Kërko

Vatican News
 Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Kardinali Parolin: t’i rijepet Evropës jetë, me frymë krijuese e pa harruar Ungjillin

Sekretari i Shetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i nxit të rinjtë t’i ndotin duart, për të vënë në jetë një politikë të mirë. “Kisha nuk mund të lihet mënjanë nga ata, të cilët mbrojnë një laicitet, që pësoi disfatë nga historia”- theksoi në fjalimin e mbajtur në Frascati, në shkollën e formimit politik për të rinjtë.

R. SH. - Vatikan

“Sfida e së ardhmes është një bashkësi njerëzish, që frymëzohet nga ideale të denja për t’u jetuar”. E sot ndjehet fort urgjenca për një bazë të shëndoshë formuese, që ofron busullën e orientimit për të marrë vendime me frymëmarrje të plotë.  Kjo do të thotë “ta rifitosh kuptimin më të thellë të politikës, kuptuar si forma më e lartë  e bamirësisë”. Këtë theksoi kardinali Pietro Parolin gjatë lectio magistralis, shqiptuar me rastin e takimit të parë të Shkollës Verore të formimit sociopolitik, organizuar nga Vikariati i Romës, me titullin: “Da Moro a Moro… and more”. (Nga Moro tek Moro … e më tej”, që përfundoi sot  në Villa Campitelli të Fraskatit.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, duke kujtuar “se identiteti i krishterë i Etërve themelues të Evropës, si Adenauer e De Gasperi, ishte themelor për  kapërcimin e nacionalizmave e partikularizmave të shekullit XX, vërejti se  të gjitha këto vlera, që përbëjnë edhe sot e kësaj dite themelin “rrezikohen ta humbasin shtrirjen e tyre”. Liria, për shembull, kuptohet shumë më tepër si e drejtë e qytetarëve për të qarkulluar lirisht nëpër Evropë, sesa si respektim i jetës private e i mendimit vetjak. Ashtu si dhe të drejtat e njeriut, që sot kufizohen vetëm në parimin e mospranimit të diskriminimit”.

Në meditimin e tij, kardinali Parolin, duke kujtuar fjalët e Papës Françesku, nënvizoi, më pas, se “nuk ka probleme abstrakte”. “Pas imigrimit e varfërisë, janë fytyrat konkrete, janë njerëzit! I krishteri e ka për detyrë t’i kujtojë Evropës dhe politikës së saj, katandisur vetëm në shqetësimin për zgjidhjen e problemeve, vlerën e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve.

“Ndërsa detyra e vetë të krishterit është të japë i pari shembullin e mirë, kudo e kurdoherë, duke pranuar sfidën për të qenë bashkësi e frymëzuar nga ideale të shëndosha”.

E përsa i përket Kishës, shtoi:

“Kisha nuk mund të lihet mënjanë nga ata, që mbrojnë një laicitet, i cili pësoi disfatë nga historia”.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi katër shkaqet themelore, që vënë në rrezik vlerat e bashkimit evropian: “I pari, humbja e forcës shtytëse të projektit evropian fillestar; së dyti, thellimi i mëtejshëm i parisë së ekonomisë, mbi politikën; së treti, ndryshimi kuptimor i fjalës ‘të drejtat’; së katërti, këputja e lidhjes me mendimin greko-romak”.

27 korrik 2019, 13:57