Cerca

Vatican News
 Sinodi i ipeshkvijve Sinodi i ipeshkvijve 

Dëshmitë e dhimbshme të pesë viktimave të abuzimeve

Histori dhimbjesh, heshtjesh, dhune të pësuar, por edhe dëshirë për t’i rikthyer besueshmërinë Kishës, përmes impenjimit dhe përgjegjësisë së anëtarëve të saj. Kjo u theksua gjatë pesë dëshmive, ndërmjet të cilave, dëshmia e një gruaje, dëgjuar në hapje të takimit, që do të vijojë deri më 24 shkurt, në Vatikan.

R. SH. - Vatikan

Vinin nga pesë kontinente të ndryshme, dëshmitë e para-regjistruara, që u dëgjuan sot, menjëherë pas lutjes me të cilën u hap, në Sallën e re të Sinodit, në Vatikan, takimi kushtuar “Mbrojtjes së të miturve në Kishë”. I fortë, falënderimi i të shpërdoruarve, që iu dha mundësia të dëgjohen e të japin, kështu, kontributin e tyre që nga ky takim në Vatikan, të dalë një Kishë më e mirë. E veçantë, pastaj, mirënjohja për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë  nga ana e Atit të Shenjtë.

Por edhe më e fortë, jehona që patën në sallën e madhe, fjalët e viktimave. Jo vetëm për dramën e shpërdorimit seksual, por edhe e sidomos, për pasojat e saj të tmerrshme mbi jetën e përditshme në familje, në marrëdhëniet me shoqërinë e deri me vetë Zotin! Zëri i viktimave u ngrit edhe për t’i kërkuar vendosmërisht ipeshkvijve si dhe mbarë Kishës, që të mos “pranojnë”, pa vepruar, por ta marrin plotësisht mbi vete përgjegjësinë e asaj, që ndodhi e të bashkëpunojnë me drejtësinë, që ky “tumor” jo vetëm të shkulet, por edhe të mjekohet me “metodat” e duhura.

Dëgjimi i viktimave e kujdesi për ta

Si katolik - tha zëri i dëshmitarit nga Amerika e Jugut - gjëja e parë, që mendova, ishte: “Po shkoj e ia tregoj gjithçka Kishës Nënë, ku sigurisht do të më dëgjojnë e edhe do të më respektojnë”. S’e kisha hapur ende mirë gojën, kur nisën të më trajtojnë si gënjeshtar. “Kjo është skemë, që ekziston në mbarë botën. E duhet të marrë fund!”. Si mund të zhduket gjithë ky shëmtim, atëhere? Gjëja e parë, që duhet bërë, është dëgjimi i viktimave. U duhet besuar. Duhen shëruar! E pastaj, duhet bashkëpunuar me drejtësinë. Duke u folur drejtpërdrejt ipeshkvijve të pranishëm në sallë, zëri i largët, ardhur nga Amerika e Jugut, u kërkoi  ta dëgjojnë mirë atë, që dëshiron të bëjë Papa, të mos mjaftohen të pohojnë me një të luajtur koke. “E kërkon vetë Shpirti Shenjt - theksoi zëri - që të jepni ndihmesën për t’i rikthyer besimin Kishës. E ata, që nuk duan ta dëgjojnë Shpirtin Shenjt e   duan të vijojnë t’i mbulojnë fajtorët, të largohen nga Kisha, për t’i lëshuar vendin atyre, të cilët duan të ndërtojnë një Kishë të re!”.

Një Kishë e re e plot me përgjegjësi

Është histori dhune, poshtërimi  e  detyrimi, ajo që tregoi gruaja e vetme,  në dëshminë e saj, sot. Zëri vinte nga Afrika; tri herë shtatzënë, e tri herë e detyruar të abortojë. Me jetë të rrënuar! Nga goja e saj doli një mesazh drejtuar ipeshkvijve. Ishte thirrje për dashuri të vërtetë: “Kur e do dikë, mendon vetëm për të ardhmen e tij, për të mirën e tij”. Kështu duhet të veprojnë edhe priftërinjtë e rregulltarët, si njerëz me përgjegjësi! Që  nuk mendojnë vetëm për vete, por edhe, e sidomos, për të tjerët”.

T’i dëgjosh viktimat, të mësohesh për t’i dëgjuar: këtë kërkoi një prift, që dëshmoi për abuzimet e pësuara nga një prift tjetër. I ardhur nga Evropa Lindore, 25 vjet pas shugurimit, u ankua me vite, por askush nuk e dëgjoi, nuk e kuptoi e as nuk u mundua t’ia mbyllte plagën, që i qe hapur në shpirt. E megjithatë e përfundoi dëshminë duke shqiptuar fjalën “falje”, e duke falënderuar Kishën dhe të gjithë ata që, megjithatë, u përpoqën ta mbështesin!

Një leadership me vizion e guxim

“Plagë” ishte fjala kyçe e viktimës së katërt të shpërdorimeve, zëri i së cilës jehoi sot në sallën e mbledhjes. Ishte zë i një burri nga SHBA-të,  që foli për humbjen e plotë të pafajnisë, e me të, të rinisë, si flitet për një nga plagët më të rënda, hapur pas shpërdorimit nga ana e një prifti. Fjalët e tij ishin të ngarkuara rëndë me një dhimbje, ende të freskët, të ndjerë fort edhe në marrëdhëníet familjare, për shkak të manipulimit pësuar nga një njeri i keq, një meshtar katolik. Ipeshkvijve, që e dëgjonin, u kërkoi të tregojnë se janë leadership me vizion e guxim, që duan të gjejnë rrugëzgjidhje e të punojnë për një “Kishë më të mirë”.

U rikthye dëgjimi i munguar dhe bashkëpunimi me të gjithë ata – provincialë dhe eprorë -  që e patën mbuluar abuzimin,  e me të,  edhe  kërkesa për “masat e rrepta, që i tregojnë udhën abuzuesve - edhe në dëgjimin e dëshmisë së sotme, e fundit, nga një burrë aziatik. Heshtja mund të vrasë - pohoi - duke treguar sa vështirë e ka të jetojë, të rrijë bashkë me njerëzit e tjerë e të ketë lidhje me ta. Nëse dëshirohet të shpëtohet Kisha nga kjo, që e quan “bombë me sahat në Kishën e Azisë”., udha  e vetme është ajo e drejtësisë. E atyre, që e dëgjonin u kujtoi: “Nuk duhet të lejojmë që fajtorët të mbulohen nga miqtë e tyre, sepse po vijoi kjo,  do të shkatërrohet një brezni e tërë të miturish”.   

 

21 shkurt 2019, 16:11