Cerca

Vatican News
Papa Françesku dhe atë Federico Lombardi, në lutje, në Takimin për mbrojtjen e të miturve në Vatikan Papa Françesku dhe atë Federico Lombardi, në lutje, në Takimin për mbrojtjen e të miturve në Vatikan 

Dita e dytë e Takimit për mbrojtjen e të miturve, në Vatikan

Dita e dytë e Takimit vatikanas për mbrojtjen e të miturve u hap me lutjen e mëngjesit, gjatë së cilës iu kërkua Zotit ta ndihmojë Kishën për ta jetuar fenë pa hipokrizi. Edhe sot, u lexua dëshmia e një viktime abuzimi: “Kur një meshtar abuzoi me mua, Kisha Nënë më la vetëm… të gjithë u zhdukën dhe ndihesha edhe më i vetmuar, pa ditur kujt t’i drejtohesha”.

R.SH. - Vatikan

U hap në praninë e Papës Françesku, dita e dytë e Takimit mbi “Mbrojtjen e të miturve në Kishë” (21-24 shkurt), në Sallën e Re të Sinodit, në Vatikan. Faqja e internetit në të cilën mund të ndiqen punimet është http://www.pbc2019.org në dy gjuhë: anglisht edhe italisht. Informacion mund të merret edhe përmes rrjeteve shoqërore me #pbc2019.

Feja e vërtetë nuk e lë kurrë vetëm të abuzuarin

Lutja e sotme u drejtua nga imzot Pierbattista Pizzaballa, administrator apostolik i Jeruzalemit të Latinëve. Pas himnit “Veni, Creator Spiritus”, u lexua në spanjisht, nga eprorja e përgjithshme e Mercedareve të Bamirësisë, motër Aurora Calvo Ruiz, ajo pjesë e Letrës së Shën Palit drejtuar Romakëve, ku apostulli fton të jetohet feja me sinqeritet, larg nga çdo gënjeshtër dhe dyfytyrësi: “Dashuria të mos jetë hipokrite: urrejeni të keqen, mbahuni fort pas së mirës; duajeni njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore, prijini njëri-tjetrit, duke nderuar shokun më parë e më tepër. Në kujdesin ndaj të tjerëve jini të shpejtë, në shpirt të nxehtë; Zotit shërbejini!” Pas kësaj, u lexua në anglisht dëshmia e një viktime abuzimi:

“Kur Jezusi po jepte shpirt, nëna e Tij ishte me të. Kur u shpërdorova nga një meshtar, Kisha, Nëna ime, më la vetëm. Kur pata nevojë të flisja me dikë në kishë për abuzimet e për vetminë time, të gjithë u zhdukën dhe ndihesha edhe më i vetmuar, pa ditur kujt t’i drejtohesha”.

Askush nuk duhet të ketë më frikë nga dhuna në Kishë

Ashtu si dje, pas dëgjimit të dëshmisë, pasoi një heshtje varri. Në uratën e fundit, imzot Pizzaballa u lut që “askush të mos ketë më kurrë frikë nga dhuna dhe shtypja” në Kishë, “por të gjejë tek ajo gjithë sigurinë dhe ndihmën”. Përfundoi duke iu përgjëruar Zotit: “Mos i lejo ata, që shërbejnë në Kishë, të abuzojnë me të tjerët për qëllimet e tyre, por jepu përvujtërinë që t’u shërbejnë të tjerëve me vetëmohim, si dishepuj të Krishtit”.

Urime Papës për festën e Katedrës së Shën Pjetrit

         Në fund të lutjes, atë Federico Lombardi, moderator i Takimit, kujtoi se sot kremtohet Festa e Katedrës së Shën Pjetrit, “prandaj – vërejti – e gjithë Kisha lutet për Atin e Shenjtë, për shërbimin e tij të mësimdhënies e të udhëheqjes”. “I bëjmë me gjithë zemër urimet – shtoi – së bashku me krejt Kishën”.

Raportet e OKB-së mbi dhunën kundër fëmijëve

         Atë Lombardi nënvizoi më pas, se Papa Françesku ka dashur që gjithë pjesëmarrësit e Takimit të kenë në dispozicion dokumentet zyrtare të OKB-së për luftën kundër dhunës ndaj fëmijëve. Të pranishmëve iu shpërndanë dy dokumente: raporti global i Kombeve të Bashkuara për luftën kundër dhunës ndaj fëmijëve, me titull “Drejt një bote të lirë nga dhuna. Studim global mbi dhunën kundër fëmijëve”, si edhe raporti i Unicefit 2017, “Një fytyrë familjare”, ku vihet në dukje se shpesh, dhuna kundër fëmijëve ushtrohet nga njerëz shumë pranë tyre, madje, edhe nga familjarë. “Ky – nënvizoi atë Lombardi – është rezultati i studimeve universale për problemin e dhunës kundër fëmijëve”.

         Dokumentet janë dërguar nga Marta Maria de Morais dos Santos Pais, përfaqësuese zyrtare e Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për këtë fushë kaq delikate. Ajo ka dërguar një email, ku nënvizon se e ka për nder të kontribuojë në këtë “Takim të rëndësishëm” kishtar për mbrojtjen e të miturve dhe uron që reflektimi të jetë i frytshëm e të sjellë rezultate të mira.

22 shkurt 2019, 12:20