imamin e Madh  të Al-Azhar, Ahmed al-Tayyeb, pasuar nga nënshkrimi i “Dokumentit mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën paqësore”. Komiteti përbëhet nga krerë fetarë, studiues dhe përfaqësues të kulturës nga mbarë bota, të krishterë, myslimanë e hebrenj, që frymëzohen nga dokumenti  e  u kushtohen idealeve  të paqes dhe të respektit reciprok.

02 maj 2020, 14:53