Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku e Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit për Komunikimin Papa Françesku e Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit për Komunikimin  (Vatican Media)

Ruffini: nga Sinodi, mesazhi i një Kishe të bashkuar në kumtimin e Ungjillit

Paolo Ruffini, emëruar korrikun e kaluar nga Papa si prefekt i ri i Dikasterit për Komunikimin, kryesoi konferencat për shtyp me gazetarët e akredituar në Sinodin e Ipeshkvijve për të rinjtë. Në këtë intervistë, ai shpjegon se si Sinodi komunikoi bukurinë e një Kishe, që di të ecë e bashkuar, duke dëgjuar ç’i thotë Shpirti Shenjt sot.

R.SH. - Vatikan

Ngjarje feje dhe bashkimi, për të kuptuar se çfarë na thotë sot Shpirti Shenjt për mënyrën e kumtimit të Ungjillit në gjithë botën: ky ishte Sinodi kushtuar të rinjve, i cili përfundoi të dielën. Së paku, kështu mendon Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit vatikanas për Komunikimin. Si president i Komisionit për Informacionin në Sinod, ai kryesoi udhëhoqi konferencat për shtyp me gazetarët e akredituar. Në mikrofonin tonë, u përgjigjet disa pyetjeve mbi përvojën e tij sinodale, duke filluar nga opinioni për ç’u ka komunikuar ky Sinod të rinjve të Kishës dhe të gjithë botës:

Besoj se u ka komunikuar sidomos bukurinë e udhës së përbahskët dhe mundësinë e një Kishe të re, pa frikë, plot entuziazëm, të bashkuar.

Ju filluat punën tuaj si prefekt i Dikasterit për Komunikimin nga një impenjim jo i lehtë. Ҫ’mund të na thoni për përvojën tuaj personale?

Ishin ditë të mbushura plot, shumë të lodhshme, por të bukura. Pashë kaq shumë besim, kaq shumë frymë bashkimi. Shumë lutje, shumë durim në dëgjim. Pashë mundësinë për një të ardhme më të mirë. Pashë si e udhëheq Papa Kishën, duke i shoqëruar barinjtë e saj, duke u dhënë siguri, duke u lutur me ta dhe si mbështeten barinjtë e Kishës nga Populli i Zotit.

Si shkoi komunikimi i punimeve të Sinodit?

Unë besoj mirë. Në kuptimin se kemi krijuar një dialog të vazhdueshëm me mediat në mbarë botën. Ditë pas dite. Nuk ka komunikim, nëse nuk ka dialog. Dhe konferencat e përditshme ishin kështu: një dialog me shumë zëra. Bërë nga pyetje dhe përgjigje. Në një botë të mësuar me mekanizma të tjera, ku debati nuk është mundësi për dialog, për të dëgjuar, për të shoshitur, e ku kërkohet ndeshja e jo bashkimi, nuk ishte e lehtë për ne që të shpjegonim unicitetin e kësaj ngjarjeje, ku lutja ndërthurej me fjalimet dhe asambleja, me kalimin e ditëve, bëhej gjithnjë e më shumë një gjë e vetme e, nën nxitjen e dëgjuesve të rinj, gjithnjë e më e re. Në fund, megjithatë, besoj se mesazhi u përçua. Në tekstin e dokumentit përfundimtar, por jo vetëm në atë. Kaloi përmes përvojës së jetuar dhe të treguar nga të gjithë Etërit Sinodalë. Nga të gjithë të rinjtë. Për një muaj, salla e Sinodit u kthye - siç tha Papa – në një hapësirë ​​të mbrojtur, ku protagonist nuk ishte kurrë mendimi i një ipeshkvi të vetëm ose i një dëgjuesi të vetëm, por puna shoshitëse e një asambleje të bashkuar, që, së bashku me të rinjtë, u përpoq të kuptonte ç’na thotë Shpirti Shenjt sot, për të mishëruar mesazhin e Jezusit dhe Ungjillin në kohën tonë. Këtë jemi përpjekur të komunikojmë. Unë shpresoj se ia kemi arritur mjaftueshëm, por gjithashtu e di se nuk duhet të mendojmë kurrë se kemi bërë mjaft.

Ka një pikë në Dokumentin përfundimtar, lidhur me sfidën dixhitale, ku lexojmë për ftesën e Sinodit që të banojmë në botën dixhitale, duke promovuar potencialin e saj komunikues dhe duke i mbrujtur kulturat e saj dinamike me Ungjillin. Pastaj shpresohet të krijohen zyra dhe organizma për kulturën dhe ungjillizimin dixhital, pikërisht për të nxitur shkëmbimin, praktikat e mira dhe për t’iu kundërvënë përhapjes së “Fake neës” (lajmeve të rreme) për Kishën…

Do të thosha se kjo është pikë themelore. Madje, gati-gati nuk do të thosha se është një temë mes të tjerash, por diçka që depërton si rrjet në të gjitha temat e tjera të diskutimit. Dixhitali nuk është mjet, është mjedis. Është mjedisi i kohës sonë. Nuk është një botë e veçantë, nuk është kontinent i ri. Është pak vendi i të gjitha vendeve. Është ambienti ku bashkohen të gjitha gjuhët dhe të gjitha kontinentet, duke anuluar kohën dhe hapësirën. Është vendi ku krijohen identitete, njohuri, miqësi, dashuri, grindje. E gjithë kjo na sfidon. Dhe ne duhet t’u kërkojmë ndihmë të rinjve për të banuar në këtë botë. Më se njëri prej Eterve Sinodalë citoi Famullitarin e Shenjtë të Arsit, për të thënë bashkë me të: "Më ndihmo për të gjetur rrugën dhe unë do të të tregoj udhën më të madhe, që është ajo e shenjtërisë, e dashurisë, e së Vërtetës, e Parajsës, për të ndjekur Jezusin". Këtë duhet t'u themi të rinjve të sotëm: ata dinë të na udhëheqin në këtë botë, por ne duhet ta ndryshojmë perspektivën e saj. Në një shoqëri dixhitale, ndërtuar kaq shpesh mbi mohimin e tjetrit, mbi mllefe, mbi gënjeshtra, ne mund të risjellim vërtetësi dhe mundësi për takim, mund ta bëjmë ambientin dixhital - botën dixhitale, vendin dixhital - një vend të bukur për të jetuar.

30 tetor 2018, 12:55